Nga data 1 shtator e këtij viti, punonjësit e bashkive të Shqipërisë do të përfitojnë një pagë të re të rritur në llogaritë e tyre.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, pas mbledhjes së Qeverisë njoftoi se rritja e pagave është pjesë e një reformimi më të gjerë në pushtetin vendor, e cila përfshin edhe ristrukturimin e mënyrës së organizimit të stafit të bashkisë si dhe unifikimin e nivelit të pagave në të gjitha bashkitë, pavarësisht madhësisë së tyre.
Ky reformim sipas Ministrit Mazniku i përgjigjet problematikave të ngritura nga vetë bashkitë gjatë turit të dialogut vendor dhe në takimin e Shkodrës me kabinetin qeveritar, që kanë të bëjnë me mungesën e burimeve njerëzore dhe cilësine e tyre.
Risia është se niveli i klasave të pagave do të jetë i unifikuar në të gjitha bashkitë që do të thotë se një profesionist, qoftë ky një arkitekt, një inxhinier, një jurist apo një ekonomist, do të paguhet në mënyrë të ngjashme për punën që kryen pavarësisht se punon në një bashki të madhe apo në një bashki të vogël.
Edhe vjetërsia e punës tashmë do të llogaritet njësoj për punonjësit vendorë siç i llogaritet punonjësve të administratës qendrore.
Rritja e pagës do të jetë domethënëse dhe do të ndihmojë bashkitë më të vogla të cilat e kanë më të nevojshme dhe hasin vështirësi në rekrutimin e stafeve të kuailfikuara.
Përfituesit do të jenë specialistët e bashkive dhe përgjegjësat e sektorëve të cilët do të përfitojnë një pagë nga 40% deri në 100% më të lartë.
Kjo masë vjen si rrjedhojë e politikës dy-vjercare të qeverisë për një pagë mesatare 900 euro.
Sipas Ministrit Mazniku, kjo masë do të ndihmojë bashkitë ta kenë organikën e tyre të plotë, me njerëz të aftë, pa të cilët gjenden në vështirësi për të kryer funksionet e tyre, si dhe do të stimulojnë edhe konkurrencën me tregun privat për rekrutimin e profesionistëve duke sjellë shërbime më të mira dhe cilësore për qytetarët.
Ministri tha se bashkë me Agjencinë e Mbështetjes së Vetëqëverisjes Vendore, po punohet me bashkitë për t’i asistuar ato në lidhje me riorganizimin e strukturës së tyre.
Nëpërmjet këtij ristrukturimi, do jetë e mundur të qartësohen nevojat reale që ka një bashki për staf dhe numrin e punonjësve që i duhet një bashkie për një ngarkesë të caktuar pune, duke e bërë punën e tyre edhe më të matshme sa i përket rezultateve.