Revolucioni digjital, koha që bankat e nivelit të dytë të transformojnë shërbimet e epokës së vjetër - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Revolucioni digjital, koha që bankat e nivelit të dytë të transformojnë shërbimet e epokës së vjetër

Revolucioni digjital do të shtrihet edhe në sistemin bankar të vendit, për të lehtësuar klientët dhe sipërmarrjen nga pengesat dhe vonesat e shërbimeve të epokës së vjetër, njësoj siç u bë me shërbimet publike me dokumente.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim të zgjeruar me drejtues të sektorit bankar, të cilët i ftoi në këtë përpjekje të përbashkët për të shënuar transformimin e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve në bankat e nivelit të dytë. Kryeministri bëri të ditur se është ngritur një grup pune mes qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë, i cili do të drejtojë punën në këtë aspekt. “Jeni të mirëpritur që t’i bashkoheni këtij grupi pune me përfaqësues të shoqatës suaj. Duhet të thjeshtojmë procedura, të reduktojmë dokumente shoqëruese të bëjmë maksimumin që jeta e qytetarëve dhe bizneseve në marrëdhënie me bankat të lehtësohet maksimalisht.” – u shpreh kryeministri gjatë fjalës së tij.

Në diskutimin me drejtuesit e sistemit bankar morën pjesë edhe Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dhe Drejtorja e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj.

* * *

Mirëserdhët, faleminderit!

Raporti i fundit i Bankës europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e renditi Shqipërinë të parën në rajon dhe të 17 – ën në listën e vendeve që mbulon me aktivitetin e saj BERZH-i , një pozicion për hir të së vërtetës shumë domethënës, si rezultat i një pune jashtëzakonisht voluminoze dhe intensive që kemi zhvilluar për vite të tëra për ta transformuar të gjithë sistemin tonë të qeverisjes, përmes digjitalizimit dhe për të transformuar vet shërbimet publike falë digjitalizimit.

Siç duhet ta dini, prej 1 Majit nuk ka më sportele fizike të administratës për shërbimet me dokumente dhe të gjitha shërbimet ofrohen online, konkretisht 1225 shërbime për të cilat aplikohet dhe merret përgjigja po online me nënshkrim apo me vulë elektronike.

Mbeten fizikisht vetëm 5 % e shërbimeve, për të cilat është e domosdoshme prania e personit apo kur bëhet fjalë për mjetet sepse teknologjia akoma nuk na ka dhënë ndonjë zgjidhje sesi mund të martohemi online për shembull, por me siguri do vijë dhe kjo. Ndërkohë për fat të keq në të njëjtin raport Shqipëria merr një vlerësim tejet të ulët për IComers dhe faktikisht kur vjen puna tek bankat ne jemi të fundit në rajon se në pjesën tjetër po se po. Dhe të jemi shumë realistë, kjo është një mospërputhje shumë dramatike me aspektin tjetër të gjithë punës së sistemit bankar dhe me vetë qëndrueshmërinë e një sistemi bankar të konsoliduar dhe shumë profesional. Por radhët në dyert e bankave që në sabah me njerëz që i orienton një roje aty jashtë nuk janë ngjarje të përditshme të kontinentit ku jetojmë.

Kështu që, ne jemi këtu për  t’ju thënë që Shqipëria nuk mund të jetë në një vend aq të lartë në klasifikimin e përgjithshëm, duke lënë pas në këtë klasifikim edhe vende të zhvilluara dhe natyrisht kjo është mrekullia e teknologjisë që i jep mundësi një vendi që është në zhvillim apo që ka një prapambetje të caktuar, në raport me vende shumë më të zhvilluara që të bëjë një kapërcime të mëdha në njësi kohe të shkurtër. Ndërkohë që, nga ana tjetër jemi ku thërret qameti në shërbimet online të bankave.

Çdo muaj dhe saktësisht në datën 14 shumë sipërmarrje shkojnë nëpër banka për të paguar Tvsh-në. Prapë çdo datë 20, shkojnë nëpër banka për të paguar detyrimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të tyre.

Një ritual që nuk besoj se ju vjen mirë dhe ju që ta keni te dera e bankës, ndërkohë që një konsum kohe, një konsum energjie, një konsum nervash dhe një konsum imazhi në tërësi i denjë për vite e vite të shkuara, jo më për kohën që jetojmë, jo më për ambicien që kemi për Shqipërinë. Qytetarët po ashtu, derë më derë të bankave “jo ke radhën ti, jo kam radhën unë”, sikur është radha e dikurshme e qumështit, apo radha e deridjeshme e sporteleve të shtetit që ishin një trup dhe faqe e zezë.

Ndërkohë, duke qenë se qytetarët sot kanë gjithë këtë akses të lehtë dhe gjithë këtë shpejtësi të madhe në marrjen e shërbimit nga e-albania është normale që të ankohen gjithmonë e më shumë për bankat. Qoftë qytetarët, qoftë dhe sipërmarrjet.

Dhe nuk ka pse një qytetar që ka një kartë krediti, qoftë debiti, qoftë online banking dhe të ikë të nisët për te dera e bankës për të paguar për një shërbim publik, po njësoj siç bën me e-albanian mund të kryejë dhe pagesën mu aty në e-albania dhe kjo mund t’i konfirmohet në kohë reale, është plotësisht e realizueshme teknikisht dhe ky është një transformim që nuk është më koha ta diskutojmë, është koha ta bëjmë. Po ju jap një shembull tjetër. Tani shumë shpejt, më në fund ne do të hyjmë në një fazë tjetër me transportin publik, uran dhe ndër urban ku nuk do të ketë më bileta letër dhe e gjitha do të behet online, për biletat ndërqytetëse siç bën çdo qytetar i vendeve rreth nesh prej vitesh tanimë, ashtu sikundër dhe për biletat qytetase. Tani si mundet që për këto bileta me vlera të ulëta të paguhet komision sa gjysma e vlerës së biletës? Kjo do të thotë faktikisht, jo lehtësim shërbimi, por rritje çmimi. Ndërkohë që, qeveria në kushtet aktuale, dhe pse këtu nuk flasim për thjeshtë situatën aktuale, por në situatën aktuale qeveria subvencionon mbi 5 milionë euro, që çmimi i biletës të mos rritet për ata që marrin autobusin, qoftë brenda qytetit qoftë jashtë qytetit si rezultat i rritjes së çmimit të naftës. Tani si mundet neve t’ju themi atyre që “do ta merrni online shërbimin dhe do paguani komision”? Çfarë është kjo?

Janë bërë diskutime teknike pafundësisht dhe nuk kanë dalë në rezultat sepse këtu nuk është çështje teknike, këtu është çështje vullneti dhe këtu është çështje inercie dhe është çështje rehatie, gjë që është krejt normale. Ne e kemi pasur të njëjtin problem, e kam thënë disa herë këtë shembull, po e përsëris edhe përpara jush. Qeveria e Shqipërisë, kabineti qeveritar, Këshilli i Ministrave e kishte gati të gjithë sistemin për të hequr letrat dhe për të rindërtuar të gjithë procesin e vendimmarrjeve dhe të daljes së akteve nënligjore apo drafteve të projekteve të ligjeve në rrugë digjitale dhe vazhdonte prodhonte akte letre dhe i gjithë procesi i edukimit, sensibilizimit, i nxitjes, i lutjeve në tryezën e qeverisë me ministrat nuk dha rezultat deri ditën kur u ndërpre me thikë sistemi i letrave dhe u tha që në këtë godinë nuk pranohen të hyjnë më letra që vijnë nga ministritë e tjera dhe rezultati? Një javë, vetëm një javë u desh që gjithçka të funksiononte normalisht, pa letra.

Kjo është dhe arsyeja e ndërprerjes drastike së gjithë aktivitetit të sporteleve në një ditë. Sigurisht pas disa kohësh kur jemi përpjekur të sensibilizojmë, të nxisim dhe ndërkohë që gjendja civile ka disa vite që certifikatën, të famshmen certifikatë për të cilën këtu janë bërë edhe protesta, janë rrezikuar edhe procese zgjedhore, ta lëvrojë online dhe çdo qytetar ta marrë certifikatën jo vetëm pa dalë fare nga shtëpia por edhe pa lëvizur nga vendi por thjesht me smartphone e vet dhe Shqipëria vazhdonte prodhonte certifikata në letër. Sigurisht nga 7 a 8 , a 10 milionë  në vit, s’më kujtohet , por prapë kishin vajtur 1.5 milionë, 1.5 milionë certifikata vijonin jepeshin. U detyruam të nisim grupet për të marrë letrat mbrapsht, bllokuam prodhimin e letrave për certifikata se janë edhe letra me vlerë dhe shkuam ju morëm letrat nga duart, u morëm dhe printerët dhe shpresojmë të ketë mbaruar dhe ky operacion se mos dalë ndonjë printer pastaj te Stopi a te Fiksi, që ka mbetur akoma që vazhdon operon. Faktikisht shërbimi vazhdon, kështu që ngarkime, shkarkime mandatesh, urdhërash, pagesa nëpër copa letrash, kur të gjitha këto mund të bëhen përmes platformës e-albania janë absolutisht të papranueshme më dhe kështu rritet vlerësimi për Shqipërinë, por sigurisht që ulen kostot.

Tani unë e di që bankat për fitimin, nuk njohin nënë e babë, se për atë punë janë krijuar, të mos njohin nënë e babë po jo deri këtu tani. Kam parë raportet e diskutimet të bëra mes nesh dhe jush dhe kundërshtime dhe kontestime pa lidhje fare për të përmirësuar teknologjinë tuaj. Bankat e nivelit te dytë, natyrisht ky nuk është një takim ku unë mbaj një fjalim dhe ta mbyllim me kaq, juve do thoni pjesën tuaj sigurisht, por unë do them ato që besoj na takojnë ne të themi. Këtu jemi bashkë me ministren e Financave, me Guvernatorin, me drejtoren e AKSHI-t dhe për të gjitha gjërat do diskutojmë por bankat e nivelit të dytë kanë kostot 5 deri në 20 % për çdo pagesë të kryer në sportel apo në e-banking. Dhe është e pamundur për ne të përballojmë gjithë këtë fluks në rritje të ankesave të qytetarëve që thonë: ”po mirë ça vlere ka që ne marrim shërbimet me shpejtësi nga e-Albania dhe pastaj duhet të shkojmë të harxhojmë 2 orë, 3 orë në radhë në bankë për të paguar 5 mijë lekëshin?”

Plus mjafton vetëm kjo, por çdo pagesë që bën qytetari apo biznesi për një shërbim online që e merr nga qeveria menjëherë, banka e rikonsilon ditën e nesërme. Pra ti mund ta kesh afatin sot për të bërë një aplikim në shtet, e bën tek e-Albania, e bën nga shtëpia, e bën nga telefoni dhe të djeg pagesa e bankës, pavarësisht se ti mund të bësh edhe pagesën, duhet të presësh deri të nesërmen sepse institucionit i duhet një ditë dhe ky është rasti më i  mirë, sepse ka ankesa, sidomos për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës ku është edhe fluksi më i madh, kur konfirmimi nga banka vjen me disa ditë vonesë.

Ça është kjo? Ku jetojmë? Në cilën kohë? Në shekullin e XX jemi akoma? Jemi në shekullin XXI. E nëse për pjesën e interesit tuaj, ju jeni në shekullin e XXI për hir të së vërtetës dhe nëse sistemi bankar i Republikës së Shqipërisë ka qenë një nga pionieret e zhvillimit të transformimit, në këtë aspekt juve jeni si fermerët, njësoj, por me ndryshimin që ju jeni banka dhe fermerët janë punëtorë të tokës. Fermerët nuk kanë domate vizuale apo bishtaja virtuale për të shitur. I kanë fizike dhe duhet t’i sjellin fizikisht se ndryshe nuk janë ushqim.

Tani, kjo qe fola për transportin është shembulli më kuptimplotë dhe më urgjent sepse nuk ndodh që ne të pranojmë tu rritet çmimi i biletës qytetarëve për shkakun tuaj. Kjo nuk ndodh.

Ashtu sikundër nuk ndodh që gjithë ky revolucion të ndalojë dhe t’ju presë juve. Juve duhet te bashkoheni me revolucionin digjital dhe duhet të bëheni shembull i përfitimeve nga ky revolucion duke bërë secili pjesën e vete.

Është shokuese për mua që panorama e sotme e nivelit të teknologjisë së bankave, është kjo që është. Është shokuese.

Ne e kemi kursyer me llogari, me laps në dorë, qytetarëve, nga këto transformime 7.1 milionë euro lekë, 50 lekë këtu, 100 lek atje, nxirr nga xhepi, për të marrë një copë letër, për të marrë një certifikatë, për të marrë një autorizim e për të marrë një vërtetim.

Çfarë ishin deri dje, certifikata 200 lekë, vërtetimi, dëshmia e penalitetit që të dëshmosh dhe të vërtetosh që ti nuk ke kryer vepra penale duhet të paguaje 420 lekë, apo për mjetin 2000 lekë.

Të gjitha këto janë sot të eliminuara dhe është momenti që tani, bashkërisht, – dhe çka kemi diskutuar me guvernatorin paraprakisht besoj do ta thotë, – është ngritja e një grupi pune që ka filluar punën mes nesh dhe Bankës së Shqipërisë, jeni të mirëpritur që t’i bashkoheni këtij grupi pune me përfaqësues të shoqatës suaj, cilido qoftë do jetë, por patjetër duhet të jetë një përfaqësues që nuk është një figurë anti-teknologjike, por dikush që është pjesë e këtij mentaliteti për të cilin po flasim dhe duhet që të thjeshtojmë procedura, të reduktojmë dokumente shoqëruese dhe të bëjmë maksimumin që jeta e qytetarëve dhe bizneseve në marrëdhënie me bankat të lehtësohet maksimalisht. Pastaj do mbetet vetëm ai stresi që kur ulen përballë jush do kërkojnë kredi, aty është, thonë se unë nuk e kam bërë ndonjëherë, thonë që janë njësoj si dhimbjet e lindjes në maternitet. Këtë pjesë e keni ju, nuk ju hyjmë ne dhe ky është pushteti juaj mbi popullin.

Ne çfarë kemi mësuar nga ky proces?

Kemi mësuar që gjithë ato dokumente që ishin vënë si detyrime për qytetarët dhe bënin që qytetarët të shkonin nga një sportel në tjetrin që të bënin një dosje për të marrë në fund një copë letër, nuk ishin të nevojshëm dhe heqja e një pjese të madhe të tyre nuk solli ndonjë problem për Shqipërinë, përkundrazi.

Një i moshuar, për shembull, për të aplikuar për një pension pleqërie, duhet të mblidhte 14 dokumente, kishte të bënte me 14 palë institucione, me 14 sportele, me 14 radhë, me 14 fytyra të ndryshme që do i dilnin përballë dhe me 14 surpriza potenciale dhe llogaria e bërë ishte që, për t’i mbledhur këto 14 dokumente, i duheshin mesatarisht një vit për të marrë pensionin e pleqërisë, dhe kjo ka vazhduar për 20 e kusur vjet, 30 vjet. Ne i hoqëm këto dokumente dhe lamë vetëm 3,  që janë themelore, dhe këto të treja sot nuk i duhet fare të shkojë personi, personit thjesht bën aplikimin dhe merr pensionin.

Nuk na figuron që na ka ndodhur ndonjë gjë apo që ka ngecur puna, është penguar shteti apo ndonjë hata tjetër, fare. Asgjë nuk ka ndodhur dhe si ky rast kemi vepruar në të gjitha rastet, duke shkurtuar e duke shkurtuar.

Është koha që dhe ju të shikoni shkurtimin e shumë dokumenteve, procedurave e historive që kanë të bëjnë me shërbimet e thjeshta, flas. Kohën e torturës për të dhënë kredi pastaj është diskrecioni juaj, nuk e kemi ne këtë pjesë.

Këto ishin pak a shumë fjalët e mia. Më vjen keq që nuk kam sot asnjë fjalë të mirë për të thënë për bankat, përkundrazi,  kam vetëm fjalë të këqija për këtë pjesë, që ka të bëjë me teknologjinë, sepse pjesa tjetër është e qartë që sistemi ynë bankar meriton respekt dhe garanton stabilitet, garanton të gjitha kursimet e njerëzve, garanton shërbime të nivelit të lartë, me thënë të drejtën.

Të mos flasim për këtë sepse këto i bënit dhe në shekullin XX, i bëni dhe në shekullin XXI dhe këto do jenë kështu edhe në shekullin XXII. Ne flasim për këto çështje që është çështja e shekullit ku jetojmë dhe ku detyrohemi t’iu ftojmë të vini në këtë shekull, sot.

Dua t’iu them në fund fare që ne nuk do ndalemi këtu, në anën tonë. Çfarë po bëjmë sot është? Po punojmë për një sistem të inteligjencës artificiale në dhënien e shërbimeve që do të rezultojë dhe ambicia është që kjo të bëhet realitet brenda dy viteve, do rezultojë në një shërbim siç është SIRI, ku çdo qytetar do ndihmohet me zë deri sa të mbarojë punë.

Është një inovacion i madh, por nuk është diçka që na tremb, jemi shumë të qartë se si bëhet falë AKSHI-t, falë drejtores së AKSH-it, falë gjithë skuadrës së AKSHI-it, që është një skuadër absolutisht e nivelit më të lartë sepse pa AKSHI-n dhe pa punën e stafit të AKSHI-t ne nuk do kishim bërë dot këto përparime shumë të mëdha.

Ndaj, iu garantoj që AKSHI-n, jo vetëm e keni në dispozicion, por duhet ta përdorni për këtë qëllim pa asnjë ngurrim. Për më tepër, përsëri do fitoni ju se do merrni nga AKSHI një konsulencë dhe nuk do paguani, se këtu është prapë me fitim do dilni në këtë aspekt.

AKSHI do ta bëjë këtë konsulencë pa kërkuar që ju të paguani, por duhet ta ndajmë këtë punë sot dhe kjo nuk është një çështje që duhet ta shohim bashkërisht për 10 vitet që vijnë, por është çështje që brenda pak muajsh duhet të marrë drejtim dhe duhet tua përcjellim qytetarëve që kanë një akses komplet tjetër dhe komplet të lehtësuar në bankat e nivelit të dytë.

Shumë faleminderit nga ana ime!

Po ia kaloj fjalën Guvernatorit dhe pastaj sigurisht jemi këtu për t’iu dëgjuar juve për të gjithë rezervat që mund të keni për këtë proces. 

* * *

Kryeministri Edi Rama: Diçka më shumë për ta pasuruar diskutimin, ne sot jemi vendi më kesh në Evropë. Kjo është një e dhënë që duhet të na fokusojë qoftë te pse-të, qoftë te si-të. Natyrisht ne kemi një problem të trashëguar qysh nga dita e parë e hyrjes në sistemin e ekonomisë së tregut dhe të hapjes së vendit që është informaliteti i madh i parasë. Në një vend ku për 50 vjet, dy ishin gjërat që u goditën më fort në aspektin ekonomik: kredia si koncept dhe taksat.

Një pjesë e madhe e popullsisë së rritur i ka të rrënjosura ende sot e gjithë ditën si pengesë për të kuptuar sistemin e ri, këto dy pika. Prandaj dhe marrëdhënia me bankat, është një marrëdhënie jo e natyrshme e të gjithëve dhe prandaj dhe pagimi i taksave është një problem ekstra te të gjithë.

Ne na duhet të ecim përpara me amnistinë fiskale, e cila ka mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, e cila sigurisht duhet strukturuar me shumë profesionalizëm me çdo detaj, në mënyrë që të garantohet i gjithë ekuilibri i domosdoshëm që duhet mbajtur mes nevojës për këtë proces në një vend ku kurrë nuk ka pasur një moment të formalizimit të parasë dhe patjetër dhe të nevojës së madhe për të mos lejuar që amnistia të përdoret si shteg, si rrugë për kriminelë e për të korruptuar.

Nga ana tjetër, përtej kësaj, ne na duhet të vazhdojmë me shpejtësi transformimin sistemik dhe ta shfrytëzojmë maksimalisht teknologjinë sepse teknologjia është bekimi i vendeve si vendi ynë, të cilat në kushte të tjera, do ishte dashur nuk e di se sa dekada, për të bërë atë që në këto kushte mund ta bëjmë për 2, 3, 4 vjet falë teknologjisë. Nuk jemi më në kushtet kur doli makina e shtypit e para, pastaj mbas pesë vjetësh doli e dyta, pastaj mbas pesë vjetësh të tjera doli e treta dhe teknologjia zhvillohej në mënyrë lineare. Jemi në kushtet kur zhvillimi është eksponencial dhe kjo gjë është bekim për ne dhe ne duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë gjë sepse kjo ne na zgjidh shumë nga problemet që përndryshe do të kërkonin edhe një gjysmë shekulli tjetër.

Shembulli që kam për të sjellë këtu, akoma sot ne jemi në një situatë të turpshme me pensionet, me dhënien e pensioneve, me marrjen e pensioneve, ndërkohë që teknologjia na jep mundësinë që ta kapërcejmë këtë situatë dhe ne po punojmë për ta kapërcyer këtë situatë. Po çfarë do të thotë kjo?!

Kjo do të thotë përfshirja e një numri shumë të madh njerëzish në një sistem ndërveprimi ku patjetër bankat janë një nga pikat e palëvizshme të sistemit. Sot e gjithë ditën ne kemi probleme dramatike në dhënien dhe marrjen e pensioneve. Njësia jonë antikorrupsion po heton disa raste dhe shumë shpejt, besoj do kemi rezultate për të çuar para drejtësisë strukturat brenda sistemit të dhënies së pensioneve apo të postës, të cilat operojnë në mënyrë kriminale dhe kapërcimi nga ky nivel në një nivel transparence dhe shpejtësie është i mundur vetëm nëpërmjet teknologjisë dhe një gjë që na i jep teknologjia ne nuk mund ta refuzojmë dhe as të themi do ta shohim më vonë. Jo, do ta shohim tani dhe do ta bëjmë tani të gjithë së bashku, sipas sektorëve.

Mua më vjen mirë që dëgjoj fjalë shumë inkurajuese nga kryetari i shoqatës, por realiteti deri tani nuk ka qenë ky.

Ne kemi hasur rezistencë nga sistemi bankar për të ecur në këtë drejtim. Ky është fakti. Shumë rezistencë madje, për hir së të vërtetës. Uroj që të mos ta hasim më këtë rezistencë, por ky është fakt dhe nga të gjitha raportet që unë kam marrë nga AKSHI që është përpjekur me bankat, kam parë këtë rezistencë dhe prandaj ne menduam që ngritja e një grupi pune është gjëja e duhur, ulja në një tryezë të përbashkët me bankën qendrore dhe me ju është gjëja e duhur në mënyrë që të gjitha gjërat t’i konfrontojmë në tryezë dhe t’i zgjidhim dhe t’i kthejmë në orientime dhe në vendime në një tryezë, ku secili le ta thotë pse heziton ose pse është kundër ose pse kërkon më shumë kohë për gjëra që nuk ka nevojë as të hezitojmë, as të jemi kundër, as të kërkojmë më shumë kohë. 

* * *

Më pas, drejtuesit e bankave diskutuan lidhur me procesin e digjitalizimit të shërbimeve në bankat respektive dhe paraqitën disa prej problematikave me të cilat ndeshen gjatë punës së tyre.

Në përfundim të takimit, Kryeministri Rama u shpreh: “Ju falënderoj dhe unë nga ana ime për praninë, për disponibilitetin, gatishmërinë për kontributet me diskutimet. Ne do të presim rezultatin e punës së grupit teknik. Grupi teknik në fund duhet të na japë një kalendar, duhet të na japë afate për gjithë hapat që do hidhen dhe një afat përfundimtar se kur ne mund t’iu themi qytetarëve që “Nuk ka nevojë më të shkoni nëpër banka të mbani radhë për të bërë pagesa dhe natyrisht, shërbimet që merrni nga e-Albania janë pa bisht mbrapa, janë shërbime që i kërkoni dhe i merrni a ty dhe për ato pjesë shërbimesh që kanë edhe pagesë, pagesën e bëni aty”.

Kjo do jetë një gjë jashtëzakonisht pozitive dhe një frymëmarrje më shumë edhe për qytetarët, por edhe për bankat besoj do jetë e mirëseardhur.

Shumë faleminderit edhe njëherë dhe besoj se do shihemi së shpejti sepse kemi edhe disa tema të tjera për të diskutuar bashkërisht. Faleminderit! 

Previous Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën e XVIII-të të Kryetarëve të Parlamenteve të nismës Adriatiko-Joniane:

Leave Your Comment