Rijetëzimi i kullave në veri, Gonxhja: Ruajmë trashëgiminë dhe fuqizojmë turizmin kulturor
Një program i ri për dokumentimin, restaurimin dhe vënien në funksion të kullave tradicionale ka nisur në katër qarqe të veriut të vendit, me synim përfshirjen e tyre në rrjetin e turizmit kulturor dhe nxitjen e zhvillimit lokal. Nisma, e cila do të zbatohet në Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës, parashikon transformimin e kullave në bujtina, qendra interpretimi, muze lokalë apo hapësira për artizanat dhe veprimtari kulturore.
Programi i Rijetëzimit të Kullave përfaqëson një model të ri të menaxhimit të trashëgimisë kulturore, duke kombinuar ruajtjen me përdorimin e qëndrueshëm dhe duke krijuar mundësi për turizëm, punësim dhe forcim të identitetit lokal.
Faza e parë e programit, gjatë viteve 2025-2026, do të fokusohet në inventarizimin dhe vlerësimin e kullave që do të përzgjidhen për ndërhyrje. Ndërsa faza e dytë, në periudhën 2026-2028, përfshin restaurimin dhe riaktivizimin e tyre në funksione të reja, si dhe integrimin në itinerare turistike në bashkëpunim me operatorë lokalë dhe bizneset e ekonomisë krijuese.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, theksoi se objektivi është që kullat të bëhen pjesë aktive e jetës së komuniteteve: “Synimi është që kullat të mos mbeten vetëm monumente të izoluara, por të shndërrohen në qendra funksionale që ndikojnë në jetën shoqërore dhe ekonomike të komuniteteve ku ndodhen.”
Nisma vjen në një periudhë rritjeje të ndjeshme të interesit për turizmin kulturor. “Krahasuar me periudhën janar-shtator 2024, vizitat në sitet e trashëgimisë kulturore janë rritur me 13% gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2025; numri i vizitorëve është rritur nga 1,092,598 në 1,259,774 vizitorë. Në raport me vitin 2023 rritja është 36%, ndërsa në raport me 2022 rritja arrin në 55%. Po ashtu, numri i projekteve të restaurimit dhe konservimit është rritur me 309% dhe investimet në monumente me 363%,” bëri të ditur Gonxhja.
Programi përfshin edhe mbështetje për artizanët vendas. Deri tani, 43 artizanë kanë përfituar nga thirrjet për zhvillimin e produkteve autentike, që do të lidhen me itineraret e turizmit malor dhe rrjetin e kullave, me synimin që çdo produkt të reflektojë historinë dhe identitetin lokal.
Zbatimi i programit po zhvillohet në partneritet mes MTKS-së, GIZ Shqipëri dhe fondacioneve kulturore, ndërsa synohet zgjerimi i bashkëpunimit me bashkitë, operatorët turistikë dhe komunitetin lokal.
Rijetëzimi i kullave është pjesë e një strategjie më të gjerë për zgjerimin e sezonit turistik dhe zhvillimin e destinacioneve malore si vende të vizitueshme gjatë gjithë vitit. Programi synon krijimin e një rrjeti të integruar përvojash kulturore, natyrore dhe kulinare, duke rritur mundësitë për punësim dhe zhvillim ekonomik në veri të vendit.