Ringrihet Bordi i Transparencës për çmimet e karburanteve
Qeveria vendosi ringritjen e Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve, me qëllim aktivizimin e mekanizmit për reduktimin e akcizës në rastet kur çmimi i karburanteve kalon nivelin 220 lekë për litër, në funksion të uljes së çmimit të karburanteve.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se vendimi u mor pasi çmimi i karburanteve prej më shumë se dy javësh qëndron në nivelin 222 lekë për litër.
Sipas ministres, një akt normativ i miratuar më herët parashikon aktivizimin e mekanizmit për reduktimin e akcizës sa herë që çmimi kalon 220 lekë për litër, ndërsa ringritja e Bordit mundëson zbatimin e këtij mekanizmi.
Bordi do të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme tregun e hidrokarbureve dhe marzhet e çmimeve, në zbatim të legjislacionit përkatës.
Ministrja Ibrahimaj sqaroi se nuk është përcaktuar një afat për funksionimin e Bordit, i cili do të qëndrojë aktiv për aq kohë sa vlerësohet i nevojshëm në bazë të ecurisë së tregut. Ajo theksoi se, në rast të stabilizimit të çmimeve në një nivel të qëndrueshëm, nevoja për mekanizma shtesë monitorimi do të rivlerësohet, në përputhje edhe me diskutimet e zhvilluara me Fondin Monetar Ndërkombëtar.