Reshje intensive në të gjithë vendin, strukturat në gatishmëri dhe situata nën kontroll

Reshjet me intensitet të lartë të orëve të fundit kanë shkaktuar problematika të lokalizuara në disa zona të vendit, por strukturat qendrore dhe vendore raportojnë se situata është nën kontroll dhe shërbimet jetike, si qarkullimi rrugor, furnizimi me energji elektrike, ujë të pijshëm, shërbimet shëndetësore, portet dhe aeroporti, po funksionojnë normalisht, me ndërhyrje të pandërprera aty ku paraqiten vështirësi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, gjatë gjithë natës ekipet e ARRSH, OSSH, AKUK dhe operatorëve të ujësjellës-kanalizimeve kanë qenë në terren për pastrimin e akseve rrugore, menaxhimin e prurjeve të ujit dhe riparimin e dëmtimeve në rrjet. Në të gjitha akset kombëtare qarkullimi vijon normalisht, me përjashtim të segmentit Kranë-Muzinë, i bllokuar nga përmbytja e lumit Bistrica, ku po punohet për rikthimin e kalueshmërisë. Në disa zona malore janë regjistruar rrëshqitje dherash, rënie gurësh dhe inertesh, si në segmentet Bajram Curri-Valbonë, Dushaj-Lekbibaj, Bajram Curri-Fierzë, Kukës-Krumë, Kukës-Shishtavec, Skuraj-Burrel, Koplik-Bogë, Dedaj-Razëm, Bogë-Theth, Koplik-Reç, Hani i Hotit-Vermosh, Librazhd-Qafë Thanë, Qukës-Qafë Plloçë, Elbasan-Peqin, Kakome-Himarë, Gjirokastër-Kakavijë, Himarë-Qafë Gjashtë, Shijan-Ura e Gajdarit dhe Shijan-Delvinë. Këto segmente janë nën monitorim të vazhdueshëm dhe shumica e tyre janë të kalueshme, ndërsa në zonat më të dëmtuara vijon puna me mjete të specializuara.

Furnizimi me energji elektrike paraqitet i qëndrueshëm. Në rrjetin shpërndarës ka pasur stakime të përkohshme të disa linjave, kryesisht në zona rurale dhe malore, por shumica e defekteve janë riparuar. Brigadat e OSSH-së dhe OST-së janë në gatishmëri të plotë. Ekipet e OSHEE-së po vijojnë punën për rikthimin e energjisë në fshatrat Skuraj, Vinjollë, Gallatë (Lezhë); Topojan, Shishtavec, Zapod, Bytyç, Lekbibaj (Kukës); Hajmel, Vig-Mnelë, Iballë, Qafë-Mali (Shkodër); dhe në zonën Maricaj (Gjirokastër). Në kaskadën e Drinit dhe basenet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës reshjet kanë sjellë rritje të prurjeve, por niveli i ujit është nën monitorim të vazhdueshëm dhe menaxhimi i shkarkimeve po kryhet normalisht.

Furnizimi me ujë të pijshëm vijon normalisht. Të gjitha stacionet e pompimit janë në punë dhe nuk ka pasur ndërprerje të furnizimit. Burimet me gravitet, të turbulluara nga reshjet po trajtohen sipas protokolleve higjeno-sanitare, derisa të sigurohen kushtet optimale për konsum. Impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura dhe rrjetet e kanalizimeve janë në operim të plotë, duke përballuar prurjet e shtuara nga reshjet. Rreth 40 grupe pune janë shpërndarë në të gjithë vendin për kontrollin në terren dhe ndërhyrje të menjëhershme aty ku është e nevojshme.

Transporti detar dhe ajror po funksionon pa ndërprerje shërbimesh. Në Portin e Durrësit operacionet vijojnë normalisht, tragetet mbërrijnë dhe nisen në orar dhe terminalet funksionojnë plotësisht. Porti i Sarandës raporton situatë të qetë, me nisje në kohë të trageteve të linjës së Korfuzit. Në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” operimet po zhvillohen pa vonesa apo ndërprerje.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, strukturat vendore dhe ekipet operacionale kanë vijuar punën gjatë natës për normalizimin e situatës, për sigurimin e akseve rrugore dhe rikthimin e energjisë elektrike. Në Lezhë po punohet për normalizimin e situatës në fshatrat Gjorm, Zhejë dhe Fushë-Mamurras, si dhe për kalueshmërinë në segmentin Skuraj-Gallatë dhe në zonën e Kaçinarit, ku ura në fshatin Shpërdhezë është dëmtuar. Në Durrës, situata në Sukth, Katund të Ri dhe Ishëm është drejt stabilizimit, me ujërat e tërhequr dhe hidrovoret në Porto Romano e Hamallaj që punojnë me kapacitet të plotë. Në Kukës të gjitha akset nacionale janë të kalueshme, ndërsa në Shkodër është zhbllokuar segmenti Theth-Ndërlysaj dhe puna vijon në Ndërlysaj-Breg-Lumi. Në Gjirokastër aksi Sofratikë-Libohovë është normalizuar, ndërsa vijon monitorimi i ujërave të shtuara në segmentin Gjirokastër-Tepelenë, tek ura e Kardhiqit dhe rrethrrotullimi pranë urës së lumit në qytetin e Gjirokastrës. Në Elbasan po pastrohen inertet në segmentet Elbasan-Peqin (“Murraç”) dhe Elbasan-Librazhd, ndërsa në Korçë, në fshatin Sanjollas, situata është normalizuar pas zhbllokimit të tombinove dhe pastrimit të inerteve, duke shmangur rrezikun për banesat.

Sistemi shëndetësor është në gatishmëri të plotë. Strukturat e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor po monitorojnë situatën 24/7 në bashkëpunim me njësitë vendore dhe emergjencat civile. Spitalet raportojnë se rezervat kritike janë të siguruara dhe shërbimet vijojnë normalisht edhe në zonat me reshje më të dendura, si Kurbin, Mat, Lezhë, Shkodër, Malësi e Madhe, Tropojë, Kukës dhe Has. OSHKSH mbetet në komunikim të pandërprerë për çdo rast emergjent dhe situatë që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, reshjet intensive në ultësirën perëndimore kanë rritur nivelet e ujit në lumenj dhe kanalet kulluese. Në Mamurras prurjet e lumit Droje dhe dëmtimi i argjinaturës kanë shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore dhe zonave të banuara në Thumanë dhe Dukagjin. Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Durrës ka dislokuar mjete të rënda pranë segmentit të dëmtuar, por ndërhyrja mbetet e vështirë për shkak të nivelit të lartë të ujit. Në Lezhë, pavarësisht nivelit të lartë të ujit në kanalet kulluese, situata në Zadrimë, Zejmen dhe hidrovoret përkatëse është e qëndrueshme. Në qarkun Durrës, situata mbetet më e ndërlikuar në Hamallaj, ku niveli i ujit është ulur me rreth 50 cm, si dhe në kanalin e ujërave të larta “Tone”. Janë konstatuar rritje të niveleve në lumenjtë Shkumbin, Seman, Vjosë, Shushicë, Drinos, Pavlla dhe Bistricë, por rrjedhat janë brenda shtratit, përveç lumit të Kalasës, i cili ka dalë mbi urën e Gajdarit duke bllokuar përkohësisht segmentin Sarandë-Delvinë. Të gjitha hidrovoret nga Shkodra në Sarandë po punojnë me kapacitet të plotë për shkarkimin maksimal të ujërave, duke garantuar menaxhimin e qëndrueshëm të situatës.

Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të gjithë operatorët publikë mbeten në gatishmëri të plotë dhe në komunikim të vazhdueshëm me pushtetin vendor dhe ekipet e emergjencave. Qytetarëve u bëhet thirrje të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat me rrezik më të lartë. Institucionet përgjegjëse do të vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet e nevojshme për të garantuar funksionimin e pandërprerë të shërbimeve jetike dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës.