Samiti i Diasporës, Ministri Lamallari: Diaspora, partnere kyçe në modernizimin e Shqipërisë evropiane

Shqipëria po ndërton një qasje të integruar ndaj diasporës, duke e vendosur atë në qendër të zhvillimit ekonomik, social dhe procesit të integrimit evropian. Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, gjatë fjalës së tij në panelin “Migracioni dhe politikat e riatdhesimit” në Samitin IV të Diasporës, deklaroi se synimi është forcimi i një partneriteti konkret dhe të matshëm me shqiptarët jashtë vendit.

Ai nënvizoi se diaspora përbën një pjesë të pandashme të kombit dhe një faktor të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, duke theksuar nevojën për përfshirjen e saj aktive në zhvillimin e vendit.

Lamallari vuri në dukje transformimin e administratës publike, ku rreth 95% e shërbimeve ofrohen online, duke reduktuar burokracinë dhe rritur aksesin për qytetarët, përfshirë ata jashtë vendit. Përmes platformës e-Albania, çdo qytetar mund të aksesojë shërbime dhe dokumente zyrtare në mënyrë të thjeshtë dhe të shpejtë, në funksion të një administrate që i shkon qytetarit kudo ndodhet.

Ministri theksoi gjithashtu modernizimin e Policisë së Shtetit, veçanërisht në pikat e kalimit kufitar, përmes investimeve në profesionalizëm, teknologji dhe standarde evropiane, me synim përmirësimin e sigurisë dhe cilësisë së shërbimit.

Duke u ndalur te emigracioni, Lamallari u shpreh se ai përfaqëson një mundësi për zhvillim, përmes nxitjes së investimeve, transferimit të njohurive dhe përfshirjes në vendimmarrje. Në këtë drejtim, po punohet për përmirësimin e regjistrave, forcimin e komunikimit me diasporën dhe krijimin e mekanizmave më efektivë për riintegrimin e qytetarëve që zgjedhin të kthehen.

Ministri Lamallari nënvizoi se diaspora duhet të shihet si kapital njerëzor dhe profesional, ndërsa ndërtimi i besimit përmes shërbimeve cilësore dhe transparencës mbetet thelbësor për forcimin e këtij partneriteti.