Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka filluar turin e konsultimeve për rishikimin e ligjit “Për Rininë” dhe ligjit “Për Vullnetarizmin”.
Takimi u mbajt fillimisht në Kurbin së bashku me Kryetaren e Bashkisë Majlinda Cara dhe një grup të rinjsh nga Kurbini dhe zonat përreth, dhe më pas në Shkodër me praninë e Nënkryetares së Bashkisë dhe një grupi të rinjsh të gatshëm për të dhënë sugjerimet e tyre.
Gjatë këtyre takimeve, të rinjtë patën mundësinë të shpalosnin rekomandimet dhe sugjerimet e tyre për përmirësimin e legjislacionit që prek rininë dhe vullnetarizmin.
Në diskutimet e tyre, të rinjtë theksuan nevojën për përfshirjen e përfaqësuesve të qeverive të nxënësve në Këshillin Kombëtar të Rinisë, duke theksuar se përfaqësimi i drejtë i komunitetit rinor kërkon kuota të dedikuara për të rinjtë në kushte margjinalizimi dhe kritere për barazinë gjinore.
Sa i përket ligjit për vullnetarizmin, të rinjtë u shprehën mjaft pozitivë për programe vullnetare me shtrirje të ndryshme kohore, duke preferuar më shumë ato që zgjasin nga një deri në tre muaj. Ata theksuan nevojën e mbulimit të shpenzimeve vetjake për vullnetarët dhe njohjen e periudhës së vullnetarizmit si vjetërsi pune dhe për aplikime për studime.
Gjatë takimit, të rinjtë plotësuan anketa ku shprehën mendimet e tyre mbi financimin e projekteve vullnetare dhe mënyrat më të përshtatshme për të marrë informacion mbi projekte dhe nisma vullnetare.
Turi “Rinia Ndryshon Ligjet” synon të sigurojë që zëri i të rinjve të dëgjohet dhe të përfshihet në procesin e rishikimit të ligjeve që i prekin ata drejtpërdrejt, njëjtë me praktikën e ndjekur nga Ministrja Muzhaqi edhe në hartimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë.