Rindërtimi Manzë, 230 apartamente të reja çelin dyert për banorët që humbën shtëpitë nga tërmeti - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Rindërtimi Manzë, 230 apartamente të reja çelin dyert për banorët që humbën shtëpitë nga tërmeti

Programi i Rindërtimit, i cili vijon pa ndërprerje në zonat e prekura nga tërmeti i dy viteve më parë, mundësoi çeljen e dyerve të 230 apartamenteve të reja për banorët që humbën shtëpinë e tyre, në Manzë, Durrës.
Edhe pse një nga zonat që pësoi humbje të rënda nga tërmeti, Manza sot gëzon një lagje të re, të përbërë nga 9 blloqe banimi me apartamente moderne të tre tipologjive të ndryshme.
Rindërtimi në Zonën e Re për Zhvillim, në këtë njësi administrative, ka sjellë modelin e një lagje të re më të mirë më të bukur dhe standarde më të larta, e cila është konceptuar njësoj si lagjet e reja, në Laç e Thumanë. Gjithashtu, në të njëjtin truall po rindërtohen edhe banesat individuale sipas standardeve bashkëkohore dhe atyre europiane.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Manzë për të ndarë me banorët gëzimin e hyrjes në shtëpitë e reja. Kryeministri theksoi se me gjithë vitet e vështira të kaluara së fundmi për shkak të tërmetit, pandemisë dhe aktualisht krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë, qeveria po ia del të përballojë me sukses situatën dhe të ecë përpara.
Në vijim, Kryeministri vizitoi disa nga apartamentet e reja. “Faleminderit qeverisë, faleminderit juve, faleminderit edhe nga ana e familjes time, e fëmijëve, e gruas që kam në Itali. Na ke dhënë një shpresë, më shumë për fëmijët tanë që të kthehen në vendlindje”- u shpreh një nga banorët, emigrant në Itali.
Procesi rindërtimi ka ndërhyrë edhe në infrastrukturën urbane të zonës, duke ndërtuar një rrjet të ri rrugor dhe duke sistemuar punime të përgjithshme në të gjithë njësinë administrative.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e inaugurimit të 230 apartamenteve të reja në Manzë, Durrës.

Mirë se ju gjetëm dhe t’i gëzoni shtëpitë, janë tuajat!
Janë tuajat si pronë e patundshme dhe janë tuajat si trashëgimi për fëmijët tuaj, falas!
Ky është një nga ato momente kur njeriu që për shkak të detyrës duhet të përballet çdo ditë me gjithfarëlloj pengesash por edhe gjithfarëlloj sulmesh, baltërash, akuzash, shpifjesh, fabrikimesh, thotë hallall të gjitha sepse realisht ia vlen.
Ia vlen jashtëzakonisht shumë që duke bërë këtë detyrë t’u gjendesh pranë kaq shumë njerëzve, në një hall kaq të madh si halli i humbjes së shtëpive brenda pak sekondash nga një fatkeqësi aq e madhe natyrore.
Ia vlen që të jesh aty për kaq shumë njerëz dhe së bashku me të tjerë, të bësh të mundur që në një kohë relativisht kaq të shkurtër, gjithë këta njerëz, mijëra e mijëra familje të kthehen në shtëpi më të sigurta, në shtëpi më të bukura, në shtëpi që janë shumë më të mira se ato që humbën.
Ky është një hap i madh përpara që ne e kemi hedhur së bashku.
Unë ndihem krenar për punën që kemi bërë, por mbi të gjitha ndihem krenar për besimin tuaj. Besim që ju ia dhatë përsëri masivisht Anit, kryetares së bashkisë, e cila është një shembull i përkushtimit, i seriozitetit, i durimit dhe mbi të gjitha i të qëndruarit pranë njerëzve, e përulur, modeste dhe punëmbaruar.
Kjo lagje e re fantastike është një shembull kuptimplotë i asaj që ne mund të vazhdojmë të bëjmë së bashku me Anin dhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, që ka bërë pjesën e vet të punës, një punë që flet vetë, s’ka nevojë për komente.
Ndërkohë që siç edhe ju e dini, sikur të mos na mjaftonte gjithë ai tërmet, sikur të mos na dilte gjithë ai kusur i pandemisë që e pati gjithë bota, tani gjendemi në një tjetër situatë të vështirë për t’u kapërcyer si rezultat i një lufte që as e kemi nisur ne, as nuk e ndalojmë dot ne, por që në një ekonomi kaq shumë të ndërlidhur i ndikon të gjithë, na ndikon edhe ne, ndikon edhe vende që janë jashtë Europës, deri në Australi. Ndikon çmimet, për shkak se lufta është nisur nga një forcë agresive e cila përfaqëson një shtet të madh, që është një ndër burimet kryesore të furnizimit të Europës dhe mbarë botës me lëndë të para, duke filluar nga energjia, nafta, gazi dhe me radhë deri tek lëndët e para apo edhe inputet për bujqësinë.
Rusia bashkë me Ukrainën zënë peshën kryesore në këto furnizime dhe patjetër që kjo luftë ndikon drejtpërdrejtë pikërisht tek gjithë zinxhiri i furnizimit dhe si e tillë bën që pastaj ne të përballemi me rritje çmimesh, por edhe një herë tjetër, siç kemi bërë edhe më parë, siç bëmë dhe ju e mbani mend më mirë se gjithë të tjerët, se për të gjithë të tjerët ka qenë një ngjarje në televizor tërmeti, për ju ka qenë një ngjarje në kurrizin tuaj dhe s’keni për ta harruar asnjëherë tmerrin e asaj ngjarjeje, humbjen e shtëpisë sa hap e mbyll sytë, të ndodhurit në qiell të hapur me tmerrin se asgjë nuk mund më të rimëkëmbej dhe patjetër, ne jemi shumë krenarë që në kujtimin e gjithë rrjedhës së ngjarjes, ne u bëmë pjesë e saj. U gjendëm pranë jush me gjithçka mundëm dhe sot po i japim të gjithëve provën se kur themi se asnjëherë, askënd që është në një hall më të madh se të tjerët nuk do e lëmë vetëm, kjo nuk është një fjalë e bukur po është një fakt i mënyrës se si ne e shohim këtë detyrë dhe po njësoj edhe me këtë situatë të pazakontë, që në një farë mënyre është një tjetër goditje nga një fatkeqësi që në këtë rast nuk është shkaktuar nga natyra, por është shkaktuar nga njerëzit jashtë këtij vendi, që ndikohet prej kësaj fatkeqësie. Ne do të jemi deri në fund pranë atyre që janë më në nevojë në radhë të parë.
Ndërkohë kemi marrë një angazhim. E kemi marrë këtë angazhim para se të fillonte lufta, e kemi marrë këtë angazhim, kur as nuk na shkonte mendja se do të kishte luftë, e kemi marrë këtë angazhim kur sapo u shfaqën shenjat e para të krizës së furnizimit me energji elektrike dhe ne do t’i qëndrojmë këtij angazhimi që ne do të jemi pranë jush, do te jemi pranë çdo familjeje për ta kompensuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, në mënyrë që asnjë familje shqiptare të mos ndjejë goditjen nga kriza në faturën e energjisë elektrike.
Në faturën tuaj të energjisë elektrike të gjithë ju do të paguani aq sa keni paguar para se të fillonte kjo krizë e rëndë. Pjesën tjetër do ta paguajë shteti për të gjithë ju sepse nuk mund t’i faturojmë dot këtë goditje të krizës, buxheteve të familjeve tuaja. Nuk mund t’ia faturojmë dot këtë goditje të krizës pensionistëve, invalidëve, paraplegjikëve e tetraplegjikëve dhe familjeve me ndihmë ekonomike por edhe të gjithë atyre familjeve me të ardhura mesatare të cilat ndërkohë përballën me rritjen e kostos së produkteve në treg. Po ashtu do të mbështesim tre muaj rresht me një shumë ekstra për të kompensuar rritjen e çmimeve të produkteve bazë më shumë se gjysmë milioni njerëz.
Po ashtu do të vazhdojmë të mbështesim edhe më shumë sesa një vit më parë fermerët më naftë pa taksa.
Po ashtu do të mbështesim pensionistët duke indeksuar menjëherë pensionet dhe me radhë do të bëjmë çmos që edhe kjo situatë e vështirë të kalojë pa shumë dhembje.
Luftërat nuk vijnë për të sjellë të mira, nuk vijnë për të sjellë të ardhura më shumë, vijnë për të sjellë dhembje, vijnë për të sjellë plagë.
Lavdi Zotit nuk jemi në kushtet kur bombat i kemi mbi kokë, bombat bien gjetkë, viktimat dhe plagët e luftës janë gjetkë, por sidoqoftë lufta sjell këtu jehonën e saj përmes çmimeve. Ne do jemi këtu siç kemi qenë, deri në fund të vendosur, për të mos lënë vetëm askënd që është më shumë në vështirësi dhe për të bërë të mundur që edhe këtë vështirësi të madhe ta kapërcejmë së bashku.
Shumë pak nga ju ose ndoshta askush nuk ka besuar kur ju thoja që ne do i nxjerrim lekët nga dheu dhe do i bëjmë shtëpitë tuaja më të mira se ato që humbët.
Sot kjo është një tjetër lagje, në vazhdën e një pune që vazhdon, e cila provon se ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Sigurisht, ne nuk i kemi të gjitha ne dorë, nuk mund të planifikojmë dot ngjarjet, ngjarjet që ndodhin për një arsye apo një tjetër në rrugën tonë. Sigurisht që ne nuk mund dot t’i parashikojmë më përpikëria të gjitha afatet në kohë të të gjitha punëve që bëjmë, ka punë të cilat kërkojnë më shumë kohë sesa parashikojmë, ka punë që ndeshin pengesa, por ama një gjë është e sigurt dhe për këtë mos të ketë askush asnjë dyshim. Nëse unë them që do ta bëjmë këtë gjë, do ta bëjmë se s’bën, është vetëm çështje kohe por gjithçka që kemi marrë përsipër, ne do ta bëjmë, dhe siç kemi bërë këtë lagje që sot do të hapë dyert për ju, që te filloni të sistemoheni në banesat e reja, siç do vazhdojmë të bëjmë dhe lagjet e tjera, lagjen kryesore, më të madhen të rindërtimit ne Bashkinë e Durrësit, ajo e Spitallës, por edhe lagjet e tjera të mëdha në Tiranë, apo lagjen të cilën do ta vizitojmë nesër në Kavajë, ne do të vazhdojmë të bëjmë edhe të gjitha punët e tjera, për ta bërë këtë vend një vend përditë e më të mirë, hap pas hapi dhe pa harruar asnjëherë, që nëse shumëçka ne e kemi nisur vetëm pak vite më parë, do ishte nisur 25 vjet më parë, sot do ishim komplet në një situatë tjetër shumë më të mirë, por ky nuk është faji ynë. Detyrën e kemi marrë pak më shumë se 8 vjet më parë dhe i kemi nisur shumë gjëra nga e para. Mjafton t’ju sjell ne vëmendje reformën në drejtësi dhe përpjekjen për drejtësinë, kështu që çdo gjë që ka të bëjë me shtet ndërtimin kërkon kohën e vet.
Me durim, me mundim, me shumë pune dhe me bashkim, ne të jeni të sigurt, do t’ia dalim ta ngjisim Shqipërinë aty ku e meriton. Edhe pse për hir te së vërtetës, rrugën e kemi pasur jashtëzakonisht të vështirë për shkak të goditjeve që na kane ardhur nga larg, nga lart, nga jashtë. Tërmeti, pandemia, tani situata me çmimet, megjithatë siç nuk na gjunjëzoi as tërmeti, as pandemia, absolutisht nuk bëhet fjalë të na gjunjëzojë as kjo situatë, përkundrazi do vazhdojmë te ecim më kokëfortësi, me durim, me vullnet, me pune dhe do të kemi gjithmonë e më shumë momente si ky, kur gjyshet, gjyshërit, fëmijët e vegjël, prindërit, do marrin frymë të lehtësuar sepse do të arrijnë në një stacion të ri.
Sot për ju është një stacion i ri! Uroj shumë që jeta e re që do filloni në këtë lagje të jetë e gëzuar, të bashkuar dhe jo të ndarë.
Këtu me siguri ka socialistë, patjetër ka dhe demokratë, por lërjani sherrin të tjerëve. Ju këtu në radhë të parë jeni bashkëqytetarë dhe jeni pjesëtarë të të njëjtit komunitet të ri, që uroj me gjithë zemër të jetë një komunitet harmonik, t’i gjendeni njëri tjetrit në sa më shumë gëzime, por patjetër dhe në ditë të vështira.
Të keni shëndet, jetë të gjatë, sa më të gjatë për gjyshërit dhe gjyshet dhe sa më shumë lumturi për fëmijët tuaj!
Shumë faleminderit!

Previous Lufta kundër korrupsionit Ministri i Drejtësisë takon Presidentin e ANAC

Leave Your Comment