Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Bashkinë Tepelenë ka nisur një projekt ambicioz për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Avni Rustemi”.
Ministrja Ogerta Manastirliu ishte në Tepelenë për të parë nga afër ecurinë e këtij projekti bashkë me deputeten e qarkut Gjirokastër, Ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro.
“Në Tepelenë me stafin e shkollës “Avni Rustemi”, një shkollë 9-vjeçare e cila ka një kapacitet për të arsimuar rreth 250 nxënës çdo vit dhe që kemi nevojë që ta sjellim në kushte shumë të mira bashkëkohore, për të siguruar standardet më të mira të infrastrukturës por gjithashtu edhe për ta pasuruar me laboratorët e shkencave me SMARTlab-in”, tha Ministrja Manastirliu.
Projekti i rikonstruksionit përfshin një rinovim të plotë të objektit, duke përfshirë 14 klasa mësimore, tre laboratorë, një bibliotekë dhe ndërtimin e një palestre të re.
Përveç kësaj, shkolla “Avni Rustemi” do të shërbejë edhe si Qendër Komunitare, duke luajtur një rol kyç në zbatimin e projekteve të ndryshme në bashkëpunim me komunitetin lokal.
“Ne duam që t’i çelim dyert e shkollës së rikonstruktuar me vitin e ri shkollor, dhe do të bëjmë të pamundurën që t’i përgjigjemi komunitetit me mbi 50 shkolla, të cilat do të rehabilitohen, dhe me terrene sportive dhe palestra për t’i kthyer të gjitha shkollat në qytet apo në fshat në një standard, i cili është standardi më i mirë bashkëkohor për të ofruar një shërbim sa më të mirë arsimore për t’i ofruar ju mësuesve kushte sa më të mira punë dhe sigurisht edhe nxënësve mjedise sa më të përshtatshme me të gjitha ato që i duhen një shkollë duke filluar nga ngrohja, me ambientet që lidhen me laboratorët në shkollë dhe gjithashtu edhe me terrenet sportive, ambientet rekreative dhe për t’i bërë shkollat tona mjedise dhe qendra komunitare.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ky investim në shkollën “Avni Rustemi” është pjesë e një plani më të gjerë për rikonstruksionin e objekteve arsimore dhe sportive në Qarkun e Gjirokastër. Në këtë vit, përmes programit të rehabilitimit të shkollave dhe terreneve sportive të #MAS, pushtetit vendor dhe së bashku me Programin e Rindërtimit, përfundojmë ndërtimin dhe rehabilitimin e 100 objekteve arsimore në të gjithë vendin.