Samitit i III-të i Diasporës që po mbahet në Tiranë, ka bërë bashkë pjesëmarrës nga vende të ndryshme, si nga Kosova, Spanja, SHBA-të, Holanda, Italia, Anglia dhe Greqia për të diskutuar dhe shkëmbyer eksperienca për rolin e mjekut, zhvillimi teknologjik në fushën e shëndetësisë dhe inovacioni shëndetësor,
Në Panelin e Ministrisë së Shëndetësi dhe Mbrojtjes Sociale, “Shkëmbimi i eksperiencës, kontributi dhe roli i mjekëve nga Diaspora në Shqipëri”, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e konsideroi të rëndësishme mbajtjen e këtij Samiti.
Koçiu theksoi se ky potencial i jashtëzakonshëm mund të shndërrohet në një urë lidhëse mes mjekëve që jetojnë jashtë dhe atyre që jetojnë e punojnë në Shqipëri, siç është turizmi shëndetësor.
“Që prej pandemisë e cila ishte një nga sfidat që vuri sistemin shëndetësor në një sfidë të jashtëzakonshme jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën, numri i turistëve që vijnë në Shqipëri për turizëm shëndetësor është dyfishuar çdo vit. Shfrytëzimi i potencialeve të turizmit mjekësor nuk është vetëm një fjalë, por objektiv i lindur nga nevoja e kohës dhe e zhvilluar në një strategji të mirëfilltë pjesë e programit madhor të qeverisë shqiptare për Diasporën 2021-2025”, nënvizoi Koçiu.
Ajo vuri në dukje se një ndër objektivat kyç të strategjisë për shëndetësinë është rritja e autonomisë spitalore ku në Shqipëri është duke u zhvilluar vetëm prej pak vitesh.
“Zgjerimi i autonomisë spitalore për ne mendoj që do të krijojë hapësira të reja dhe të natyrshme për të gjithë mjekët kudo punojnë e kudo jetojnë. Shembulli i mirë në rastin e Shqipërisë është ai i Spitalit Rajonal Memorial të Fierit i cili ka filluar të aplikojë autonominë spitalore dhe është një program, një projekt të cilin ne synojmë që ta shtrijmë në të gjitha spitalet tona. Modeli i zbatuar atje, ai i një menaxhimi të pavarur nga stafi i mjekëve dhe vizitues turq dhe stafi mjekëve rezident vendas, ka vendosur një gur themeli të ndryshëm dhe një mendësi e një qasje të re të menaxhimit të spitaleve shqiptare”, deklaroi ministrja.
Koçiu shprehu bindjen dhe besimin se: “nuk do të jetë dita e largët kur të gjitha spitalet tona do të funksionojnë bazuar në këtë model dhe në një menaxhim të integruar të mjekëve të diasporës ne rolin e mjekut vizitues dhe kolegëve të tyre rezident këtu në Shqipëri”.
Në fjalën e saj, ministrja Koçiu u ndal edhe në prioritetet e buxhetit 2024 i cili i jep mundësinë sektorit të shëndetësisë të vazhdojë financimin e reformave transformuese, fuqizimin e mëtejshëm të shërbimit mjekësor, rritjen e vazhdueshme të mbulimit universal si dhe programet jetëshpëtuese dhe parandaluese.
Gjithashtu, ministrja u ndal edhe te vijimi i rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët “Sot Shqipëria nuk është më vend apo një ndër vendet me pagën mesatare më të ulët në sektorin e shëndetësisë, por është një vend që paguan më mirë se shumica e vendeve të rajonit dhe që prek nivelin e disa prej vendeve të Bashkimit Evropian”, deklaroi ajo.
Ministrja nënvizoi se “nga viti i ardhshëm pagat do të vijojnë të rriten për mjekët e familjes dhe për infermierët, ndërsa vit pas viti e hap pas hapi do të jetë akoma më i shtuar kontributi për shoqërinë dhe parashihet që gradualisht ne të ndjekim edhe vrullin edhe ritmin e të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian”.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka një listë të gjatë të të gjithë atyre që duhen bërë, nuk do të humbim kohë në realizimin e të gjithë këtyre objektivave që i kemi vënë vetes dhe do ta bëjmë akoma më të mundur, dhe ky është një premtim, bashkëpunimin dhe përfshirjen e mjekëve të diasporës në ofrimin e standardeve evropiane për qytetarët tanë, ashtu siç në fakt qytetarët tanë e meritojnë”, u shpreh ajo.
Ministrja e mbylli fjalimin me një shprehje që sipas s’ia është mishërimi i asaj që mjekët shqiptarë të diasporës me mjekët shqiptarë në vendin tonë qasen më mirë: Trupi i njeriut është një shtet i individëve të barabartë, një shtet demokratik i qelizave, një federatë që mbijeton, përparon për shkak të varësisë së ndërsjelltë që kanë këto qeliza nga njëra tjetra, njësoj edhe ne shqiptarët”.