Samiti i Diasporës, Ministrja Kumbaro: Standardizimi dhe certifikimi i shqipes, prioritet për arsimin dhe integrimin evropian

Në kuadër të Samitit IV të Diasporës që po zhvillohet në Tiranë, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, gjatë fjalës së saj në panelin “Standardizimi dhe certifikimi i gjuhës shqipe në diasporë”, theksoi nevojën për ndërtimin e një sistemi të standardizuar dhe të certifikuar për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, si një hap kyç për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe për përafrimin me standardet evropiane.

Ajo nënvizoi se ndryshimet demografike dhe rritja e komuniteteve shqiptare jashtë vendit kanë krijuar një realitet të ri, ku breza të tërë rriten në mjedise shumëgjuhëshe dhe shqipja shpesh mbetet vetëm gjuha e familjes. Në këto kushte, mësimdhënia e gjuhës kërkon ndërhyrje të strukturuar arsimore dhe politika afatgjata.

Më tej, u evidentua se sfida kryesore nuk lidhet më vetëm me ruajtjen e gjuhës, por me ngritjen e saj në një nivel të ri si kompetencë e plotë arsimore, përmes standardeve të unifikuara dhe një sistemi të besueshëm certifikimi. Në këtë drejtim, u theksua domosdoshmëria e krijimit të një Agjencie Kombëtare për Gjuhën Shqipe, e cila do të koordinojë përcaktimin e standardeve, procesin e vlerësimit dhe certifikimit, si dhe rrjetin global të mësimdhënies së shqipes.

Një nga drejtimet kryesore të reformës është ndërtimi paralel i dy kurrikulave: zhvillimi i mëtejshëm i shqipes si gjuhë e trashëgimisë dhe hartimi i një kurrikule të re për shqipen si gjuhë e dytë apo e huaj, e përshtatur me nevojat e fëmijëve në diasporë. Ky proces do të shoqërohet me krijimin e një kornize kombëtare të kompetencës gjuhësore, të harmonizuar me Kornizën e Përbashkët Evropiane të Referencës për Gjuhët.

Në të njëjtën kohë, u vlerësuan nismat ekzistuese, si bashkëpunimi me Kosovën për tekste të përbashkëta, organizimi i seminareve për mësuesit e diasporës dhe zhvillimi i olimpiadave të gjuhës shqipe, të cilat kanë vendosur bazat për një qasje më të unifikuar në mësimdhënie.

Ministrja e Arsimit nënvizoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të rolit të mësuesit, përmes krijimit të një sistemi të qëndrueshëm trajnimi dhe nxitjes së brezave të rinj për t’u angazhuar në mësimdhënien e shqipes në diasporë. Paralelisht, zhvillimi i platformave digjitale dhe përdorimi i teknologjisë u konsideruan elementë të domosdoshëm për ta bërë gjuhën më të aksesueshme dhe tërheqëse për të rinjtë.

Në përfundim, u theksua se ndërtimi i një sistemi të standardizuar dhe të certifikuar për gjuhën shqipe nuk është vetëm një reformë arsimore, por një investim strategjik që lidh Shqipërinë me diasporën dhe e pozicionon shqipen si një gjuhë me status të plotë në hapësirën evropiane.