794 mijë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajit prill 2024 duke e çuar në më shumë se 2.3 milionë shifrën totale të flukseve turistike hyrëse në 4 muajt e parë të vitit në vendin tonë. Ministrja Mirela Kumbaro bëri sot publike shifrat duke shtuar se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është në koordinim me institucionet publike dhe sektorin privat për të menaxhuar flukset e larta dhe mbarëvajtjen e sezonit.
“Rreth 800 mijë turistë të huaj vizituan vendin tonë në muajin Prill duke e çuar në 2.3 milionë shifrën e flukseve turistike hyrëse gjatë muajve të parë të 2024 ose +38% më shumë se një vit më parë ndërkohë që #MTM në bashkëpunim me institucionet publike dhe sektorin privat po punojnë intensivisht për një sezon turistik veror me prioritet; sigurinë, pastërtinë dhe rritjen e standardeve në shërbime nën zhvillimin e qëndrueshëm”, shkruan ministrja Kumbaro në faqen e saj zyrtare.
Disa ditë më parë, Kumbaro gjithashtu bëri publike shifrat të operatorëve turistikë detarë të certifikuar, të cilët janë mbi 110, dhe mbi 600 udhërrëfyes turistikë të certifikuar, si një domosdoshmëri për turizëm të sigurt. Në Konferencën e Sigurisë në Turizëm mbajtur në fund të muajit prill, u renditën edhe prioritetet e këtij sezoni që nga pastërtia në zonat turistike, kontrollet e mjeteve detare nga flota e Policisë Kufitare, hapja e 34 qendrave shëndetësore verore, siguria ushqimore etj. Sipas të dhënave nga turoperatorët privatë, përgjatë vitit 2024 priten rreth 30% më shumë vizitorë të huaj se viti 2023 që u mbyll me 10,1 milionë turistë të huaj.