Samiti BE-Ballkan Perëndimor/Ministri Çuçi: Protesta e opozitës vetëm jashtë perimetrit të sigurisë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Samiti BE-Ballkan Perëndimor/Ministri Çuçi: Protesta e opozitës vetëm jashtë perimetrit të sigurisë

05.12.2022 Samiti BE-Ballkan Perëndimor/Ministri Çuçi: Protesta e opozitës vetëm jashtë perimetrit të sigurisë

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka zhvilluar sot një takim me kreun e Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku lidhur me masat e sigurisë për mbarëvajtjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet në Tiranë më 6 dhjetor. Në një komunkim me mediat, Çuçi tha se kjo është ngjarja diplomatike më e madhe që ndodh në Tiranë.

“Ju garantoj që cdo gjë do të shkojë më së miri. Jemi plotësisht të përgatitur tamam si një vend europian”, deklaroi Çuçi.

Lidhur me protestën e paralajmëruar nga grupime politike të opozitës, Ministri i Brendshëm tha se ajo do të lejohet jashtë perimetrit të sigurisë ku do të zhvillohet samiti.

“Ne asnjëherë s’kemi qenë kundër protestave, gjithmonë e kemi garantuar të drejtën kushtetuese për të protestuar. Kësaj radhe thjesht ka një zonë të kuqe ku do të zhvillohet samiti dhe s’mund të protestohet. Jashtë kësaj zone ne do të marrim gjithë masat që edhe protesta të zhvillohet”, deklaroi Ministri i Brendshëm.

04.12.2022 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, konferencë për shtyp për masat e marra nga Policia e Shtetit, për garantimin e rendit publik, gjatë zhvillimit të Samitit të BE-së, në Tiranë:

Përshëndetje,

Jam këtu, bashkë me kolegët, për t’iu përgjigjur interesimit të madh të qytetarëve, të adresuar nëpërmjet pyetjeve të dërguara në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, menjëherë pas konferencës së zhvilluar ditën e djeshme, nga Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, për masat e sigurisë të marra nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit.

Janë adresuar qindra pyetje nga qytetarë e punonjës institucionesh, që janë brenda perimetrit të sigurisë, por dhe nga qytetarë të tjerë që duan të udhëtojnë drejt Tiranës apo të dalin nga Tirana.

Zhvillimi i Samitit të Bashkimit Europian, në Tiranë, tregon më së miri se Shqipëria është vend i sigurtë dhe demokratik. Nisur nga rëndësia insituticionale dhe nga impakti publik që ka ky event, Policia e Shtetit është e angazhuar me maksimumin e kapaciteteve të saj njerëzore dhe logjistike, për mbarëvajtjen e tij.

Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në rrugëkalimet e delegacioneve dhe në vendin ku do zhvillohet Samiti, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, duke  bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit, me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkëmbimin në kohë të informacioneve.

Nisur dhe nga përvoja e aktiviteteve shumë të rëndësishme të zhvilluara më parë, Policia e Shtetit ka fituar përvojën e duhur dhe besojmë se edhe në këtë rast, Policia e Shtetit do të tregojë përkushtim dhe profesionalizëm, duke i bërë një shërbim të çmuar imazhit të vendit.

Dua të siguroj nxënësit, punonjësit e institucioneve, banorët rezidentë brenda permitetrit të sigurisë, por dhe jashtë tij, se data 6 dhjetor është ditë normale mësimi, pune e aktiviteti të përditshëm, pavarësisht kufizimeve të lëvizjeve në disa akse rrugore, për të cilat Policia e Shtetit ka marrë masa për devijimin e lëvizjeve në rrugë alternative, me qëllim që të mos ketë pengesa për vijimin normal të aktiviteteve gjatë datës 6 dhjetor.

Gjithashtu, dua të siguroj qytetarët shqiptarë se Policia e Shtetit nuk ka patur dhe nuk do të ketë asnjë prirje për të ndaluar apo spostuar asnjë protestë, por në këtë rast, siguria e 32 delegacioneve shtetërore me liderët e tyre nga BE dhe Ballkani Perëndimor, e delegacionit të Presidentit të Këshillit, e Presidentes së Komisionit dhe e të gjithë personaliteteve VIP të kategorisë së autoriteteve të larta shtetërore, na imponon që të vëmë sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare mbi dëshirën gjeografike për të protestuar .

Policia e Shtetit nuk e ndalon absolutisht protestën e lajmëruar, por garanton mbarëvajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë, pasi Perimetri i Sigurisë është i pacënueshëm dhe i aksesueshëm vetëm nga pjesëmarrësit në Samit dhe nga gazetarët e akredituar. Ne kemi besim se arsyeja do të fitojë mbi emocionet e kujtdo dhe jemi të përgatitur për çdo rast kur do të ndodhë e kundërta. Edhe një herë, dua të konkretizoj, nëpëmjet hartës, “Perimetrin e Sigurisë”, rrugët e bllokuara dhe rrugët alternative në të cilat mund të lëvizin lirshëm qytetarët.

03.12.2022 – Fjala e Drejtorit të Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Rebani Jaupi, për masat e marra nga Policia e Shtetit, për garantimin e rendit publik, gjatë zhvillimit të Samitit Bashkimi Europian–Ballkan Perëndimor:

Përshëndetje,

Së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Rendit dhe Drejtorin e Drejtorisë së Policisë Rrugore, jemi këtu, për të bërë prezente masat e marra nga Policia e Shtetit, për garantimin e rendit publik, gjatë zhvillimit  të Samitit Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor.

Zhvillimi i Samitit të Bashkimit Europian, në Tiranë, më 6 dhjetor, shënjon një event tejet të rëndësishëm për prespektivën europiane të Shqipërisë. Lëvizja e qytetarëve të Tiranës, më 6 dhjetor, do të impaktohet drejtpërdrejt nga ky aktivitet me përmasa ndërkombëtare.

Nisur nga rëndësia insituticionale dhe nga impakti publik që ka ky event, Policia e Shtetit është e angazhuar në maksimumin e kapaciteteve të saj njerëzore dhe logjistike, për mbarëvajtjen e tij.

Samiti i Bashkimit Europian përbën për qytetarët e Republikës së Shqipërisë në tërësi, dhe për strukturat e Policisë së Shtetit në veçanti, një mundësi të artë, për të dëshmuar kontributin e gjithsecilit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, për të rivënë në pah, standardet e larta të sigurisë që përmbush vendi ynë, si dhe për të ndikuar drejtpërdrejt, tejet pozitivisht, në imazhin ndërkombëtar të vendit tonë.

Përmes sjelljes dhe qëndrimeve tona institucionale dhe qytetare, gjatë procesit të zhvillimit të këtij Samiti, ne kemi shansin që të dëshmojmë vlerat tona historike, si mikëpritja, mirëkuptimi dhe maturia, si dhe prespektivën europiane që kemi treguar ndër shekuj, dhe të cilën kemi rastin ta shpalosim më 6 dhjetor, gjatë zhvillimit të Samitit të Bashkimit Europian, në Tiranë.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor, që do të zhvillohet në Tiranë, me datë 6 dhjetor 2022.

Në zbatim të detyrave ligjore, si duke shfrytëzuar përvojën pozitive të fituar gjatë planifikimit, organizimit dhe menaxhimit të situatës së rendit dhe sigurisë publike, gjatë zhvillimit të aktiviteteve ndërkombëtare, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke filluar nga pikat e kalimit kufitar, rrugëkalimet e delegacioneve, ambientin ku do të zhvillohet ky samit, si dhe për garantimin e rendit publik në qytetin e Tiranës dhe në të gjithë territorin e vendit.

Paraprakisht, theksoj faktin se Policia e Shtetit, për hartimin e Planit të Masave dhe për vendosjen e perimetrit të sigurisë për Samitin e Bashkimit Europian – Ballkani Perëndimor, ka bashkëpunuar edhe me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE, me qëllim zbatimin e standardeve më të larta të sigurisë, gjatë zhvillimit të aktiviteteve të këtyre përmasave.

Gjithashtu, për të garantuar sigurinë e këtij aktiviteti, po bashkëpunohet me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në vënd, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkembimin në kohë të informacioneve.

Po kështu, po bashkëpunohet me Bashkinë e Tiranës, Autoritetet e Aeroportit të Rinasit, Autoritetet e Kontrollit të Aviacionit të Tiranës, Policinë Bashkiake të Tiranës, Shërbimin Zjarrëfikës dhe Qendrat Spitalore të Tiranës, për mbarëvajtjen e tij.

Për garantimin e sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie:

– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”;

– Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;

– Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium;

– Rruga “Dervish Hima”;

– Rruga “Asim Zeneli”;

– Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”;

– Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”.

– Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

– Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”;

– Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;

– Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;

– Rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.

Në këto akse rrugore do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, ndërsa do të lejohet vetëm levizja e qytetarëve që janë banorë, brenda perimetrit të sigurisë.

Theksojmë se kufizimet e mësipërme përbëjnë perimetrin e sigurisë së Samitit dhe për këtë kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, për të respektuar kërkesat dhe procedurat ligjore, të normuara nga Policia e Shtetit.

Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në aksin rrugor;

Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”.

Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.

Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm konsistojnë në disa plane, konkretisht:

  • Garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit.
  • Organizimin e shërbimeve policore për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë së Samitit.
  • Sigurimin e delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë.
  • Eskortimin e delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas.
  • Eskortimi i delegacioneve nga PKK Morinë, Kukës, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Morinë, Kukës.
  • Eskortimi i delegacioneve nga PKK Hani i Hotit, Shkodër, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Hani i Hotit, Shkodër.
  • Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës.
  • Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, etj.

Gjithashtu, për të mos krijuar pengesa në mbarëvajtjen e institucioneve që janë brenda perimetrit të sigurisë të këtij Samiti, si dhe të banorëve rezidëntë në perimetrin e sigurisë, sqarojmë se:

 Hyrja e punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Themistokli Gërmenji”;

– Hyrja e punonjësve të AKSHI-së, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Jul Variboba”;

– Hyrja e punonjësve të Kryeministrisë, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës së “Elbasanit”;

– Hyrja e punonjësve të Kryesisë së Kuvendit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës “Ibrahim Rugova”;

– Hyrja e studentëve do të bëhet në këmbë, nga rruga “Ibrahim Rugova” – sheshi “Frederik Shopen” – rruga “Lek Dukagjini” – Universitet;

– Hyrja e gazetarëve vendas dhe të huaj të ftuar në samit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Abdyl Frashëri”, në drejtim të pallatit të Kongreseve.

Për të lehtësuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të rëndësishëm, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, që të reduktojnë në maksimum përdorimin dhe qarkullimin me automjete, gjatë kësaj dite, si dhe që të përdorin akse rrugore dhe drejtime të tjera lëvizjeje. Ky kontribut i qytetarëve do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar, për garantimin e masave të sigurisë gjatë këtij Samiti.

Në përfundim, falenderoj mediat për mbështetjen dhe siguroj qytetarët për gatishmërinë e plotë të strukturave të Policisë së Shtetit, për të zbatuar me përpikmëri të gjitha masat e planifikuara, me qëllim sigurimin e rendit publik para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit të Bashkimit Europian – Për Ballkanin Perëndimor, si dhe për një bashkëpunim efektiv me të gjithë aktorët e tjerë. Faleminderit.

Previous Prezantohet platforma eTransport për lëvizjen ndërqytetase, Kumbaro: Një mundësi e re informacioni për Shqipërinë Turistike