Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, priti në një takim delegacionin zyrtar të Landit të Bavarisë, që kryesohej nga Ministrja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, deputete e Parlamentit të Shtetit Bavarez, Melanie Huml.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh gjatë këtij takimi se ngritja e Komisionit të Përbashkët për Marrëdhëniet Ekonomike dhe Politike ndërmjet Bavarisë dhe Shqipërisë, në Tiranë, shënon një hap të rëndësishëm duke nisur kështu një rrugëtim të përbashkët të zhvillimit dhe rritjes ekonomike.
“Ngritja e Komisionit të përbashkët mes Shqipërisë dhe Bavarisë nënkupton përkushtimin e të dy palëve për të rritur bashkëpunimin në fusha të ndryshme të zhvillimit dhe promovimit të aktiviteteve të përbashkëta ekonomike. Gjithashtu, kjo nismë dëshmon besimin që Bavaria i ka dhënë Shqipërisë, si një partner i besueshëm në arritjen e synimeve tona të përbashkëta”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja siguroi se qeveria shqiptare mbetet e përkushtuar në krijimin dhe mundësimin e mjedisit për investime, zbatimin e reformave të mëtejshme dhe forcimin e shtetit ligjor. “Ne do të vazhdojmë të përmirësojmë politikat tona miqësore ndaj biznesit, të thjeshtojmë procedurat administrative dhe të ofrojmë mbështetje të nevojshme për të lehtësuar bashkëpunimin me partnerët tanë bavarezë”, tha ajo.
Ministrja Ibrahimaj i njohu miqtë Bavarezë me zhvillimet e dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, të cilat kanë ndikuar në ekonominë tonë, si dhe kanë krijuar një mjedis më të favorshëm për biznesin. Ajo renditi një sërë fushash si zhvillimi i infrastrukturës, energjia, turizmi dhe bujqësia.
Nga ana e saj, Ministrja Melanie Humln shprehu vlerësimin për marrëdhëniet aktuale mes dy vendeve dhe theksoi interesin për forcimin dhe intensifikimin e tyre në të ardhmen, në fusha si zhvillimi ekonomik, tregtia, energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia, arsimi apo shëndetësia.
Shqipëria, tha znj. Humln, është një vend në prosperim dhe faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe kërkojmë ta mbështesim në rrugën drejt integrimit në BE.
Ngritja e komisionit të përbashkët mes shtetit bavarez dhe atij shqiptar, sipas ministres Humln, është një hap i duhur në drejtim të intensifikimit të bashkëpunimit dhe identifikimit të fushave ku mund të shtohet mbështetja ndaj Shqipërisë.
Krijimi i komitetit të Përbashkët ekonomik midis Shqipërisë dhe Bavarisë do të mundësojë identifikimin e sektorëve kyç ku bashkëpunimi mund të sjellë përfitime të ndërsjella, duke përfshirë tregtinë dhe investimet, transferimin e teknologjisë, turizmin dhe inovacionin, etj.
Realizimi i projekteve dhe nismave të përbashkëta do të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm, do të krijojë mundësi punësimi dhe do të përmirësojë standardet e jetesës së qytetarëve tanë.
Kjo do të përforcojë të gjitha ato pika të secilit vend duke nxitur sipërmarrjen dhe rritur konkurrencën në tregun global, pasi ky partneritet shtrihet përtej bashkëpunimit ekonomik, duke përfshirë shkëmbime kulturore dhe programe arsimore.
Fjala e plotë ë Ministres Ibrahimaj:
Përshëndetje të gjithëve,
E nderuar ministre mirë se erdhët në Shqipëri,
Për mua është kënaqësi e madhe dhe nder që ju pres në MFE, në ditën e çeljes dhe ceremoninë e inaugurimit të hapjes së Zyrës për Promovimin e Marrëdhënieve Ekonomike dhe Politike ndërmjet Shtetit të Bavarisë dhe shtetit shqiptar.
Kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin midis dy vendeve tona, teksa nisim një rrugë të përbashkët që do të çojë drejt zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë shqiptare.
Në fakt marrëdhëniet midis shtetit shqiptar dhe atij gjerman janë marrëdhënie të forta, të hershme, të përqendruara në të gjitha reformat kryesore strukturore që ne kemi ndërmarrë, në fusha dhe sektorë prioritarë të ekonomisë sonë, por edhe drejt rrugës sonë të pakthyeshme drejt integrimit europian.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për qeverinë bavareze, për angazhimin e saj në forcimin e lidhjeve midis dy rajoneve tona. Themelimi i kësaj zyre nënkupton përkushtimin e tyre për të nxitur bashkëpunimin në fusha të ndryshme të zhvillimit dhe promovimit të aktiviteteve të përbashkëta ekonomike.
Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm vitet e fundit, duke transformuar ekonominë e saj dhe duke zbatuar reforma thelbësore për të krijuar një mjedis më të favorshëm për zhvillimin e biznesit. Ne kemi qenë dëshmitarë të arritjeve në fusha të tilla si zhvillimi i infrastrukturës, energjia, turizmi dhe bujqësia, dhe janë këto fusha besoj që do të jenë nxitëse besoj të bashkëpunimit tonë të mëtejshëm ekonomik, duke uruar që sa më shumë biznese gjermane e konkretisht biznese bavareze të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri.
Një ndër bashkëpunimet më të rëndësishme që ne kemi pasur me qeverinë gjermane ka qenë dhe ai në fushën e arsimit dhe formimit profesional, ku ka pasur mbështetje qoftë në rritjen e kapaciteteve të shkollave profesionale, të cilat synojnë të aftësojnë qytetarët dhe të rinjtë shqiptarë, me qëllim ‘ ofrojmë sa më shumë shërbime të gjitha bizneseve për nevojat që ato kanë. Uroj që nëpërmjet këtij bashkëpunimi ne të vijojmë në rrugën e shtruar tashmë drejt rritjes së kapaciteteve të arsimit dhe formimit profesional.
Partneriteti midis Shqipërisë dhe Bavarisë do të hapë rrugë të reja për rritje dhe prosperitet vendit tonë. Ne kemi identifikuar sektorë kyç, të cilat i përmenda edhe më parë, ku bashkëpunimi mund të sjellë përfitime të ndërsjella për të dy qeveritë, duke përfshirë tregtinë dhe investimet, transferimin e teknologjisë, turizmin dhe inovacionin, etj. Duke punuar së bashku ne mund të përfitojmë nga pikat e forta të secilit vend, duke nxitur sipërmarrjen të rrisë konkurrueshmërinë në një mjedis global.
Ekspertiza e qeverisë bavareze në teknologjitë e përparuara dhe zgjidhjet inovative do të kontribuojnë padyshim në rritjen dhe modernizimin e ekonomisë sonë. Ne presim me padurim projekte dhe nisma të përbashkëta që do të nxisin zhvillimin e qëndrueshëm, do të krijojnë mundësi punësimi dhe do të përmirësojnë standardet e jetesës së vendit tonë.
Për më tepër, ky bashkëpunim shtrihet përtej bashkëpunimit ekonomik, pasi ne synojmë që të kemi shkëmbime kulturore, programe arsimore dhe vetë kontaktet njerëzore do të rrisin kapacitetet tona. Ndërveprime të tilla do të thellojnë të kuptuarit më mirë të traditave tona, vlerave dhe aspiratave të njëri-tjetrit, duke nxitur respektin dhe miqësinë reciproke midis shteteve tona.
Zonja dhe zotërinj,
Hapja e Zyrës së Qeverisë së Bavarisë në Tiranë është një dëshmi e vizionit tonë të përbashkët për një të ardhme të begatë. Është një ftesë për komunitetet e biznesit, sipërmarrësit dhe investitorët nga të dy rajonet për të kapur dhe shfrytëzuar sa më mirë potencialet që ne kemi përpara. Së bashku, mund të kapërcejmë sfidat, të shfrytëzojmë burimet tona dhe të ndërtojmë një themel të fortë për rritje të qëndrueshme.
Ju siguroj se qeveria shqiptare mbetet e përkushtuar në krijimin dhe mundësimin e mjedisit për investime, zbatimin e reformave të mëtejshme dhe forcimin e shtetit ligjor. Ne do të vazhdojmë të përmirësojmë politikat tona miqësore ndaj biznesit, të thjeshtojmë procedurat administrative dhe të ofrojmë mbështetje të nevojshme për të lehtësuar bashkëpunimin me partnerët tanë bavarezë.
Dëshiroj ta mbyll duke shprehur edhe një herë mirënjohjen time të sinqertë për besimin e qeverisë bavareze. Le të shfrytëzojmë momentin për të krijuar aleanca të reja, për të shpalosur potencialin tonë dhe për të krijuar një të ardhme sa më të mirë për dy shtetet tona.
Faleminderit.