Sezoni turistik veror është në prag dhe masat për të siguruar një ecuri sa më të mbarë të tij, tashmë po ndërmerren nga të gjithë institucionet për të garantuar siguri, mikpritje, shërbime dhe infrastrukturë të standardeve të larta për turistët që zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e tyre të pushimeve.
Për të bërë një bilanc të masave të parashikuara u zhvillua sot një takim prezantues i punës së bërë deri më tani, me të gjitha nivelet institucionale të vendit, si dhe me përfaqësuesit e industrisë së turizmit, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama.
“Ofertës “Made in Albania të turizmit shqiptar na duhet dhe do të bëjmë gjithçka t’i shtojmë edhe certifikatën “Safe stay in Albania”si një destinacion turistik me një siguri mbresëlënëse.” – u shpreh Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në prezantimin e tij, teksa shtoi se “Policia e shtetit ka gati një plan të gjerë masash i cili shtrihet në të gjithë territorin e që ndërthuret me të gjithë agjencitë prezente ligjzbatuese, si dhe me qeverisjen vendore.”
Ndërsa, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu bëri të ditur se “Duke filluar nga data 1 qershor për të përballuar fluksin e shtuar të turistëve do të hapen 34 qendra shëndetësore sezonale, pra 4 më shumë se vitin e shkuar të shpërndara gjeografikisht në të gjithë Shqipërinë dhe në zona kyçe aty ku ka një fluks të shtuar të turistëve”.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama theksoi se është shumë e rëndësishme ajo çfarë Shqipëria do të ofrojë vit pas viti, në mënyrë që t’i përgjigjet rritjes së jashtëzakonshme të interesit dhe kërkesës.
* * *
Përshëndetje! Unë nuk po premtoj që nuk do zgjatem. Më vjen shumë mirë që sot jemi mbledhur me të gjitha nivelet institucionale të vendit si dhe me përfaqësuesit e industrisë së turizmit për të vendosur disa pika mbi i lidhur me sezonin turistik ose me saktë lidhur me pikun e sezonit turistik sepse tanimë nuk kemi një Shqipëri të ndarë në një periudhë pa turizëm dhe pastaj në një periudhë me turizëm, por kemi një vend që faktikisht e ka të shtrirë në harkun e të 365 ditëve të vitit, aktivitetin që lidhet me turizmin.
Kaq e vërtetë është kjo sa që në periudhën e parë të këtij viti ne jemi përballur me një rritje befasuese për hir të së vërtetës të numrit të vizitorëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri, i cili në janar, shkurt dhe mars të mbledhura së bashku është 65% më i lartë. Ndërkohë që, nëse shkëpusim vetëm marsin është mbi 90% më i lartë. Që do të thotë që jemi përballë një zhvillimi shumë të shpejtë dhe një rritjeje të numrit të turistëve që zhgënjen të gjitha pritshmëritë më optimiste, në sensin që është edhe më e lartë se pritshmëritë më optimiste.
Mua më kujtohet që në një takim me operatorët turistikë, disa prej të cilëve i shoh dhe këtu në Durrës, ata shpreheshin shumë të kënaqur që shifra e vizitorëve të huaj në Shqipëri kishte arritur 5 milionë dhe unë u thashë, pas 5 vitesh mos u çudisni që do shkojmë 10 milionë.
Shumëkush kishte arsye për ta vënë në diskutim këtë parashikim që nuk ishte si hedhje falli ose si ato premtimet që shpeshherë hidhen në ajër nga njerëz që e bëjnë këtë gjë për të kërkuar vota apo për të kërkuar mbështetje dhe pastaj i merr era, por ishte tamam si ato parashikimet e rezultatit të zgjedhjeve që janë të bazuara në analiza faktike, në të dhëna konkrete dhe në projeksione trendesh që kanë pa diskutim një bazë shkencore.
Mirëpo sot nëse më pyesni se ku do jetë Shqipëria 2030 në raport me numrin e turistëve dhe nëse i kthehem objektivit tonë shumë ambicioz për të pasur 20 milionë turistë në 2030, kam shumë frikë se do të gaboja pasi do të na duhet të shikojmë edhe këtë vit dhe vitin e ardhshëm për të pasur pastaj më shumë siguri për një projeksion 5 vjeçar, në sensin që unë them që nuk është absolutisht marrëzi të mendosh duke parë si ka filluar ky vit, që shifra e 20 milionë turistëve do të arrihet shumë më përpara dhe që në 2030 kërkesa për Shqipërinë mund të arrijë deri në 30 milionë, por kur flasim për këto projeksione dhe kur flasim për rritjen e kërkesës duhet nga ana tjetër që të mos harrojmë asnjëherë ofertën.
Çfarë ne ofrojmë sot dhe çfarë duhet të bëjmë ne sot dhe vit pas viti që oferta jonë t’i përgjigjet rritjes dhe natyrës së kërkesës dhe këtu vijmë dhe tek arsyeja e këtij takimi dhe tek nevoja për të kuptuar se sa e rëndësishme është ajo që bëjmë ne të gjithë, në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe në të gjitha shkallët e institucioneve nga njëra anë dhe në të gjithë ndërveprimin e sektorit privat nga ana tjetër, por në bashkëveprim dhe harmoni me njëri-tjetrin për të garantuar që kjo kërkesë të vijë në rritje dhe të mos goditet nga mungesa e ofertës apo nga cilësia e ulët e ofertës në një moment të caktuar. Duhet të jemi shumë të shqetësuar për këtë rrezik. Siç duhet të jemi shumë të vëmendshme dhe shumë të kujdesshëm për të mos e lënë këtë prurje në rrjedhje të lirë sepse e kam thënë dhe herë të tjera, ne nuk na duhet një Shqipëri destinacion i turizmit masiv. Ne nuk na duhet thjeshtë të rrisim numrin e vizitorëve të huaj. Ne na duhet një vend që i ekuilibron të gjitha shtresat dhe kategoritë e turistëve dhe që arrin të formulojë një ofertë ku nuk janë numrat në pamje të parë ato që kanë rendësi, por kur është cilësia e numrave. Çfarë do të thotë cilësia e numrave në këtë rast? Do të thotë që në varësi nga kapaciteti i konsumit të një turisti përcaktohet pastaj edhe se sa interes ke dhe me çfarë pasojash e ushqen këtë interes që të kesh 1 milionë turistë më shumë që konsumojnë pak çdo ditë apo sa interes ke që të kesh jo 1 milionë më shumë që konsumojnë pak çdo ditë, por të kesh 100 mijë më shumë që konsumojnë shumë çdo ditë.
Dallimi midis të dyjave është që ata 100 mijë që konsumojnë shumë, mund të sjellin të ardhurave më shumë sesa ata 1 milionë që konsumojnë pak, por nga ana tjetër nuk e vendosin vendin, nuk e vendosin organizmin e vendit nën presionin e jashtëzakonshëm që lidhet me pastrimin, që lidhet me trajtimin e mbetjeve sepse tjetër është të pastrosh dhe të trajtosh mbetje për 100 mijë, tjetër është të pastrosh dhe të trajtosh mbetje për 1 milionë, që lidhen pastaj sigurisht me presionin mbi infrastrukturën, me trafikun, me sigurinë e të tjera.
Për të mos u zgjatur më tutje me këtë temë që ne e kemi një temë diskutimi të vazhdueshëm dhe që kërkon jo vetëm shtjellimin e vetë deri në fund, por kërkon edhe adresimin e të gjitha pjesëve të veta duke nxitur shumë më tepër investimet që sjellin zgjerimin e kapaciteteve për turistët që shpenzojnë më shumë, duke ruajtur natyrën dhe të gjithë atë pjesë të bukurive të vendit që janë tërheqëse pikërisht sepse janë të pa prekura. Nga shtrirja e infrastrukturës për turizëm masiv dhe duke pasur parasysh se e gjithë kjo duhet të vijë e kombinuar me një rritje shumë të ndjeshme të cilësisë së përgjithshme të shërbimeve.
Sot ka një fakt, që e them duke marrë shkas nga komentet e herë pas hershme që bëhen lirisht nga njerëzit, jo nga të gjithë fatmirësisht që ne nuk na duhen aeroportet, ne nuk na duhen fluturimet, ne nuk na duhet sa turistë erdhën e sa turistë do vijnë e duke marrë një koment të dikujt që më bëri përshtypje, një zonje në rrjetet e mia sociale që nën një postim për tunelin e Llogarasë thoshte, “boll, na lodhët me vrimat e tuneleve se populli do bukë”, dhe shtonte merru me mësuesit dhe jepu më shumë mësuesve dhe me siguri ishte mësuese.
Tani e mora këtë koment sepse është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë të shpjegojmë gjëra që janë edhe normalisht pa asnjë nevojë për t’u shpjeguar, por që në këto kushte është e domosdoshme të shpjegohen sepse të gjithë njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm se çfarë është turizmi për ne, se çfarë do të thotë turizmi për ekonominë e tyre, se çfarë do të thotë turizmi për pagat të cilat njerëzit me të drejtë flasin në mënyrë të vazhdueshme dhe i kërkojnë më të larta, se çfarë do të thotë turizmi për pensionet për të cilat ka një diskutim historik, tradicional a thua se rritja e pensioneve është çështje dëshire. A thua se mund të gjendet në këtë botë ndonjë kryeministër apo ndonjë qeveri që s’do të rrisë pensionet, por rritja e pagave dhe pensioneve lidhen me kapacitetin financiar që ti ke sepse nëse ti i rrit pagat dhe pensionet pa marrë parasysh që ajo rritje nuk është një herë, ajo është çdo muaj dhe në të gjitha vitet që vijnë dhe pa marrë parasysh kapacitetet që ti ke për të gjitha vitet që vijnë, mund të rrisësh pensionet dhe pagat në një moment dhe pastaj mund të çosh të gjithë popullin në një gropë të madhe në një moment tjetër.
Lidhja mes këtyre është që nga turizmi ne kemi përfituar vitin e shkuar si vend, jo si shtet, si qeveri, si vend 4.2 miliardë euro. 4.2 miliardë euro është një shifër shumë domethënëse dhe atyre që pyesin “po ku shkuan këto para”, duhet t’u japim përgjigjen, që këto para shkuan tek njerëzit në radhë të parë, vetëm numri i familjeve në Tiranë, në Durrës, në Vlorë tani ka filluar të shfaqet si tendencë edhe në Shkodër, por edhe në vende të tjera, që japin me qira apartamente të tyre përmes sistemit AirBnB dhe që fitojnë të ardhura nga turistë të cilët nuk shkojnë nëpër hotele, pasi po të shoshësh numrin e vizitorëve 10 milionë, nuk përputhet me shtretërit që ne kemi, është shumë larg, ama shtretërit që ne kemi në hoteleri, por jo shtretërit që ne kemi në Shqipëri. Kështu që në një pjesë e madhe e tyre i drejtohen shtëpive dhe gjithë ky fond është një fond i pa taksuar. është një fond i pa deklaruar në pjesën e vetë dërrmuese, është një para e cila e gjitha e paprekur, asnjë cent, shkon tek familjet dhe është i konsiderueshëm. Qëllimisht ne kemi qenë shumë liberalë dhe tërësisht të vetëdijshëm se nuk është ky momenti për të hyre edhe tek ky fond edhe për t’i ngacmuar familjet me taksa për ketë pjesë. Po këto janë të ardhura të jashtëzakonshme që i vijnë Shqipërisë.
Një tjetër pjesë e këtyre të ardhurave ka influencuar në mënyrë shumë të ndjeshme pagat. Pagat e industrisë. Sot ne kemi një industri të turizmit që është e gatshme të paguajë pa asnjë lloj dallimi me Greqinë, pjesën dërrmuese të të gjithë zinxhirit, pa asnjë lloj dallimi me Greqinë, me ndryshimin që nëse në Greqi një djalë apo vajzë duhet pastaj në atë pagë të paguajë qiranë, ta paguajë transportin, të paguajë këtë e atë, ndërkohë që një pjesë jo e vogël e djemve dhe vajzave që punojnë në sektorin e turizmit në Shqipëri kanë shtëpinë e tyre afër dhe kanë një nivel taksash dhe detyrimesh shumë më të vogël se ç’e kanë në Greqi dhe po marr Greqinë, tanimë po marr Greqinë. Nuk e kam marrë përpara sepse është një vend shumë më i zhvilluar sa ne në turizëm dhe ka qenë e pa mendueshme më përpara që ne të krahasoheshim me Greqinë. Sot ne jemi në këtë ligë të konkurrencës, sot ne kemi hyrë në “Champions Leauge” të konkurrencës në turizëm dhe ky është sa një moment historik aq edhe një moment sfidash të gjithanshme sepse ne kemi hyrë në “Champions Leauge”, por duhet të mbetemi në “Champions League”. Italia, Greqia, Franca, Spanja , Kroacia e kështu me radhë nuk bien nga “Champions Leauge”, nuk shkojnë në kupën UEFA, apo nuk shkojnë në atë kupën tjetër europiane apo nuk shkojnë jashtë kupave evropiane. Ne nuk e kemi të konsoliduar pozicionin tonë, duhet ta konsolidojmë dhe jo vetëm do ta konsolidojmë, por duhet të jemi çdo vit e më konkurrues.
Për këtë arsye, unë dua ta shfrytëzoj këtë moment për të thënë të gjithë të rinjve dhe të rejave që janë jashtë, shumë thjeshtë dhe që punojnë në sektorin e turizmit, ose që shkojnë jashtë për të punuar në sektorin e turizmit. Ça kërkoni atje? Pse rrini atje? Sot të gjitha hotelet dhe këtu janë disa prej tyre, të gjitha hotelet kanë vende të lira dhe kanë nevojë të madhe për punonjës të kualifikuar dhe ju që jeni punonjës të kualifikuar sepse punoni jashtë, pse e lini këtë boshllëk? Ashtu sikundër i them të tjerëve që historinë e pagave e dëgjojnë nga muhabetet, ta provojnë të shkojnë të trokasin tek dyert e hoteleve të infrastrukturës turistike dhe të shohin që ka për ta, mundësi punësimi, por sigurisht që të jemi shumë të vërtetë, mundësia e punësimit në turizëm sot nuk është asgjë, në mundësinë e punësimit në turizëm nesër, pasnesër, duke marrë parasysh se sa shumë investime janë në procese miratimesh nga kërkesat e
kërkesat e sipërmarrjes private, në Tiranë, në vijën bregdetare edhe më gjerë kur vjen puna për agroturizmin apo kur vjen puna për hoteleri të nivelit të lartë. Dhe të gjitha këto investime që janë masive kanë nevojë për njerëz të kualifikuar dhe pa diskutim që vitet në vijim do të tregojnë vit pas viti që Shqipëria, falë kësaj fuqie që po merr nga turizmi do të ketë kapacitetin të paguajë në industrinë e turizmit punonjës të kualifikuar pa asnjë ndryshim nga vendet e rajonit, pa asnjë ndryshim.
Do të ketë pagat më të mira në rajonit për punonjësit e kualifikuar në turizëm sepse do të ketë mundësi ta bëjë, sepse do të ketë të ardhura shumë herë të mëdha seç ka sot, dhe jo mbas 20 vjetësh, vitin e ardhshëm, vitin tjetër pas vitit të ardhshëm dhe deri në 2030 fuqia e industrisë tonë turistike do të shumëfishohet dhe kapaciteti pagues i industrisë tonë turistike për punonjësit e vet do të shumëfishohet, kjo është pak por e sigurt.
Nuk dua të zgjatem me këtë pjesë më shumë, por dua të marre këtu një shembull shumë të thjeshte. Para se të vija këtu isha me një ndër arkitektët më me emër sot në botë i cikli është laureat i “Pritzker Prize” që është Nobeli i arkitekturës dhe që kishte ardhur në Tiranë nga Kili. Imagjinoni rrugën, nga Santiago në Tiranë për të parë Tiranën dhe për ta parë Tiranën me interesin e një personi që donte të kuptonte se çfarë dhe si po ndodh në Tiranë në aspektin e transformimit dhe sot që flasim ne kemi disa nga këta laureatë të Nobelit të arkitekturës që janë të angazhuar me projekte në Shqipëri. Projektet e tyre janë projekte që lidhen me pikërisht industrinë e turizmit.
Vetëm Lezha e Pjerinit, meqë është dhe Policia këtu dhe nuk mund mos e shkëpus Pjerinin nga të tjerët me emër. Vetëm Lezha e Pjerinit ka dy “Pritzker Prize”, dy nobelistë të arkitekturës që po punojnë me projekte për turizmin. Alvaro Siza dhe Toyo Ito. E kjo është shumë domethënëse për të kuptuar se ku jemi duke shkuar dhe për të kuptuar se çfarë do të kemi ne në dispozicion pas disa vitesh kur këto projekte të marrin formë dhe se sa me dinjitet dhe me çfarë kapacitetesh ndryshe ne do të qëndrojnë në “Champion League” të turizmit Mesdhetar. Ne jemi një vend i vogël, jemi vend i vogël, por kemi një bekim shumë të madh, prandaj unë them gjithmonë që kur Zoti bëri Shqipërinë, e bëri ditën e diel kur ishte pushim dhe në 28 mijë metra katror ka futur çdo gjë. 2 dete, 9 lumenj, male, lugina fantastike, pasuri nëntokësorë, çdo gjë të mundshme dhe të imagjinueshme për ta pasur në një distancë shumë të shkurtër, Zoti e ka futur në hartën e Shqipërisë. Nuk e di në çfarë dite dhe çfarë intensiteti pune ka pasur atë ditë që bëri shqiptarët, por kur bëri Shqipërinë ishte e diel dhe e kishte pushim. Kur bëri shqiptarët, ka qenë shumë i zënë me siguri dhe në një moment stresi ka nxjerrë shqiptarët dhe nga ai moment stresi shqiptarët dolën aq sa të jashtëzakonshëm kur janë vetëm dhe kur janë përballë një sfide që nuk kanë kujt t’i drejtohen tjetër përveç se forcave të veta të brendshme si individë, hidhi ku të duash s’ka problem, aq edhe të jashtëzakonshme pastaj për t’u ngrënë me njëri tjetrin kur janë bashkë dhe s’janë vetëm, por kjo është temë tjetër. Këtu po flasim për ne dhe turistët, nuk po flasim për ne dhe ne.
Çfarë thonë turistët kur vijnë në Shqipëri, kur i pyet se çfarë pëlqeni nga Shqipëria? Unë kam pyetur shumë se kam patur mundësinë të takoj jo pak dhe përgjigjet janë njësoj. Janë absolutisht njësoj, por ndryshon renditja. Këta befasohen nga; fjala e parë është siguria dhe flasim për turistë që vijnë nga Europa, nuk flasim për turistë që vijnë nga Somalia ose nga ndonjë front tjetër lufte. Flasim për turistë që vijnë nga Europa dhe nga ata që unë pyes, një pjesë e tyre janë për shkak të detyrës që unë kam, turistë që normalisht nuk kanë arsye të ndihen të pasigurt në vendet e tyre, por ja që ndihen. Siguria dhe pastaj vazhdon fjalia, – del në Tiranë natën dhe nuk ke asnjë ndjesi që dikush mund të të vijë dhe të bëjë diçka, dhe të të shkuli orën nga dora ose të të marri çantën nga shpina, ose të të ngacmojë për një arsye apo tjetër. Siç ndodh sot në shumë pika të kryeqyteteve të Europës, ku nuk ecet dot natën.
E dyta është larmia e bukurisë ajo që po thoja më parë. Nuk është një vend që ti vjen dhe shef një gjë, një lloj peizazhi, është një vend që ti mund të shohësh shumë lloje peizazhesh dhe pa pasur nevojë të lëvizësh nga një mijë kilometra dhe pastaj ushqimi dhe pastërtia. Nuk ka kënaqësi dhe nuk ka krenari më të madhe për mua se sa kur unë dëgjoj njerëzit që vijnë nga jashtë dhe ndër pikat që rendisin që i bëjnë më përshtypje është pastërtia. Nuk ka një italian që vjen në Shqipëri në të gjitha nivelet, që nga motra në nivelin e lartë deri tek të gjithë të tjerët që nuk thotë si ka mundësi kaq pastër, si ka mundësi kaq pastër.
Ne vetë jemi kritikë për pastërtinë, ne e dimë shumë mirë që ka akoma shumë për të bërë që të jemi vërtetë kaq pastër, por ama ka edhe më keq dhe ka edhe më keq andej nëpër ato vende, ku as na shkonte mendja, mua më shkonte mendja dhe prandaj jam marrë me këtë punë, por them shumë kujt nuk i shkonte mendja që Shqipëria do të mund të hynte në listë për të qenë bashke më këto vende dhe madje që në disa gjëra do të kishte një ofertë si kjo dhe sigurisht mirëpritja.
Tani po t’i marrim me radhë çfarë duhet të bëjmë ne? Tani ne duhet të bëjmë ekzaktësisht ato gjëra që thamë më përpara dhe s’dua t’i përsëris nga ministrat dhe ministret. Ne duhet të bëjmë ç’mos që siguria të jetë simboli i Shqipërisë për turistit, si çdo mik kur futet në shtëpinë e shqiptarit, sipas Kanunit është në vendin e vetë më të sigurt, kështu çdokush që hyn në Shqipëri duhet të ndihet në vendin e vet më të sigurt dhe kjo është shumë më e lehtë ta thuash dhe është shumë më e vështirë ta bësh dhe ne kemi bërë shumë progres në këtë drejtim por e reja e këtij sezoni me grupin e quajtur TNT që është Trupa e Ndërhyrjes Teknike, e cila përfshin të gjithë bashkë që nga Policia e Shtetit, tek Shërbimi Zjarrfikëseve, te Urgjenca Shëndetësore, do të ndihmojë që sensi i sigurisë të shtrihet përtej faktit që nuk të ngacmon njeri natën, por të jetë në çdo moment kur miku në shtëpinë tonë ka nevojë për një shërbim, kur miku në shtëpinë tonë ka nevojë për ambulancën, kur miku në shtëpinë tonë ka nevojë për helikopterin, kur miku në shtëpinë tonë ka nevojë për ndihmën teksa i rrezikohet jeta, për dikë që të vijë dhe t’i shpëtojë jetën nëpër ato situatat, sidomos në zonat malore ku ka ndodhur shpeshherë të humbasin rrugën për shkak të mos respektimit të atyre tabelave për zonat e rrezikshme, nga pikëpamja gjeografike apo në det dhe në këtë aspekt, përgatitja që është bërë synon që ta rrisë sigurinë.
Pastaj, nëse vijmë tek pastërtia, këtu janë të gjithë kryetarët e bashkive. Unë sinqerisht i falënderoj; i falënderoj sepse jam dhe në njëfarë mënyrë solidarë me ta, e kuptoj, e mirëkuptoj shumë edhe stresin e tyre sepse e di shumë mirë se çfarë do të thotë të kesh Mirelën mbi kokë kur vjen puna për të ndjekur mbeturinat nëpër Shqipëri, por është bërë një gjë shumë e madhe, e cila duhet të vazhdojë të përmirësohet në aspektin e pastërtisë sepse një fjalë goje është të thuash “Nga 10milionë turistë do të kesh 13 apo 14milionë” por keni parasysh që do kemi 13, 3 apo 4 milionë më shumë që do të konsumojnë dhe do të lënë pas mbeturina. Është sfidë shumë e madhe.
Nuk do zgjatem më tutje sepse besoj që u zgjata mjaftueshëm por dua ta mbyll me një element të fundit që është aksesi në bukuri, se të flasësh për bukurinë e Shqipërisë është një gjë, për larminë e saj por të garantosh akses tek ajo bukuri është një gjë tjetër, që do të thotë është infrastrukturë, që t’i japësh mundësi turistëve, vizitorëve që të prekin çdo vend dhe gjithmonë e më shumë vende të këtij trupi të Shqipërisë që ka hire të jashtëzakonshme dhe që ka një larmi shumë të madhe bukurie.
Pra, jo vetëm të krijosh rrugët për të shkuar por të krijosh dhe mundësinë që ato rrugë të jenë të sigurta, që ndriçimi në ato rrugë të jetë, aq sa mund të jetë në një sezon piku, pa shumë ngarkesë që të shkatërron nervat dhe jam shumë i kënaqur personalisht njëherë, sepse personalisht është një ngarkesë shumë e madhe fluksi i mesazheve dhe i shfryrjeve, që janë plotësisht të mirëkuptuara, të atyre që kalojnë drejt Fushë-Krujës për të ardhur në pjesën më poshtë pasi në korrik-gusht dhe në vijim nuk do kalojnë më andej nga kalonin zakonisht ose mund të kalojnë dhe nga andej ku kalonin zakonisht por do të kenë të hapur segmentin Thumanë-Kashar me standarde totalisht të tjera si pjesë e Korridorit Blu ose autostradës Adriatiko-Joniane që është projekti ynë më i madh i infrastrukturës dhe që do të vazhdojë me segmentet e tjera në vijim për të pasur ne segmentin tonë të autostradës që na fut në unazën mesdhetare të turizmit, më në fund.
Është shumë, po ashtu, kënaqësi që të hapim tunelin e Llogarasë i cili do mundësojë një akses shumë më të shpejtë, një akses shumë më të sigurt, një akses shumë më të këndshëm do thosha edhe pse panorama e ardhjes vërdallë në atë majën e Llogarasë është e jashtëzakonshme por edhe rruga e re me tunelin ka një akses në pamje të cilat ishin të panjohura për ne më parë dhe që janë realisht spektakolare për këdo që do të kalojë andej.
Ndërkohë që, besoj se në maj do të hapim garën ndërkombëtare për aeroportin e Gjirokastrës, i cili do t’i shërbejë të gjithë zonës së jugut. Belinda i tha arsyet pse u vendos përfundimisht Gjirokastra, duke u konsultuar dhe me ekspertizë ndërkombëtare etj, etj dhe nuk tha një arsye që nuk është arsye ndërkombëtare, është arsye kombëtare sepse duke e vendosur në Gjirokastër të jeni të bindur që do të kursehet në mënyrë më këmbëngulëse edhe benzoli për avionët, jam i bindur për këtë. Pastaj, Gjirokastra mund të dalë dhe me një brand të vetin për të ndihmuar aeroportet e tjera ndërkombëtare sesi mund të harxhojnë më pak dhe të fluturojnë më shumë.
Besoj, uroj që të gjithë së bashku do të jemi shumë të fokusuar në këtë sezon për ta fuqizuar imazhin e Shqipërisë që tanimë është totalisht një imazh tjetër dhe nuk është një imazh tjetër sepse kemi arritur të shesim jashtë diçka që nuk e kemi, por është një imazh tjetër sepse kushdo që vjen duke shkuar pas atij imazhi, e gjen Shqipërinë edhe më të bukur seç e tregojnë fotografitë apo sesa e tregojnë videot që shikon dhe që janë arsyeja se pse vjen.
Në këtë pjesën këtu është dhe kontributi i të gjithëve ju, i të gjithë të tjerëve që nuk janë këtu dhe patjetër, më vjen keq për ata që nuk duan ta pranojnë, por është puna e qeverisë, është puna e regjimit.
Regjimi ka punuar me largpamësi, ka punuar me strategji dhe regjimi ka një aftësi, ndër shumë të tjera, që ata që luftojnë me regjimin nuk e kanë. Regjimi nuk fle.