Sala: Rritje e buxhetit të barnave, modernizim i rrjetit spitalor dhe i shërbimit onkologjik
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, raportoi mbi situatën aktuale dhe prioritetet për vitin 2026, duke theksuar reformën e thelluar në shërbimin spitalor, rritjen e buxhetit për barna dhe transformimin e shërbimit onkologjik kombëtar.
Pagat në sistemin shëndetësor janë indeksuar me 2.5% për mjekët dhe infermierët në vitin 2026. Gjithashtu, njihet vjetërsia e diferencuar deri në 30 vite, nga e cila përfitojnë mjekë, farmacistë, infermierë, laborantë dhe teknikë që punojnë në shërbimin parësor, dytësor dhe në shëndetin publik.
Sipas ministres, 12 spitale në rang kombëtar kanë marrë autonomi menaxheriale, ndërsa deri në qershor 2026 pritet të përfundojë hartëzimi i plotë i rrjetit spitalor, bazuar në lëvizjet demografike dhe indikatorët e performancës si shfrytëzimi i shtretërve dhe kohëqëndrimi spitalor. Paralelisht po kryhet analizë krahasuese ndërkombëtare mbi modelet e autonomisë dhe po rishikohet baza ligjore për përmirësimin e menaxhimit financiar dhe administrativ.
Për vitin 2026, buxheti i barnave është rritur me 15 milionë euro, ndërsa po zgjerohet lista e barnave të rimbursueshme dhe po përgatitet rishikimi i metodologjisë për të garantuar akses të qëndrueshëm në barna inovative.
Në fushën e parandalimit, programi i depistimit për kancerin e qafës së mitrës për herë të parë ofron testimin HPV dhe është zgjeruar fasha e moshës në 35-55 vjeç. Mbulimi aktual i depistimit ka arritur rreth 45%. Vaksinimi kundër HPV është zgjeruar për të përfshirë edhe djemtë 13-vjeçarë, në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare. Ndërkohë, vaksinimi kundër hepatitit B ka arritur mbulim 98%, dhe studimi i prevalencës i vitit 2025 tek fëmijët 6-7 vjeç ka rezultuar me prevalencë zero, duke e afruar vendin drejt certifikimit për eliminimin e hepatitit B në popullatën pediatrike. Ministrja theksoi nevojën për rritjen e mbulimit vaksinal për fruthin, rubeolën dhe parotitin.
Gjatë janarit 2026, në kujdesin parësor janë realizuar 712.275 vizita, ndërsa 13.627 vizita janë kryer në banesë. Në fushën e mbrojtjes sociale, 48.157 familje përfituan ndihmë ekonomike në janar 2026, ndërsa 77.445 persona me aftësi të kufizuar morën pagesa nga fondi i asistencës sociale në nëntor-dhjetor 2025.
Një nga prioritetet kryesore është reformimi i Shërbimit Onkologjik Kombëtar. Po kryhet analizë e plotë e shërbimit në QSUNT dhe në rrjetin rajonal, ndërsa është hartuar plani për ngritjen e Institutit Kombëtar të Kancerit, i cili do të funksionojë si qendër kërkimore-shkencore dhe jo vetëm si strukturë spitalore. Janë miratuar protokollet e unifikuara të trajtimit nga Bordi i Tumoreve, në përputhje me standardet e Institutit Kombëtar të Tumoreve në Milano, me të cilin do të realizohet binjakëzim institucional. Brenda vitit 2026 do të rikualifikohen 6 pika rajonale të kimioterapisë sipas standardeve të QSUT, ndërsa 6 të tjera gjatë vitit 2027.
Një tjetër prioritet është reforma digjitale në shëndetësi, me fokus në sistemin spitalor dhe integrimin e teknologjive të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale.
Ministrja njoftoi gjithashtu vijimin e bashkëpunimit ndërkombëtar përmes binjakëzimeve me institucione evropiane, përfshirë bashkëpunimin me Institutin e Shëndetit Publik në Romë dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, me qëllim garantimin e standardeve evropiane në sistemin shëndetësor shqiptar.
Në fushën e mirëqenies sociale, prioritet kryesor mbetet zhvillimi i ekonomisë së kujdesit. Aktualisht po zhvillohen negociata bashkëpunimi me organizatat e OKB-së dhe Bankën Botërore për shqyrtimin dhe përshtatjen e modeleve të “care economy”, me fokus zgjerimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror. Ndërkohë, fondi social është disbursuar dhe po vijon puna për ngritjen e 14 shërbimeve të reja sociale në 12 bashki të vendit.
Së fundmi, është miratuar ligji nr. 11/2026 “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”, duke forcuar bazën ligjore për mbrojtjen dhe fuqizimin e viktimave. Paralelisht, kanë nisur negociatat me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për hartimin e studimit dhe marrëveshjeve të nevojshme për ngritjen e një qendre për trajtimin e viktimave të dhunës digjitale me bazë gjinore në Shqipëri, me perspektivën për ta zhvilluar atë edhe si qendër rajonale.
Sipas saj, prioritetet për vitin 2026 synojnë modernizimin e rrjetit spitalor, rritjen e cilësisë së shërbimeve, përmirësimin e aksesit në trajtime inovative dhe forcimin e mbrojtjes sociale, në përputhje me procesin e integrimit evropian.