Sala: Shqipëria dhe Italia marrëveshje për forcimin e kapaciteteve laboratorike dhe epidemiologjike

Shqipëria dhe Italia do të nënshkruajnë brenda javësh marrëveshjen e parë të bashkëpunimit mes Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) dhe Istituto Superiore di Sanità (ISS), me fokus forcimin e kapaciteteve laboratorike dhe të survejancës gjenomike, qasjen “One Health” ndaj rezistencës antimikrobiale, përmirësimin e monitorimit mjedisor dhe të sëmundjeve jo të transmetueshme, si edhe trajnimin e profesionistëve të rinj të shëndetit publik.

Marrëveshja u diskutua në një takim në Itali mes Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, dhe presidentit të ISS, Rocco Bellantone, si pjesë e thellimit të partneritetit mes dy institucioneve dhe forcimin e sistemeve të shëndetit publik në rajon.

Gjatë vizitës, ministrja mori pjesë edhe në një aktivitet dedikuar inteligjencës artificiale në shëndetësi, ku ishte i pranishëm edhe Ministri italian i Shëndetësisë, Orazio Schillaci. Në fjalën e saj, Sala theksoi se inteligjenca artificiale multimodale mundëson integrimin e të dhënave të imazherisë me informacionin klinik dhe gjenomik, duke krijuar mundësi për diagnostikim më të saktë dhe vendimmarrje të bazuar në të dhëna.

Ajo bëri të ditur se Shqipëria po punon për ndërlidhjen e sistemeve elektronike shëndetësore, me synim kalimin nga kujdesi i personalizuar drejt politikave dhe ndërhyrjeve në nivel popullate.

Në takimet me palën italiane u diskutuan gjithashtu rezultatet e para të bashkëpunimit në onkologji, përfshirë zhvillimet në Institutin e Tumoreve dhe Rrjetin Kombëtar të Tumoreve, ndërsa ministrja Sala ftoi homologun italian për një vizitë zyrtare në Shqipëri.