”Rilindja 2.0”, Ministri Demo: Investime për modernizimin e shërbimeve dhe infrastrukturës vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, prezantoi prioritetet e programit “Rilindja 2.0”, duke bërë të ditur një paketë investimesh për forcimin e kapaciteteve të pushtetit vendor, me fokus menaxhimin e mbetjeve, transportin e gjelbër, ujësjellësit dhe infrastrukturën bujqësore.

Gjatë aktivitetit, ministri theksoi se deri në vitin 2030 parashikohen 150 milionë euro investime për menaxhimin e mbetjeve, me synim garantimin e mbulimit 100% të territorit me infrastrukturën e nevojshme. Sipas tij, rritja e flukseve turistike ka shtuar nevojën për një sistem modern dhe të qëndrueshëm të menaxhimit të mbetjeve, ndërsa realizimi i këtij objektivi kërkon bashkëpunim të ngushtë me të gjitha bashkitë.

Një tjetër prioritet i programit është zhvillimi i transportit të gjelbër. Ministri Demo bëri të ditur se janë alokuar 13 milionë euro për krijimin e një programi të ri që synon përmirësimin e transportit urban dhe ndërurban, veçanërisht në bashkitë me flukse të larta turistike. Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të mbështesë financiarisht zbatimin e programit, ndërsa administrimi i shërbimit do të jetë në përgjegjësinë e bashkive, të cilat do të kenë mundësi të krijojnë kompani për ofrimin e transportit sipas standardeve moderne dhe miqësore me mjedisin.

Ministri u ndal gjithashtu te investimet në sektorin e ujësjellësve dhe trajtimit të ujërave të ndotura, duke vlerësuar se aktualisht janë në zbatim projekte me vlerë mbi 100 milionë euro, ndërsa deri në vitin 2030 do të nevojiten investime të mëtejshme për të siguruar një zgjidhje afatgjatë.

Sa i përket forcimit të kapaciteteve logjistike të bashkive, ai nënvizoi se kanë nisur procedurat për një fond prej 20 milionë eurosh, të siguruar me mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe. Sipas tij, financimi do të mundësojë pajisjen e bashkive me mjete moderne për mirëmbajtjen e infrastrukturës rurale dhe bujqësore, si edhe për përballimin e situatave emergjente.

Pjesë e paketës së investimeve është edhe infrastruktura bujqësore, për të cilën, sipas ministrit Demo, janë përgatitur projekte me vlerë 94 milionë euro, ndërsa nevojat e territorit kërkojnë mbështetje edhe më të madhe financiare.