Rregulla dhe standarde të reja për artin në hapësirat publike, firmoset udhëzimi për funksionimin e Komisionit Shtetëror
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, njoftoi firmosjen e Udhëzimit për organizimin dhe funksionimin e Komisionit Shtetëror të Artit në Hapësirat Publike, duke vendosur një kuadër të qartë rregullash dhe standardesh profesionale për veprat artistike që vendosen në hapësirat publike në të gjithë vendin.
Udhëzimi, i firmosur mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, mbështetet në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 224, datë 1.4.2026, “Për miratimin e Rregullores së shfrytëzimit të hapësirës publike”, dhe synon t’i japë fund ndërhyrjeve të pakriterizuara apo nismave të rastësishme në hapësirat e përbashkëta.
Sipas kuadrit të ri, monumentet, memorialet, bustet, skulpturat, muralet dhe instalacionet artistike do t’i nënshtrohen një procesi të strukturuar shqyrtimi dhe vlerësimi profesional duke marrë në konsideratë aspektet artistike, estetike, urbanistike dhe arkitektonike.
Procedura parashikon që çdo subjekt publik apo privat që propozon vendosjen e një vepre arti në hapësirën publike të paraqesë kërkesën pranë bashkisë përkatëse. Pas shqyrtimit paraprak të kërkesës dhe dokumentacionit, bashkia ia përcjell propozimin ministrisë përgjegjëse për kulturën, përmes Sekretariatit Teknik.
Më pas, Komisioni Shtetëror i Artit në Hapësirat Publike shqyrton dhe vlerëson propozimin, ndërsa vendimi i tij i përcillet bashkisë për vijimin e procedurave. Në rast se propozimi nuk merr miratimin e Komisionit, kërkesa për vendosjen e veprës në hapësirën publike refuzohet.
Standardet e përcaktuara do të zbatohen në mënyrë të njëjtë për të gjitha veprat, pavarësisht burimit të financimit, qoftë nga buxheti i shtetit, bashkitë, subjektet private, donatorët apo partneritetet publike-private.
Ministri Gonxhja theksoi se hapësira publike nuk mund të trajtohet si një territor ku ndërhyrjet artistike realizohen pa kritere, pasi ajo ndikon drejtpërdrejt në imazhin e qyteteve, ruajtjen e kujtesës dhe formësimin e identitetit të përbashkët.
Zbatimi i udhëzimit do të shoqërohet edhe me një proces orientues dhe koordinimi ndërinstitucional, me qëllim garantimin e zbatimit të njëtrajtshëm të standardeve dhe procedurave të reja në të gjithë vendin.