Rilindja Urbane 2.0, ministri Demo: Politika e strehimit në funksion të zhvillimit ekonomik lokal

Politika e strehimit do të jetë një nga shtyllat kryesore të Rilindjes Urbane 2.0, me synim krijimin e qyteteve më të jetueshme dhe të aksesueshme, si dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik lokal.

Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, gjatë prezantimit të Programit Kombëtar të Strehimit, deklaroi se faza e re e zhvillimit të qyteteve nuk do të fokusohet vetëm në transformimin e hapësirave publike dhe infrastrukturës, por edhe në cilësinë e jetesës, ekonominë lokale dhe krijimin e mundësive për qytetarët që zgjedhin të ndërtojnë jetën e tyre në qytete të ndryshme të vendit.

Sipas ministrit, politika e strehimit synon gjithashtu të krijojë kushtet për të mbajtur çiftet e reja dhe profesionistët e rinj në territor, duke e lidhur strehimin me zhvillimin ekonomik dhe demografik të bashkive.

Në lidhje me programin e vitit 2026, ministri bëri të ditur se janë përzgjedhur projektet fituese, nga të cilat do të përfitojnë rreth 700 familje, ndërsa bashkitë bashkëfinancojnë 35% të programit. Programi do të vijojë edhe në vitin 2027, me një shtrirje më të madhe, ndaj ai u bëri thirrje bashkive të punojnë për identifikimin e familjeve në nevojë dhe përgatitjen në kohë të aplikimeve.

Ministri u ndal edhe te kontributi prej 3% që gjenerohet nga zhvillimi i territorit, duke theksuar se ai do të trajtohet si pjesë e një politike kombëtare për adresimin e nevojave për strehim. Sipas tij, koordinimi në nivel kombëtar do të mundësojë që edhe bashkitë me më pak ndërtime të reja dhe të ardhura më të ulëta nga ky kontribut të përfitojnë mbështetje.