Rruga drejt arsimit dhe formimit profesional po tërheq gjithnjë e më shumë të rinj vit pas viti, duke i ofruar mundësi punësimi në një treg pune i cili vazhdimit kërkon punonjës të kualifikuar.
Kryeministri Rama u ndal në shkollën profesionale të Rrëshenit ku falë angazhimit të kishës katolike dhe pasionit të Dom Gjergj Metës, është krijuar një sistem i mirëorganizuar për studimet në Hoteleri – Turizëm, Elektroteknikë, Informatikë, Shërbime Mjetesh e Transporti, Instalues Sistemesh Hidrosanitare për vajza e djem.
Në total shkolla numëron rreth 400 nxënës, ndërkohë që synimi është për të zgjeruar kapacitetet e saj për vitet në vijim. “Fillimisht është hapur si një qendër e formimit profesional, ka funksionuar si e tillë për tre vite deri në 2012, gjatë kësaj periudhe janë certifikuar 900 kursantë, për kurse afat shkurta, 4 mujore, 1 vjeçare, 2 vjeçare”, – u shpreh zëvendësministrja e Financave, Olta Manjani.
Nevoja e bizneseve, jo vetëm të zonës, për punonjës të kualifikuar ka bërë që mbi 60% e nxënësve që mbarojnë shkollën të gjejnë menjëherë një vend pune. “Tani gjithmonë e më shumë do të thellohet kjo se bizneset po e kuptojnë gjithmonë e më shumë se duhet të investojnë edhe vet për këtë sepse ndryshe nuk iu vjen njeri te dera”, – theksoi Kryeministri Rama.
“Kjo është edhe një nga përpjekjet që bëjmë që t’i ofrojmë biznesit që ata të financojnë shkollën dhe të interesohen për këtë. Nëse do të gjenim një mundësi bashkëpunimi, do të ishte një gjë shumë e mirë për mësuesit dhe nxënësit. Një nga bashkëpunimet më të mira që kemi pasur ka qenë me një shkollë profesionale në Trento. Ata kanë shumë përvojë në këtë gjë dhe kemi pasur shkëmbime të herëpashershme në Trento se është një rajon autonom dhe na ofron mundësi”, – u shpreh Dom Gjergj Meta.
Shkolla funksionon edhe si qendër profesionale ku ofrohen kurse për të rritur të cilët janë në marrëdhënie pune, e njohin profesionin, por nuk e disponojnë një certifikatë të formimit të tyre profesional.