Agjencia Shtetërore e Kadastrës, hyn në fazën vendimtare të transformimit, falë revolucionit digjital, që garanton stabilitet të plotë të pronës, stabilitet të plotë të marrëdhënies së pronës, stabilitet të plotë mes marrëdhënies së qytetarëve dhe shtetit në aspektin e pronës.
Nga e hëna 3 korrik do të mbyllen sportelet e kadastrës, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë regjimit 30 vjeçar të letrave dhe vulave, pasi gjithçka do të jetë online me nënshkrim e me vulë elektronike, duke arkivuar praktikën, “të paguash për të marrë shërbimin apo të shërbesh duke u paguar”, si pjesë e historisë së dhimbshme të së shkuarës.
Në një takim të zgjeruar me drejtues dhe punonjës së kësaj Agjencie, ku merrte pjesë edhe Kryeministri Rama, por edhe ministra të kabinetit, deputetë e kryetarë bashkish u prezantua Reforma e ndërmarrë në këtë Agjenci.
* * *
Faleminderit drejtore! E dashur Dallëndyshe, arsyeja pse unë dëshirova që ta bëjmë këtë takim të hapur, duke ftuar këtu edhe disa ministra, deputetë, kryetarë bashkish, është për të thënë disa të vërteta të rëndësishme, të cilat janë të vërtetat e shumë njerëzve, që në gjithë këtë periudhë edhe pse ne kemi bërë shumë përpjekje për ta ndryshuar sistemin e titujve të pronësisë, të marrjes së titujve të pronësisë, të gëzimit të titujve të pronësisë kanë hasur me situata dhe me procese absurde deri në dhimbje.
Dhe e vërteta e parë është se nuk kemi arritur edhe pse kemi pasur një kohë relativisht të gjatë në dispozicion që ta transformojmë Kadastrën në atë që ajo është në të vërtetë, Kadastra është bankë.
Është njësoj si Banka Qendrore e Republikës së Shqipërisë.
Është njësoj si një bankë e nivelit të dytë, ku mbahen kursimet e qytetareve dhe ku garantohen ndërveprimet e tyre me paranë dhe si çdo bankë, kadastra nuk është një fole për qoka, për gjithfarë lloj njerëzish që nuk kanë asnjë lidhje me atë punë.
E vërteta e hidhur është që Kadastra është penguar në mënyrë të vazhdueshme, në radhë të parë nga ju dhe kur them nga ju, nuk kam parasysh secilin prej jush personalisht, por kam parasysh kategorinë që ju përfaqësoni, deputetë, ministra, kryetarë bashkish. Për të vazhduar me më tutje të gjithë ata, që kanë sadopak pushtet që i kanë dhënë vetes të drejtën të interferojnë me kadastrën si të ishte një rifuxhio pekatorium për të gjitha llojet e nevojave, që nga influenca për emërimet e drejtuesve të Kadastrës, influencë deri në imponim, tek influenca për punonjës në Kadastër, deri në imponim, tek influenca për mbështetje për njërin e për tjetrin deri në imponim. Duke e penguar Kadastrën të bëhet ajo që duhet të jetë, Banka e sigurtë e pronës së patundshme të shqiptarëve.
Kjo është e vërteta, më e hidhura e vërtetë e kësaj historie. E vërteta tjetër e kësaj historie është se e shkuara e tmerrshme në kuptimin më të plotë të fjalës me harta të konsumuara nga palosjet-shpalosjet, me tituj pronësie të lëvizshëm sipas interesave e me mbivendosje pronash nga papërgjegjshmëria e plotë që është karakteristika numër 1 e personave që futen në një mision, jo për të bërë misionin apo e personave që dhe kur duan ta bëjnë punën, janë injorantë që nuk dinë sesi ta bëjnë atë punë, – ka bërë që ne të trashëgojmë një situatë katastrofike, më katastrofikja në Europë pa diskutim, por nuk e di se me çfarë vendesh dhe në cilat kontinente të tjera, kjo situatë mund të krahasohej. Pa diskutim që është bërë shumë përpjekje. Askush s’mund ta mohojë këtë, por askush nuk mohon dot që, sot ne jemi në kushtet kur nuk mund të themi që kemi arritur atë që duhej. Përkundrazi, kemi parë para syve tanë të ndodhin çudira pas çudirash me pronat e shqiptareve. Dhe pa diskutim që aktori kryesor i gjithë kësaj historie të zymtë është korrupsioni, paraja por ajo shprehja “Kur gjenerali shkul një mollë, ushtarët marrin gjithë pemën” ka bërë që për shkak se influenca politike mbi Kadastrën e deputetëve, e kryetarëve të bashkive e të gjithë të tjerëve me radhë ka qenë shumë e pranishme, atëherë të tjerët kanë bërë njëmijëfishin e asaj që kanë qenë të detyruar nga lidhjet miqësore, nga lidhjet familjare, nga lidhjet klanore, nga lidhjet e gjithfarëllojshme t’i bëjnë për njërin apo për tjetrin.
Dhe unë dua ta them me gojën plot dhe me kokën ulur se sot është dita për t’i kërkuar një ndjesë shumë të madhe në emër të Partisë Socialiste të gjithë atyre shqiptarëve që kanë kaluar në zinxhirin e torturave në Kadastër. Dhe kjo ndjesë është ndjesa e kryetarit të një partie fajtore dhe natyrisht nuk është e gjithë partia, por është udhëheqja e partisë në radhë të parë, që ka dhënë shembullin më të shëmtuar për gjithë të tjerët, që u ka thënë të tjerëve se kjo bankë është një han me 7 porta ku nga porta kryesore futen udhëheqësit, pastaj nga portat e tjera futen të gjithë llojet e kategorive.
Dallëndyshja përmendi fjalën kërcënime. Është e vërtetë që Kadastra është institucioni vetëm në Republikën e Shqipërisë që bashkëpunon me kërcënimet. Kërcënime nga të katërta anët. Dhe kjo ndjesë, sot është një ndjesë që mezi kam pritur të vijë dita ta bëjë, por nuk e kam bërë më parë sepse e kam ditur që e nesërmja do vazhdojë të jetë njësoj dhe ngaqë e kam menduar këtë ndjesë sa herë kam menduar për Kadastrën, mezi kam pritur të vijë dita që unë të them përpara gjithë shqiptareve këtë që do them tani.
Ditën e hënë, në datën 3 korrik Kadastra nuk është më e aksesueshme për publikun dhe për askënd tjetër. Nga e hëna në 3 korrik askush nga ju nuk mund të bëjë asgjë në Kadastër. Dhe do ju ftoja ta provonit dhe të shikoni që nuk do arrini të bëni dot gjë. Pse? Sepse askush brenda në Kadastër nuk do mundet dot t’ju përgjigjet, edhe sikur të dojë. Asnjë nga kushërinjtë që keni futur në Kadastër. Asnjë nga miqtë e miqve që keni futur në Kadastër. Asnjë nga ata që janë futur në Kadastër se me demek kanë dhënë jetën për PS, nuk do ju përgjigjet dot. Pse? Sepse s’do kenë gjë në dorë. Nga e hëna, 3 korrik, Kadastra do të jetë një makineri digjitale dhe punonjësit aty brenda të cilët një pjesë e them me shumë kënaqësi kanë filluar të kërkojnë të largohen se nuk kanë më asnjë mundësi të bëjnë asgjë tjetër përveçse të bëjnë punën e tyre përpara një kompjuteri. Nuk e devijojnë dot në asnjë drejtim sipas dëshirës. Nga e hëna, 3 korrik në Kadastër nuk mund të ketë më “zgjidh ti se kujt do t’i shërbesh’. Nuk e përzgjedh dot. Nga e hëna, 3 korrik punonjësi i Kadastrës në Shkodër do të ketë përpara në kompjuter si t’ia nxjerrë algoritmi, raste për të trajtuar për një pronë në Delvinë. Punonjësi i Kadastrës në Gjirokastër do t’i dalë në kompjuter për të trajtuar rastin e një prone në Tropojë dhe askush nuk do të gjejë dot fillin sesi trajtohet prona, përveç makinerisë digjitale që do t’i përgjigjet përmes një sistemi elektronik kërkesave të qytetarëve. Qytetarëve u bëj thirrje të mos shkojnë më në Kadastër se nuk i pret më askush! Njësoj siç nuk shkojnë në Bankën e Shtetit se nuk i pret njeri, edhe në Kadastrën e shtetit nuk ka për t’i pritur më njeri.
Kadastra është një dritare përmes e-abania-s. Kaq! Aty bëhen aplikimet. Aty merren përgjigjet. Aty vjen dokumenti me vulën elektronike, me nënshkrimin elektronik i pandryshueshëm, i pa manipulueshëm, i patjetërsueshëm. Dhe jo vetëm kaq, por sistemi do të jetë i tillë që çdo njeri i interesuar për të marrë përgjigje, do të shohë se ku është ecuria e procesit. Është dashur një punë kolosale për të ardhur deri këtu se që një makineri e tillë të përgjigjet, duhet që të dhënat t’i ketë të disponueshme. Arkivat e Kadastrës të mbushura me letra, tanimë nuk janë më të aksesueshme dhe askush nuk mund të shkojë të marrë një letër, të heqë një letër, të fusë një letër, t’i marrë tjetrit një pronë, t’i fusë pronën e dikujt tjetër gjëra që kanë ndodhur historikisht sepse tanimë revolucioni digjital i kësaj faze ka përfunduar. Do ketë për një periudhë kohe jo shumë të gjatë, probleme, ngecje, ankesa, të gjitha këto, njësoj si atëherë kur mbyllëm sportelet dhe vumë sistemet në punë që thanë që kjo do kolapsojë Shqipërinë se pensionistët s’dinë, sepse fermerët s’dinë, sepse ata s’dinë, sepse këta s’dinë, në fakt njerëzit që nuk kanë mundësi të kapin për krahu deputetin, njerëz që nuk kanë mundësi të kapin për krahu deputetin, njerëzit që nuk kanë mundësi të kapin për krahu krushkun e pushtetshëm apo vjehrrën e fuqishme, e kanë atë zgjidhjen e tyre dhe ata janë përdoruesit më të rregullt të të gjitha platformave digjitale.
Kur ne kemi bërë për herë të parë aplikimin pa dokumente për subvencionet në bujqësi në rrugë digjitale dhe na u tha që ky do të jetë dështim, kemi pasur numrin më të lartë të aplikimeve. Aplikime edhe nga majat e maleve ku rrinë barinjtë që përndryshe e kanë të pamundur të zbresin malin e të shkojnë të gjejnë zyrën e të takohen atje me personazhin që i thotë “të mungon kjo letër, të mungon ajo letër, ik prape në mal, merrja deles letrën, sille poshtë”.
Kështu që në këtë aspekt, unë jam i bindur që ky është shërbimi më i madh që ne i bëjmë me gjithë këtë proces qytetarëve të Shqipërisë që iu nxihet jeta për të rifreskuar një titull pronësie, se në Shqipëri është shpikur rifreskimi, pra ti ke një pronë, ndërkohë që një certifikatë e para 300 vjetëve në një shtet tjetër të mjafton, këtu duhet ta rifreskosh atë që ke marrë para 3 muajsh. Rifreskim! Dhe për një rifreskim, ti duhet të përzhitesh në të gjitha flakët e ferrit që të marrësh atë rifreskimin. Vula e njomë! Drejtorja tha kemi arritur një sukses të madh, kemi mbledhur vulat e njoma, sepse vulat e njoma ishin si armët. Armët në brezin e atyre që mbasi hapën depot e ushtrisë, u shpërndanë në të gjithë Shqipërinë. Vulat e njoma dhe njeriu që pronën e ka nga stërgjyshi duhej të varej nga vula e njomë e dikujt pa din, pa iman, pa fe, pa atdhe.
Nuk e di sa turp iu vjen juve. Mua më vjen shumë turp. Më vjen jashtëzakonisht turp që të mendoj se çfarë kanë hequr njerëzit dhe më mjaftojnë vetëm historitë që kam dëgjuar vetë, njerëz që çojnë mesazhe që unë pastaj ua kaloja punonjësve, drejtuesve dhe pastaj, mbas x kohe, mesazhi përsëritej, çështja s’ishte zgjidhur, po shiko se ka një kështu, se ka një ashtu, se është një ashtu, është një kështu…., pa llogaritur këtu krimin e madh të AMTP-ve, letrave të dhëna rrugëve deri para pak kohe, jo për tokë bujqësore, por për shkëmbej, për shkrepa, për ujin e detit. Gjëra të tmerrshme që ne i kemi trashëguar pjesën më të madhe, po nuk është se nuk kanë ndodhur edhe më pas. Kanë parë detin të kufizuar si pronë e patundshme. Që të mos them që letrat që janë rrugëve në formën e ankesave, kërkesave, njohjeve, stërnjohjeve, janë dyfishi i sipërfaqes së Republikës së Shqipërisë. Shqipëria ka 28 mijë kilometra katrorë, pretendime për pronë janë 40 mijë kilometra katrorë dhe ngaqë s’kanë ku futen në hartën e Shqipërisë, janë mbi njëra-tjetrën dhe prandaj mbi një pronë gjen 3 palë pronarë nëpër këto letra. E gjithë kjo, në formën e kalvarit dorë për dore të viktimës me xhelatin, mbaron.
Pjesa tjetër e digjitalizimit deri në fund, e blockchain, e gjitha këto me radhë, vazhdon, por ama historia që një njeri që kërkon titullin e pronësisë duhet të kërkojë xhelatin dhe të dy dorë për dore duhet të ecin dhe që xhelati që i buzëqesh dhe i thotë shiko se ke dhe këtë, ke dhe atë, po bjerë dhe atë, po shiko këtu se duhet dhe kjo, po ti e ke parasysh se mi kërkon ai lart, po është dhe ai i gjati më lart, po është dhe kjo, është dhe ajo. Dhe pronari rrugës kthehet në viktimë, mbaron!
Ju ftoj të gjithëve ju ta provoni dhe me kënaqësinë më të madhe do ta ndiej dhimbjen tuaj kur nuk do arrini dot të gjeni se ku mund të kapet një pronë. Kjo është gjëja që është bërë. unë jam shumë i lumtur për këtë. Sot jam i çliruar. Është një revolucion i jashtëzakonshëm që na çliron të gjithëve. Pres dorëheqje masive nga Kadastra dhe nga ana tjetër, drejtorja e ka shumë të qartë.
E para, punonjësit e kësaj banke duhet të jenë bankierë, jo banakiere, prandaj do t’ju lutesha shumë mos të bëni më asnjë ndërhyrje për askënd, “se ky na ka sjellë kaq vota, se ky na ka dhënë fitoren, se ai na ka dhënë triumfin, se pa këtë nuk fitonim dot, se duhej dhe ai se është një faktor, por janë dhe dy faktorë të tjerë që duhen ndihmuar, se ata tre të tjerët…”, sepse nuk funksionon.
E dyta, pagat. Rritja e pagave të Kadastrës do të jetë shumë e konsiderueshme sepse punonjësit e kadastrës duhet të paguhen nga shteti dhe jo nga qytetarët dhe për këtë kemi diskutuar, kështu që unë përfitoj nga rasti që t’i bëj apel të gjithë atyre që janë profesionistë në ato profesione që Kadastra kërkon, që të aplikojnë sepse realisht janë të domosdoshëm.
Ndërkohë që natyrisht brenda Kadastrës ka plot njerëz që e dinë punën. Shpresoj që një pjesë e tyre të mbeten. Kush do të iki do të jetë më shumë se sa i falënderuar që po shpëtojmë prej tij, por kush do të qëndrojë do të vazhdojë trajnimet, do të vazhdoje kualifikimet sepse drejtorja tha një gjë, certifikimi i kadastrës. Kadastra duhet të certifikohet si institucion i standardeve europiane e duhet të marrë të gjitha ISO-t e nevojshme.
Sot që flasim kemi hyrë në këtë proces, por deri dje Kadastra mund të certifikohej vetëm si një makinë mishi për të grirë prona e për të ngrënë jetë njerëzish. Nëntë drejtorë Kadastre janë ndërruar në Vlorë, deri ditën kur unë i numërova, pastaj hoqa dorë nga numërimi. Hoqa dorë nga përpjekja si deputet i Vlorës duke u konsultuar me të gjithë se si mund të bëhet, duke vënë një njeri, njëri më problem se tjetri!
Lajmi im për të gjithë ata që i rrinë rrotull Kadastrës së Vlorës, si ujqërit një preje, është ikni se nuk ka më Kadastër për ju. Askush aty brenda nuk ju ndihmon dot më sepse aty brenda në kompjuterë do shfaqet Tropoja, do shfaqet Hasi, do shfaqet Durrësi, do shfaqet Saranda, por nuk do shfaqet Vlora asnjëherë. Po e përsëris, nuk e di sa ju e ndjeni se çfarë ndiej unë kur them këto fjalë. Jemi të gjithë këtu përgjegjësit kryesorë për këtë situatë, po fus edhe veten time, megjithëse në këtë rast ka qenë rasti më evident kur unë kam kuptuar që nuk ka pushtet njeriu që mund ta bëjë punën që bën dixhitalizimi. Kompjuteri që nuk ka nevojë as për nuse, as për krushq, as për parti, as për shoqëri, që nuk do të dijë as kush është deputet e kush është bandit, thjesht bën punën, mbi bazën e atyre që ka të regjistruar.
Unë besoj që kjo është një ditë shumë e mirë për ne si forcë që kemi marrë përsipër ta ndryshojmë këtë vend sepse ky është një ndryshim shumë i madh, i vonuar, për 1001 arsye, nga të cilat mbase jo 501, por 101 janë arsye që i kemi krijuar ne. Këto kisha unë!
Në 3 korrik, ditën e hënë, Kadastra është diçka tjetër dhe për këtë do të dëshiroja që drejtorja e AKSHI-t e cila ka dhënë një kontribut të madh me institucionin e saj dhe pastaj edhe drejtorja e Agjencisë këtu të Bashkëqeverisjes, që ka ndjekur me institucionin e saj gjithë kalvaret e mundshme të njerëzve që drejtoheshin tek Agjencia për të gjetur zgjidhje, të thonë disa gjëra lidhur me këtë ndryshim.
Faleminderit!