Romë, Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Zv/Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë Antonio Tajani - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Romë, Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Zv/Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë Antonio Tajani

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore në Itali, së bashku me një delegacion të përbërë nga ministra të kabinetit qeveritar. Dje, në nisje të vizitës, Kryeministri Rama u takua me Presidentin e Senatit të Republikës së Italisë, Ignazio La Russa.

Ndërsa sot, u mbajt Takimi i Komitetit të Përbashkët për Investimet, Çështjet Ekonomike dhe Sociale, Shqipëri-Itali, pas të cilit Kryeministri Edi Rama dhe Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Antonio Tajani dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

* * *

Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Antonio Tajani: Mirëdita të gjithëve! Dua të falënderoj kryeministrin Edi Rama që erdhi në Romë me një delegacion, 6 ministra të qeverisë shqiptare, përfshirë edhe ministrin e ri të jashtëm që e përshëndes këtu dhe i uroj punë të mbarë. Për ne Shqipëria është partner strategjik në Ballkan. Siç e dini Italia e konsideron Ballkanin Perëndimor dhe  marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor, si një përparësi të politikës sonë të jashtme dhe jemi absolutisht të favorshëm për hyrjen brenda Bashkimit Europian të këtyre vendeve, duke filluar nga Shqipëria, një vend të cilin gjithmonë e kemi mbështetur dhe urojmë që kjo të ndodhë para vitit 2030. Pra, insistojmë në mënyrë të tillë që të kemi një proces integrimi të përshpejtuar.

Në takimin vjetor që do të zhvillohet do të jetë edhe një rast për t’i dhënë një impuls për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian. Ky angazhim i përforcuar italian do të vijojë edhe nëpërmjet një koordinimi edhe më të ngushtë me partnerët tanë të Bashkimit Europian, në kuadrin e grupit të punës “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, që është krijuar pikërisht për të favorizuar integrimin.

Me Shqipërinë bashkëndajmë lidhje të forta historike. Komiteti i përbashkët ekonomik, Itali-Shqipëri, që sot i kemi dhënë hov me miqtë shqiptar, ramë dakord për disa linja veprimi në tre çështje të mëdha, infrastruktura, energjia dhe sektori bujqësor dhe agroushqimor.

Ne duam që të përfshijmë në këtë bashkëpunim të përforcuar strategjik edhe sektorin privat dhe ndërmarrjet kryesore si hekurudhat dhe kantiere të tjera, pra e shohim me shumë interes planin e zhvillimit që qeveria shqiptare ka vënë në kantier, ka filluar, edhe duam të kontribuojmë për rritjen e një vendi që ka me ne lidhje me të vërtetë të forta, antike, të vjetra dhe kujtoj që këtu kemi komunitete shqiptare që jetojnë në Shqipëri prej shekujsh. Janë qytetarë italianë që kanë ruajtur zakonet e tyre dhe atyre u janë shtuar shqiptarë kohët e fundit si tregues që ekziston kjo lidhje historike.

Për çështjen e emigracionit kemi një dëshirë të madhe për të bashkëpunuar. Së bashku folëm me Ministrin e Jashtëm gjatë mbledhjes së Ballkanit Perëndimor që Italia ka organizuar, sepse rruga e Ballkanit duhet mbajtur nën kontroll dhe nuk duhet të rritet prania e emigracionit klandestin. Pra bashkëpunim i përkryer.

Falenderoj nga zemra kryeministrin Rama! Falenderoj ministrat e tij! Falënderoj gjithashtu ministrat italianë që kanë marrë pjesë në takim; Pichetto Fratin, Lollobrigida, nënsekretarin Ferranti, që ka qenë interlekutorët e miqve tanë shqiptarë. Pra, faleminderit edhe njëherë!

Ishte një mbledhje shumë pozitive, shumë e frytshme sepse ka bërë hapa të mëparshëm në marrëdhëniet, që janë ekselente, të shkëlqyera midis Italisë dhe Shqipërisë, të gjitha veprimeve politike të vendosura, do të vijojnë më pas tryeza teknike për të aktivizuar në mënyrë konkrete vendimet që ne kemi marrë.

Fjala tani Kryeministrit Edi Rama që është një mik i madh i Italisë dhe që sot do të takojë kryeministren Meloni.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit zoti Ministër! Faleminderit Antonio. Shpreh kënaqësinë time të plotë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona dhe falënderoj nga zemra gatishmërinë dhe vëmendjen që qeveria italiane ka treguar për të forcuar këtë marrëdhënie dhe për të shfrytëzuar potenciale të jashtëzakonshme që ekzistojnë në të gjitha fushat në bashkëpunimin midis Italisë dhe Shqipërisë. Ka qenë kënaqësi sepse nuk ndodh gjithmonë që të shkosh në një vend tjetër me një delegacion kaq të madh dhe të mos kesh nevojë për kufjet e përkthimit, gjë që besoj që do të lehtësojë shumë dhe përkthyesit që do të paguhen pa punuar, por besoj që Farnesina do t’i paguajë meqë kanë qenë këtu të pranishëm me vëmendje, por s’ka pasur nevojë, kjo do të thotë që, jo vetëm gjuha e përbashkët, që italishtja është gjuha e dytë e shqiptarëve, por edhe gjuha politike në shkallë dypalëshe ndërkombëtare është e njëjta. Është e njëjta gjuhë. Ne kemi plotësisht të njëjtat qëndrime me të gjitha çështjet dhe na bën nder dhe na kënaq që Italia është avokati ynë më i besuar në nivelin europian dhe zëri më i fortë dhe më i dëgjuar në Bruksel për të mbështetur Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në rrugëtimin e tij europian ndërsa na kënaq shumë që qeveria, kjo qeveri ka një angazhim të veçantë për të kaluar nga shumë premtime që janë premtime të natyrshme të të qenit bashkërisht të ndarë dhe të bashkuar nga i njëjti det, pra të kalojë nga këto premtime në fakte konkrete në fushën e ekonomisë, në politikat e përbashkëta të sigurimit dhe kështu me radhë.

Nuk dua të përsëris atë që ka thënë në mënyrë shumë të detajuar dhe me shumë kujdes zëvendës kryeministri Tajani ka thënë tashmë, por dua vetëm t’u them shqiptarëve se ka shqiptarë që janë në Itali prej vitesh dhe kontribuojnë prej vitesh në zhvillimin e ekonomisë italiane dhe kemi kuptuar shumë herë që marrëveshja për pensionet është në pikë arritje pothuajse dhe kemi fituar nga premtimi solem nga zëvendës kryeministri që kjo pikarritje nuk do të jetë një pikënisje tjetër siç ndodh shpeshherë në anët tona. Kështu, të gjithë shqiptarët e shumtë që jetojnë, kontribuojnë, kanë punuar dhe punojnë në Itali, më në fund do të mund të ngrenë dolli për lavdinë e Republikës italiane dhe ta falënderojnë këtë qeveri sepse kjo qeveri më në fund do ta çojë deri në fund këtë nismë shumë të rëndësishme nga pikëpamja, jo vetëm financiare, por edhe nga pikëpamja sociale dhe nga pikëpamja e respektit dhe të dinjitetit të punës së njerëzve.

* * *

-Pyetje për Zv/Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë Antonio Tajani, lidhur me emigracionin.

Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Antonio Tajani: Unë gjithmonë e kam thënë se çështja emigratore nuk mund të jetë një çështje që i takon vetëm një shteti dhe nuk mjafton për mendimin tim as reagimi i vetëm i Bashkimit Evropian. Për këtë arsye në OKB, Edi Rama kryesonte një moment të rëndësishëm. Në ato ditë ne kemi vënë në tryezë në Organizatën më të rëndësishme botërore, temën e emigracionit sepse është një teme që i përket rendit publik, por mbi të gjitha është një çështje strategjike sepse ekziston një situatë shumë e vështirë në Afrikën sub-sahariane, është një situatë shumë e vështirë në Afganistan, situatë komplikuar në Siri.

Kemi një sërë kauzash, arsyesh që shtyjnë qindra-mijëra njerëz që të shkojnë  drejt veriut të botës duke kaluar nëpërmjet rrugës së Ballkanit edhe nëpërmjet rrugës së Mesdheut, pra prandaj edhe ky problem në një përmasë kaq të madhe nuk mund të zgjidhet vetëm me një veprim afatshkurtër.

Natyrisht që mund të punojmë dhe të arrijmë rezultate të mira, duke bllokuar nisjet nga Tunizia, mund të bashkëpunojmë me shumë vende të Ballkanit për të penguar punën e trafikantëve të qenieve njerëzore, që janë po ata që trafikojnë drogë dhe armë.

Bashkëpunimi me Shqipërinë në këtë  pikëpamje me praninë e Guardia di Finanza që vepron së bashku në mënyrë shumë pozitive me forcat e rendit të Shqipërisë për të luftuar këto trafiqe, pra shërben, duhet gjithnjë e më shumë bashkëpunim.

Bashkëpunimi vazhdon, kemi arritur rezultate, sepse kemi marrëveshje diplomatike që po vijojnë dhe po ecin përpara gjithashtu dhe me Costa d’avorion (Bregu i Fildishtë). Për t’i kthyer klandestinët në ato vende që kanë prejardhjen prej atyre vendeve, Costa d’Avorio duhet të vendosin edhe për viza për qytetarët e vet që shkojnë në Tunizi,  pra në mënyrë  që të mos ketë kalime të çuditshme, njerëz që duan të shkojnë në Tunizi nëpërmjet Tunizisë të vijnë në Itali dhe në Evropë e të njëjtën gjë do të bëjë edhe Guinea, pra duhet një bashkëpunim.

Me Shqipërinë, e përsëris, kemi një bashkëpunim sepse ne duhet të luftojmë ata që organizojnë përveç problemit politik, sepse të gjithë duhet të luftojnë trafikantët e qenieve njerëzore që e përsëris, janë po ato që bëjnë trafik armësh dhe droge.

Me Shqipërinë po punojmë shumë mirë në bashkëpunim me Guardia di Finanzën dhe forcat e rendit të Shqipërisë dhe duhet të përforcojmë këtë lloj bashkëpunimi duke patur parasysh që nuk mjafton një ose dy, tre vende. Duhet një veprim i fortë i Evropës dhe OKB-së.

 

– Cilat janë fushat që pritet të investoni dhe kur pritet të marrin zgjidhje të përhershme çështja e pensioneve për qytetarët e dy vendeve?

-Ndërsa për ju zoti Rama, duket se për herë të parë Shqipëria nuk linjëzohet me politikën e jashtme të Bashkimit Europian sa i takon qëndrimit të përfaqësuesit të lartë Borrell për dialogun Serbi – Kosovë. A keni ju një koment?

Kryeministri Edi Rama: Për sa i përket investimeve strategjike, investimet ministri i preku, janë investime në sektorë strategjikë, janë investime në infrastrukturë, ku Italia ka luajtur një rol vendimtar dhe ministri Tajani personalisht ka udhëhequr një proces të çlirimit të Korrdiorit 8 nga një bllokim shumë i gjatë dhe i pajustifikueshëm drejt përfshirjes së tij në rrjetin e korridoreve europiane, gjë që i hap rrugë financimit të vazhdimit të punimeve për Korridorin e 8, punime të cilat ne i kemi nisur ndërkohë në një pjesë me financimet tona, pastaj në fushën e sistemit hekurudhor ku Italia është përfshirë në ndërtimin e hekurudhës Tiranë – Durrës, por ku ka shumë ende për të bërë. Kemi folur dhe për linjën hekurudhore jo vetëm të Korridorit 8 por dhe atë që lidh Durrësin me Prishtinën dhe Nishin dhe kështu me Europën qendrore.

Në fushën e energjisë padiskutim ku kemi shumë nevoja e njëkohësisht objektiva të përbashkëta strategjike me Italinë dhe ku kemi prekur temën e interkonjeksionit mes Italisë dhe Shqipërisë dhe më gjerë panoramën e zhvillimit energjetik të Shqipërisë, e cila në përfundim të kësaj dekade do të jetë eksportuese neto e energjisë dhe të interesit të Italisë për të bërë pjesë e këtij zhvillimi.

Kemi po ashtu prekur edhe sektorin e ushqimit, duke sjellë për ju një fakt që vetëm me një nxitje të vitit të fundit nga ana e Ministrisë së Bujqësisë së Italisë dhe personalisht ministrit Lollobrigida, kemi arritur që të fillojmë zbërthimin e një potenciali të madh dhe shembulli i thjeshtë dhe kuptimplotë është se vetëm vitin e fundit, pra deri në gusht, eksporti i vajti të ullirit nga Shqipëria në Itali është rritur me 50 herë.

Italia është një prodhuese e ekselencës në vajin e ullirit, por është një importuese, mbetet një vend importues i vajti të ullirit dhe duke qenë se ne jemi në të njëjtin paralel me rajonin e Puglias  dhe duke qenë se kemi një potencial të jashtëzakonshëm për një vaj ulliri shumë cilësor, atëherë nuk ka pse të mos jemi një destinacion shumë i preferuar i Italisë, gjë që ka nisur të materializohet.

Për t’u kthyer tek pyetja lidhur me qëndrimin tonë për të herë të parë, të paktën në 10 vitet e fundit në kundërshtim me një deklaratë të politikës së jashtme të Bashkimit Europian, ky qëndrim lidhet me faktin se deklarata e Bashkimit Europian është një deklaratë, e cila jo se në vetvete ka problem, pasi adreson gjithçka që është thënë më parë nga përfaqësuesi i lartë Joseph Borrell lidhur me detyrimet e Kosovës në raport me dialogun, por ka një problem të madh që nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit dhe ne e kemi të pamundur të linjëzohemi me Bashkimin Europian pa parë një deklaratë të dytë që adreson problematikën e ditëve të fundit, ku ka ndodhur një zhvillim dramatik pasi është vrarë një efektiv i Policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal që ka qenë qartësisht i investuar për të ushtruar terror në veriun e Kosovës, gjë që është pasuar nga shpallja e një ditë zie kombëtare në Beograd.

Kjo për ne është e papranueshme, është e pajustifikueshme madje është e dënueshme sepse është jo europiane dhe sepse njëkohësisht është sinjali më i keq që Serbia mund të jepte në këtë moment për të gjithë rajonin dhe për Europën dhe kemi kërkuar që Bashkimi Europian, i gjithë komuniteti euroatlantik të vërë alarmin në nivelin më të lartë, alarmin demokratik në nivelin më të lartë e të përdorë gjithë instrumentet në dispozicion për t’i kthyer mesazhin e duhur këtij mesazhi krejtësisht të papranueshëm që vjen nga shpallja e zisë kombëtare në Beograd dhe deri në momentin ku nuk do të ketë një deklaratë të dytë të Bashkimit Europian për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit, ne nuk do të linjëzohemi me deklaratën e parë.

Në momentin që del deklarata e dytë e nëse deklarata e dytë e bën këtë që ne kërkojmë, atëherë ne nuk kemi asnjë problem të linjëzohemi me deklaratën e parë sepse pavarësisht se çfarë bën Serbia, gjë me të cilën ne kemi punë me Serbinë, ne nuk i heqim asnjë presje të gjitha kërkesave të Bashkimit Europian e të komunitetit euroatlantik për Kosovën dhe në këtë pikë linja jonë është 100% linja e Bashkimit Europian dhe e komunitetit euroatlantik, por ama e përsëris, ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që pastaj ka pasuar në Beograd me shpalljen e një ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës.

Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Antonio Tajani: Përsa i përket investimeve italiane në Shqipëria, Italia është e gatshme të bëjë gjithmonë e më shumë në rastin e një dreke punë që miqtë tanë shqiptarë do të takojnë përfaqësuesit e industrisë të Fincantieri, por dhe Cassa Depositi e Prestiti kemi shumë sektorë ku jemi të gatshëm të përforcojnë praninë tonë dhe të përforcojmë investimet tona duke u përfshirë në sektorin bujqësor ku sa i përket vajit dhe vullnetit për të vazhduar për të blerë produkte, vajin shqiptar.

Në sektorin e peshkimit mund të punojmë edhe më shumë me investime të tjera. Pra, gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur dhe takimi i sotëm, dreka e punës që do kemi sot do të ketë si qëllim që të arrijmë këto objektiva.

Për sa i përket situatës në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, Italia gjithmonë ka dënuar dhe vazhdon të dënojë të gjithë aktet e dhunës. Ne punojmë për paqen dhe stabilitetin e atij rajoni. Unë fola personalisht me kryeministrin e Kosovës Kurti, me presidentin serb, Vuçiç, i ftova të gjithë për një zgjedhje që të jetë ajo e paqes, dialogut që të ndalojnë çdo veprim. I pohova se Italia është e gatshme dhe fola me ministrin Crosetto që të vlerësojnë hipotezën e një përforcimi të dispozitivit KFOR për të shmangur incidente të reja dhe viktima të reja.

Puna e ushtarëve italianë atje vlerësohet nga të gjithë, ata kanë sjellë paqen dhe vlerësohen si nga Kosova ashtu dhe nga Serbia dhe besoj se Italia, pikërisht për rolin e vet, për aftësinë e vet se di të dialogojë me të gjithë, mund të vazhdojë të luajë rol për të sjellë paqen me një territor shumë të komplikuar, por zgjidhjet nuk janë kurrë ato të luftës. Zgjidhjet janë ato të diplomacisë.

Ne i ftuam të gjithë që ta shohin veten në deklaratën e presidentit Borrell të 19 shtatorit duke ftuar në të njëjtën kohë të gjithë që të punojmë për paqen dhe të ndalojnë çdo lloj aktiviteti ushtarak dhe dhune në atë rajon sepse dhuna sjell dhunë, kurse dialogu sjell dialog.

Ne do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë që është në dorën tonë në mënyrë që dialogu të mund të rifillojë dhe dhuna nga ana e grupeve ekstremiste të zëvendësohet me diplomaci dhe besoj se është e drejtë që puna e Bashkimit Europian të jetë gjithmonë e më shumë efikase.

Italia gjithsesi do të bëjë pjesën e vetë sepse vendosëm që të jemi të pranishëm në Ballkan, jo vetëm për të pasur oportunitete, por dhe për të kërkuar që të zgjidhim, falë aftësive italiane, problemet më të ndërlikuara.

Faleminderit!

Previous Konkluzionet e Forumit të Ministrave të Ekonomisë në kuadër të Procesit të Berlinit