Rinia 2030 – Mirëqenia aktive e të rinjve: Siguria dhe përfshirja në diversitetin e të rinjve - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Rinia 2030 – Mirëqenia aktive e të rinjve: Siguria dhe përfshirja në diversitetin e të rinjve

Fjala e ministrit të Brendshëm Taulant Balla në Konferencën “Rinia 2030”:

Më vjen mirë që vizioni ynë Shqipëria 2030 zë një vend diskutimi edhe në aspektin më të rëndësishëm siç është një debat i madh publik sesi duam ta shohim ne rininë shqiptare në 2030 dhe është po aq e mirëpritur nga ana ime dhe një diskutim jo vetëm këtu po kudo me të gjithë se çfarë mund të bëjmë ne më mirë për të garantuar më shumë siguri jo vetëm në shkolla, por më shumë se kaq në një nivel më të gjerë që është në aspekt të sigurisë publike në të gjithë territorin. Për këtë qëllim kemi filluar që atë iniciativë që kemi nisur së bashku me Ministrin e Arsimit dhe që u përkufizua si Paketa e Sigurisë në Shkolla, tani ta ngremë në një nivel tjetër dhe shumë shpejt do të kemi në nivel vendor Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike ku Prefektët në bashkëpunim me të gjitha institucionet me drejtoritë e arsimit, kryetarët e bashkive, me institucionet e tjera apo agjencitë e tjera ligjzbatuese që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë publike në nivel  vendor, por më shumë se kaq me sigurinë pranë institucioneve arsimore të kemi edhe diskutime dhe të marrim ide të mira që të mund të përmirësojmë punën.

Ajo që mund t’ju them në këtë moment të parë, le të themi më pak se 6 muaj nga momenti që e iniciuam paketën, të dyja ministritë së bashku, është se si në çdo betejë tjetër, ajo mund të fitohet nëse kemi më shumë bashkëpunim dhe jemi të gjithë së bashku. Pra çfarë dua të them me këtë, dua të them se ua kam thënë të gjithëve nxënësve kudo që kam shkuar dhe të them të drejtën kam vizituar shumë shkolla pothuajse në të gjitha qarqet e vendit, shkollat më të rëndësishme me më shumë traditë dhe jo vetëm nga Shkodra në Vlorë, nga Durrësi në Korçë dhe gjëja e parë që dua, le të themi dua dhe ta provokojë pak diskutimin në këtë sallë, është pjesa që jo të gjithë bashkëpunojmë për të informuar Policinë e Shtetit, për të informuar Oficerin e Sigurisë në shkollë, për personat që përfshihen në këto fenomene negative dhe nuk është vetëm shpërndarja e lëndëve narkotike. Ajo ndoshta është një prej fenomeneve të cilat  kërkojnë më shumë forcë goditëse nga ana jonë edhe pse rezultatet janë të mira. Po ajo që na duhet është bashkëpunim i nxënësve, i stafeve mësimore, i drejtuesve të shkollave për të gjithë ata persona që i ngrenë këto kurthe pranë shkollave ndaj fëmijëve tanë dhe po ashtu besoj e keni ndjekur kemi iniciuar një debat dhe gjithkush këtu apo kudo ata që na ndjekin janë të mirëpritur, të marrin pjesë në një diskutim që ne do të hapim shumë shpejtë që lidhet me një qasje të re ligjore sa i përket sigurisë digjitale.

Bashkimi Evropian ka iniciuar dy akte që lidhen me sigurinë digjitale dhe tregjet digjitale dhe na mjaftuan disa episode tragjike të dhimbshme, për sa  i përket rrjeteve sociale, për t’u zgjuar të gjithë dhe për të kërkuar edhe përgjegjësi, edhe pse nuk duhet të harrojmë asnjëherë se çfarë kemi bërë secili prej nesh për ta adresuar dhe më shumë se kaq  për të njoftuar organet ligjzbatuese. Në rrjetet sociale në një pjesë të madhe prej tyre ka sot një gjuhë të papranueshme dhe ka shumë raste, të cilat frymëzojnë dhunën, frymëzojnë përdorimin e lëndëve narkotike, frymëzojnë bullizimin, madje përdoren rrjetet online për një formë të ndryshme të krimeve online.

Unë mendoj një prej diskutimeve që nuk e kam diskutuar me Borën, por që lind vetë vetiu është që të rinjtë sot duhet të kuptojnë që liria nuk është e pakufishme. Madje unë jam socialist, por një nga mendjet më të ndritura të liberalizmit, John Stuart Mill thoshte që liria jote mbaron aty ku fillon liria ime.

Asnjëri nuk ka të drejtë t’i kufizojë të drejtën tjetrit, por patjetër duhet të vetë-kufizohet sa i përket ushtrimit të lirisë së vet.

Tek krimet online, Policia e Shtetit është munduar të ngrejë disa struktura, të cilat janë natyrshëm në një fazë konsolidimi, por ajo që duhet të bëjmë më mirë është që gjithë shoqëria duhet të paktën të solidarizohet duke i raportuar këto raste dhune, dhe e vërteta është që këto do vijnë gjithmonë dhe më shumë duke u shtuar, flas për dhunën online, në forma nga më të ndryshmet.

Por ama shoqëria nëse vetë ndërgjegjësohet, dhe mund t’ua bëj pak më të thjeshtë, tek sa diskutoja me drejtorin e Tiktokut për gjithë rastet tragjike që kemi pasur dhe raste të tjera të fshehura, i cili më tha se nuk ka pasur asnjë ‘report’ për rastet në fjalë. ‘Report’ është që mbaje shtypur atë faqen për 2 sekonda dhe të del një ‘interface’ aty, dhe e para në të majtë është ‘report’, e ke të rreshtuara një sërë arsyetimesh për çfarë e bën ‘report-in’. Mjafton 2-3 nga këto dhe ajo përmbajtje fshihet apo pezullohet përfundimisht. Sa prej nesh e bëjnë këtë gjë?… Sikur ta bëjmë më shumë, më mirë do jetë.

Tani të kthemi tek shkollat, se e kam më shumë për zemër, se aty nuk janë vetëm lëndët narkotike. Ne kemi një problem shumë të madh, të konstatuar nga shërbimet shëndetësore për përdorimin e duhanit nën moshën 18-vjeç, dhe përdorimin e lëndëve alkoolike nën moshën 18-vjeç. Në të gjitha, unë kam inspektuar kur kam shkuar në shkolla, kam shkuar dhe te lokali që ndodhet para shkollës, se te ai lokali ndodhin të gjitha problemet, apo jo?! Aty shkruhet që ndalohet shitja e alkoolit nën moshën 18-vjeç. Problemi është që kur është respektuar ndonjëherë nga ai? Pa dyshim që ne kemi inspektoratet tona të cilat shkojnë, kini parasysh një gjë që është e pa mundur që të inspektosh qindra mijëra bare, lokale, por na duhet që përsëri këtu t’i bëjmë apel ndjesisë, përgjegjësisë sociale të secilit për t’i kufizuar këto. Unë nuk besoj që ka ndodhur në ndonjë bar apo lokal që ai barman-i apo kamerieri t’i kërkoj ID-në njërit prej kolegëve tuaj për t’i verifikuar moshën, për t’i shitur një birrë apo tjetër. Ju e dini që dhe pijet energjike janë të ndaluara me ligj deri në moshën 18-vjeç.

I përmenda këto sepse të gjithë e dimë që përdorimi i lëndëve narkotike, përdorimi i lëndëve alkoolike, i duhanit kanë të bëjnë drejtë për së drejti me shëndetin e të rinjve tanë. Pastaj secila prej tyre ka efekte, të gjithë e dimë, por bëjmë sikur nuk e dimë – po re në rrjetën e shpërndarësve të lëndëve narkotike, harroji rezultatet në shkollë!

Pastaj vjen ai efekti, e ti hyn në një cikël dështimi për veten dhe familjen tënde. Prandaj ne kemi ardhur sot në këtë sallë për të kërkuar një aleancë me të gjithë ju dhe me shumë të tjerë, të cilët fatmirësisht, falë jush, punës tuaj, ne jemi sot në një fazë që të kërkojmë të krijojmë një koalicion kombëtar kundër lëndëve narkotike, alkoolit e duhanit te të rinjtë. Kishim para pak ditësh këtu Sekretarin e Shtetit amerikan Blinken! Dua të ndaj me ju një shifër. Sot, SHBA, “armikun më të madh” nuk kanë as Rusinë, as Kinën, kanë fentanilin. Fentanili është një lëndë narkotike, një drogë sintetike me bazë opioide, e cila gjatë vitit 2022, nëse SHBA kanë pasur 110.000 jetë të humbura nga mbidoza, 2/3 e tyre ishin për shkak të fentanilit. Nëse këtë do ta përkthenim në shifra të betejave luftarake, në 2022, në SHBA kishte më shumë të vdekur nga fentanili sesa amerikanë të rënë në L2B në Europë. Tani mos prisni që luftërat t’i shohim siç i kemi parë në film. Kjo është një lloj lufte, por në një formë tjetër. Ajnshtajni e ka thënë bukur që “nuk e di si do jetë lufta e tretë botërore, por e katërta do të jetë me shkopinj,” në kuptimin figurativ të gjësë.

Kështu që lufta kundër lëndëve narkotike është një lloj lufte, prandaj po punojmë me Ministrinë e Shëndetësisë, e po ndërtojmë një sistem të ri alertimi të hershëm për të kuptuar se kush janë sfidat tona! Kam takuar shumë të rinj që më thonë, “shiko ministër, se e ke një çik gabim këtë punën kundër kanabisit, hashashit, se ja Zvicra e ka të legalizuar!” Problemi im është se për 12-18 muaj, pastaj bëhesh i varur e do të kërkosh më pas diçka më të fortë. Kështu që mos e përdor fare dhe je më mirë! Luaj futboll, basketboll, volejboll e të del më mirë, edhe nga xhepi, edhe nga shëndeti, për ty dhe familjen tënde.

Mendoj se një prej sfidave që lidhen me Rininë  2030, përveç arsimit, gjuhëve të huaja, një prej debateve që bëj me tim bir është që po mësove anglisht e gjermanisht, dhe kalojnë italishten, meqë kemi përfaqësues të Ambasadës italiane, që ne, brezi im, e mësuam italishten nga Rai, pa lexuar asnjë ditë, asnjë libër në italisht. Prandaj, përveç këtyre, arsimimit, gjuhëve të huaja, teknologjia, dixhitalizimi, edhe këto për të cilat fola unë sot, janë një sfidë e madhe.

Mendoj që shumica e familjeve shqiptare, mua dhe Ogertës sot na japin të drejtë. Por as unë, as Ogerta, as Policia e Shtetit, as Drejtoritë e Arsimit, nuk ia dalim dot, nëse nuk arrijmë të krijojmë këtu brenda vetes  një koalicion kombëtar kundër gjithë këtyre fenomeneve. SHBA na ka ftuar të bëhemi pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër drogës. E patjetër do të jemi pjesë aty! Po e them sot, në këtë takim të iniciuar nga Ministrja e Shtetit për Rininë, që shumë shpejt, bashkë me Ogertën, do t’ju ftojmë në një takim tjetër pikërisht për ta institucionalizuar këtë lloj aleance, koalicioni, si të doni ta quajmë. E rëndësishme është të rrisim sa më shumë ndërgjegjësimin e gjithkujt përmes kurrikulave arsimore, e gjithçkaje tjetër që droga të dëmton!

Unë kam shumë nevojë të kemi djem dhe vajza, të rinj të talentuar, në Policinë e Shtetit. Ju lutem shumë konsiderojeni këtë, mos u bëni të gjithë juristë apo ekonomisë, sepse kemi boll. Pa dyshim e nxis gjithçka që do të bëheni mjek dhe infermiere, sepse edhe ato duhen, por edhe te ky institucioni im jeni të mirëpritur. Faleminderit.

Previous Fuqizimi i të rinjve, Ministri Mazniku: Qytete më të mira, më shumë mundësi për të rinjtë.