Nga Konferenca e përbashkët për shtyp me Presidentin e Këshillit Europian dhe Presidenten e Komisionit Europian, Kryeministri Rama theksoi përmasën historike të këtij samiti që për herë të parë u mbajt në Tiranë.
“Është hera e parë kur BE del nga kufijtë e BE për të mbajtur një samit dhe kjo ndodh në Ballkanin Perëndimor e konkretisht në Shqipëri. E shoh si një shenjë të jashtëzakonshme të një vetëdijësimi mbi të gjitha, që këto ditë, BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, ashtu siç Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE. Dhe sërish e shoh po kështu, si një vlerësim për vendin tonë, për rolin e tij në rajon, si një faktor i vendosur dhe rezistent i paqes stabilitetit dhe bashkëpunimit”, tha Rama.
“Dua po kështu të besoj se është momenti që të gjithë njerëzve në rajon, sidomos popullit shqiptar t’u përçohet mesazhi se BE është këtu për ne, është këtu për ju. Sepse është një fakt i mirënjohur se orakulli i Brukselit, barometri i BE e ka theksuar më shumë se një herë se shqiptarët janë kombi më pro BE-së në Europë”, shtoi Kryeministri.