Roli i INTERPOL, si një mburojë kundër kërcënimeve ndaj sigurisë dhe stabilitetit rajonal - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Roli i INTERPOL, si një mburojë kundër kërcënimeve ndaj sigurisë dhe stabilitetit rajonal

Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Taulant Balla në ceremoninë e mbylljes së Konferencës Europiane të Interpol të mbajtur në Tiranë:

I nderuar President,

I nderuar Sekretar i Përgjithshëm

Drejtues të delegacioneve,

Zonja dhe zotërinj,

Duke qenë se Konferencës së 51-të rajonale po shkon drejt fundit, dëshiroj të shpreh një falënderim të përzemërt për të gjithë ju delegatë të nderuar, folës, pjesëmarrës që keni kontribuar në suksesin e kësaj ngjarjeje.
Prania dhe pjesëmarrja juaj aktive ka qenë e paçmueshme në adresimin e sfidave komplekse dhe në zhvillimin e sfidave të sigurisë me të cilat përballet sot rajoni ynë dhe bota.

Gjatë 3 ditëve të fundit ne jemi angazhuar në diskutime gjithëpërfshirëse dhe kemi shkëmbyer njohuri kritike për një gamë të gjerë çështjesh. Që nga kërcënimet e reja të sigurisë dhe krimi i organizuar, te ndikimi që kanë krimet kibernetike apo kompjuterik si dhe në përdorimin strategjik të aftësive të Interpol-it.

Këto diskutime jo vetëm që kanë nxjerrë në pah kërcënimet me të cilat ne përballemi por edhe vendosmërinë kolektive dhe strategjitë novatore që mund t’i përdorim për t’i kapërcyer ato.

Në zemër të sigurisë rajonale qëndron monitorimi i kërcënimeve dhe tendencave të krimit në zhvillim. INTERPOL, si një lojtar kyç në skenën ndërkombëtare zotëron kapacitete dhe aftësi thelbësore për të luftuar këto sfida.

Nëpërmjet rrjeteve të gjera të informacionit dhe bashkëpunimit ndër-shtetëror, INTERPOL i ndihmon në identifikimin e aktiviteteve kriminale ndërkufitare dhe në zbatimin e masave proaktive për parandalimin e tyre.
Kjo përfshin shkëmbimin e të dhënave në kohë reale, trajnimin në zbatimin e ligjit dhe koordinimin e operacioneve të përbashkëta.
Në Europë por edhe si në çdo vend të botës, ku krimi nuk njeh kufi, roli i INTERPOL është më kritik se kurrë duke shërbyer si një mburojë kundër kërcënimeve ndaj sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Zonja dhe zotërinj,

Pika fillestare e çdo nisme dhe përpjekjeje kombëtare në luftën kundër krimit të organizuar është ndërgjegjësimi se asnjë vend nuk mund ta mposhtë i vetëm krimin e organizuar dhe se organizatat kriminale transformojnë aktivitetet e tyre ndërkohë që ne përforcojmë veprimet tona kundër tyre.

Për këtë arsye, parandalimi dhe lufta kundër krimit të organizuar janë dy shtyllat kryesore të strategjive kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë.
Nëpërmjet një qasjeje të bazuar në të dhëna dhe analizave të thella, agjencitë e zbatimit të ligjit mund të identifikojnë modelet e sjelljes kriminale dhe ndërhyjë para se këto veprime të bëhen kërcënim serioz.
Kjo përfshin përdorimin e teknologjive të avancuara për monitorimin e komunikimeve dhe transaksioneve financiare si dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet agjencive të ndryshme për të shkëmbyer informacione në kohë reale.

Kapërcimi i sfidave në luftën kundër krimit të organizuar kërkon përkushtim të palëkundur dhe një qasje të unifikuar, siç thashë edhe në fjalën hyrëse, para pak ditësh, për një qasje të unifikuar. Kjo do të thotë që të gjithë aktorët e përfshirë, nga zyrtarët vendas të zbatimit të ligjit, deri te organizatat ndërkombëtare, si INTERPOL, duhet të punojnë së bashku për të zhvilluar strategji të përbashkëta dhe për ndërtuar një front të fortë kundër atyre që synojnë të minojnë sigurinë dhe stabilitetin e shoqërisë europiane dhe globale.

Në këtë kontekst, më lejoni të përgëzoj edhe njëherë INTERPOL-in që edhe pse është një organizatë e vjetër, mbetet akoma dhe gjithmonë e re plot me energji të freskët falë inovacionit dhe vëmendjes së pafundme ndaj zhvillimeve dhe tendencave kriminale bashkëkohore.

Ndërsa po flasim për inovacionin, lufta kundër krimit kibernetik, duke adresuar në veprimin e tij me forma të tjera të krimit si terrorizmi, krimet kundër fëmijëve, mbetet një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë.
Në epokën digjitale, krimi kibernetik është bërë një nga sfidat më të madha për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky lloj krimi nuk njeh kufi dhe shpesh është i lidhur ngushtë me forma të tjera të krimit të organizuar, si terrorizmi, dhe krimet kundër fëmijëve. Krimi kibernetik përfshin një gamë të gjerë veprash kriminale, nga vjedhja e të dhënave personale deri tek sulmet kibernetike që synojnë infrastrukturën kritike të një shteti. Këto ndërveprime jo vetëm që shkaktojnë dëme materiale, por dhe krijojnë një mjedis të pasigurt për qytetarët dhe mund të çojë në shkelje të të drejtave të njeriut.

Terrorizmi i cili shpesh financohet dhe organizohet përmes rrjeteve kibernetike është një tjetër kërcënim i madh. Terroristët përdorin teknologjinë për të rekrutuar anëtarë të rinj për të përhapur propagandën e tyre dhe për të planifikuar sulme. Aftësia jonë për të luftuar këto krime varet nga shkathtësia, ekspertiza jonë teknike dhe partneritet ndërkombëtare. Diskutimet këtu kanë përforcuar nevojën dhe një qasje të koordinuar me burime të mira, sepse ndërhyrja në kohë dhe parandalimi i komunikimeve të tilla janë thelbësore për të luftuar këtë formë krimi. Në emër të qeverisë time do të doja të shprehja gatishmërinë time për të rritur asistencën tonë dhe gjithashtu buxhetin në mbështetje të asaj që INTERPOL bën.

Të nderuar pjesëmarrës,

Të gjithë jemi të vetëdijshëm që për sa i përket sigurisë të gjithë sytë janë tek ju, por nuk mund të neglizhojmë domosdoshmërinë që secili të bëj pjesën e tij. Në këtë kontekst unë besoj fuqishëm se Shqipëria është një aktor dukshëm në rritje, si dhe vendet e Ballkanit perëndimor dhe Europa juglindore, siç përmenda dhe më parë gjatë ceremonisë së hapjes ne do bëjmë disa ndryshime për një ligj të ri në Policinë e Shtetit shqiptar dhe gjithashtu për Zyrën e Rikuperimit të Aseteve që për ne është një instrument i madh për të gjurmuar krimin e organizuar aty ku ka më shumë peshë, dhe ju e dini më mirë se unë, se ju jeni ekspertët, ndërsa unë jam studenti që kjo është mënyra për të luftuar krimin e organizuar, për të shkuar te asetet e paratë e tyre.

Në anën tjetër do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë për të ndërtuar besimin e publikut duke luftuar pandëshkueshmërinë dhe duke sjellë para drejtësisë të gjithë të arratisurit.

Jam mirënjohës çfarë kemi bërë së bashku deri tani në muajt e fundit, duke regjistruar numra historikë të këtyre të arratisurish që janë të larguar nga vendi, drejtësisë, për vite e dekada dhe kjo po ndodh falë rolit dhe koordinimit mes agjencive ligjzbatuese dhe INTERPOL.

Të nderuar pjesëmarrës
Në mbyllje dua të theksoj forcën që ka bashkëpunimi ynë, lidhjet që kemi forcuar gjatë kësaj konference dhe angazhimin që kemi krijuar gjatë këtyre diskutimeve të cilat do të shërbejnë si themel për forcimin e bashkëpunimit në përpjekjet tona të ardhshme.
Na lejoni që të ndërtojmë në këtë moment, duke krijuar një frymë bashkëpunimi dhe mbështetjeje reciproke.
Gjithashtu shpresoj që sigurisht do largoheni nga Shqipëria me një pamje e kujtim shumë të bukur për të e gjithashtu shpresoj për ata që do të largohen menjëherë sapo të mbarojë konferenca, se është një ftesë e hapur nga Ministri dhe Drejtori i Përgjithshëm për të ardhur dhe vizituar privatisht vendin tonë të bukur e sigurisht ne do të jemi guida juaj, ashtu siç shkruhet në ADN tonë që “shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut”.
Nuk dua që kjo konferencë të përfundojë por siç më thanë nga protokolli, unë duhet të deklaroj këtu që konferenca e 51-të rajonale evropiane e INTERPOL është e mbyllur.
Ju faleminderit.

Previous Ministri Peleshi takime me homologë në Bruksel, nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit në rastet e katastrofave natyrore