Në një atmosferë të ngrohtë, mes miqsh, artistë, pedagogë, studentë, me praninë e kryeministrit Edi Rama u dha shfaqja e parë në Sallën e rinovuar të Universiteti i Arteve, Tirane
U desh të kalonin shumë dekada deri në rikonstruksionin total të Sallës së Koncerteve në Universitetin e Arteve. Ndër vite është tentuar të bëhen rregullime aty-këtu, por kanë qenë thjesht arna në sallën monumentale të ndërtuar nga italianët në vitin 1942.
Rikonstruksioni i Sallës së Akademisë së Arteve ishte shprehje e vullnetit të Qeverisë Shqiptare për t’iu përgjigjur kërkesave të vazhdueshme të artistëve dhe studentëve; një fjalë e mbajtur në Paktin për Universitetin.
Një investim i munguar, i mundësuar me miq të mirë, në bashkëpunim me TAP.
Një investim prej 3,7 milionë eurosh, prej të cilave TAP ka financuar 1,7 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër, 2 milionë euro është financim nga Qeveria Shqiptare.
Ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë, pasi duhej gjetur formula e duhur për të integruar teknologjinë më të fundit në një godinë monument kulture. Për këtë na kanë asistuar profesorët e Universitetit të Arkitekturës në Firence, mjeshtër në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Nga ana tjetër, ka qenë një punë e gjatë kërkuese në arkiva shqiptarë e italianë për të gjetur çdo informacion që mund të na shërbente për ruajtjen e autenticitetit të godinës.
Dhe sot kemi një sallë- trashëgimi kulturore, që flet me teknologjinë e kohës, funksionale dhe e denjë për artistët e skenës dhe publikun.
Pas gati 3 vitesh punë, në datën 20 tetor 2023 u rihap kjo sallë me një mbrëmje miqsh, që ndanë kujtime dhe emocione lidhur me këtë skenë. Aktorë, muzikantë, ish-studentë e ish-pedagogë: Timo Flloko, Margarita Kristidhi, Kastriot Çaushi, Merita Rexha, Fatos Qerimi, Luiza Xhuvani, Vikena Kamenica, Kastriot Tusha, Enada Hoxha dhe Gerd Vaso u ringjitën edhe një herë në skenë.