Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Samitin e katërt të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Këshillit të Evropës, i cili zhvillohet në Reykjavik, Islandë.
Samiti është një mundësi historike për të riafirmuar angazhimin e përbashkët ndaj vlerave thelbësore të Këshillit të Evropës dhe për të rifokusuar misionin e tij në dritën e kërcënimeve të reja ndaj të drejtave të njeriut dhe demokracisë dhe për të mbështetur më tej Ukrainën për të ndihmuar në arritjen e drejtësisë për viktimat e agresionit rus. Ai gjithashtu do të nxisë iniciativat për sfidat e reja ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Në ditën e parë të Samitit, Kryeministri Rama ishte bashkëkryesues i Tryezës së rrumbullakët me temë “Përballja me sfidat e reja dhe në zhvillim të të drejtave të njeriut – e ardhmja është këtu”, së bashku me Presidentin e Letonisë Egils Levits.
Ndërsa sot, Kryeministri Rama iu adresua Samitit me një fjalë:
Kërkoj ndjesë paraprakisht sepse më duhet të bëj një rrëfim jo fort të këndshëm. Si shqiptar është e pamundur për mua të shmang heqjen e paraleleve midis Ukrainës e Presidentit Zelensky dhe Kosovës e presidentit Thaçi.
Sot në këtë samit të Këshillit të Europës nuk rri dot pa kujtuar se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit të saj Hashim Thaçit, nisi saktësisht në Këshillin e Europës nën ndikimin dashakeq të ish-anëtarit të asaj kohe të këtij këshilli, Federatës Ruse. Presidenti i Kosovës ose si dikush i quajtur Joe Biden iu referua si George Uashingtoni i Kosovës, gjykohet tanimë nga një gjykatë e veçantë e ngritur dhe e themeluar nga bota demokratike, por e mbështetur në një raport të 2011 të Këshillit të Europës i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga përfaqësuesit e partisë së Vladimir Putinit në asamblenë e Këshillit të Europës.
Akuza tërësisht të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore u ngritën atëherë si pikënisja e një fushate kriminale njollosjeje të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe kur dëgjova propagandën e Kremlinit të flasë për trafikimin e organeve njerëzore nga neo-nazistët në Donbas, mu duk sikur pashë presidentin Zelensky 10 vjet më vonë gjykuar nga një gjykatë e veçantë ngritur mbi të njëjtat akuza absurde.
Ndjesë për këtë çelje brutalisht jo konvencionale që mund t’ju duket sikur thyen në copa atë piano ku në mënyrë të mrekullueshme u luajt kënga “Ave Maria” nga mikpritësit tanë, por është tejet shkurajuese të dish që situata shqetësuese ku përfshihet presidenti Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës e pati zanafillën brenda Këshillit të Europës.
Do të isha fajtor po të mbetesha i heshtur e të mos flisja sot këtu e të thoja sa vijon, se asambleja e Këshillit të Europës ka detyrimin moral të korrigjojë çdo gabim dhe në këtë rast duhet t’i hapë rrugën tërheqjes mbrapshtë raportit që në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë për trafikimin e dyshuar të organeve lehtësuar nga UÇK. Të refuzosh të përballesh me të vërtetën sot do të ishte më keq sesa të bëhej ky gabim i rëndë 12 vjet më parë kur shumë votuan mes sy mbyllur atë raport të turpshëm në mirëbesim.
Sigurisht sot situata ka ndryshuar. Rusia nuk është më një anëtare e këtij Këshilli edhe pse numri i rusëve që vazhdojnë të punojnë për Këshillin e Europës është mjaft mbresëlënës dhe falë Zotit uniteti i bashkësisë demokratikë të Këshillit në mbështetje të luftës çlirimtare të Ukrainës dhe presidenti Zelensky është i jashtëzakonshëm.
Shqipëria kurrë nuk ka pasur iluzione për natyrën e regjimit të Moskës dhe marrëdhënia jonë me Moskën ka qenë joekzisutese qysh prej vdekjes se Josif Visarionoviç Stalin. Mos më kërkoni të shpjegoj si e pse, se do më duhej më shumë kohë se ç’iu desh udhëtimit tonë për në Islandë.
Qysh prej fillimit të luftës popullariteti i Vladimir Putinin është luhatur në Shqipëri nga 0.7 % në 1.2%. Shqipëria është mjaft e vogël për të ndikuar fatet e një lufte kaq vendimtare për të ardhmen e Europës dhe të botës, por çdo gjë të vogël që kemi bërë për Ukrainën e kemi bërë me mirënjohjen më të thellë ndaj qëndresës ukrainase. Kjo është arsyeja pse gjëja më e bukur që ne shqiptarët do të marrin nga ky samit, kaq i mire organizuar nga mikpritësit tanë islandezë.
Faleminderit Katrinë, faleminderit Islandë për atë që çka bëtë në mënyrë kaq të vendosur dhe kurajoze duke shkundur statusquo-në e duke e përshirë Kosovën më së fundi në këtë komunitet të madh, pra është bindja e të të gjithëve këtu e shprehur në mënyrë kaq elokuente nga disa kolegë.
Nuk është presidenti Zelensky që duhet të na falenderojë, por ne që duhet të falënderojmë Ukrainën për të atë që po bën për të gjithë ne e për Europën tonë të dashur .
Ju falënderoj të gjithëve dhe do të nënshkruaj me shumë kënaqësi marrëveshjen për regjistrimin e dëmeve para se të largohem nga ky vend i hirshëm.
Zoti e bekoftë Europën e gjithashtu Zoti e shpëtoftë Ukrainën!