Samiti III i Diasporës, Së bashku për Shqipërinë në agim të 111 vjetorit të Pavarësisë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Samiti III i Diasporës, Së bashku për Shqipërinë në agim të 111 vjetorit të Pavarësisë

Samiti III i Diasporës nisi sot në Tiranë, në një bashkim mbarëshqiptar të vlerave, ideve, nismave e vizioneve që do të mundësojnë rigjallërimin e formave konkrete të bashkëpunimit mes vendit amë dhe Diasporës, në promovim të rolit të rëndësishëm të saj në ndërtimin e një udhërrëfyesi për vendlindjen, të farkëtuar për t’i rezistuar sfidave të së tashmes dhe të ardhmes.

Panele të veçanta diskutimi do të mbahen sot gjatë gjithë ditës, ndër to: Diaspora dhe politika e jashtme; Inovacioni dhe Ekselenca; Dinamikat e Turizmit të Shqipërisë; Agroturizmi si instrumenti më i fuqishëm i zhvillimit rural, etj.

Çeljen e Samitit e përshëndetën personalitete politike nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Diaspora, si dhe Kryeministri Edi Rama, Presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama tha se “Lidhja me diasporën, fuqizimi i kësaj lidhje, ndërveprimi me Diasporën është rruga për të fuqizuar përpjekjen e përbashkët dhe për të fuqizuar besimin se së bashku, ne mund të arrijmë ta çojmë Shqipërinë dhe t’i ngremë shqiptarët aty ku nuk kanë qenë kurrë ndonjëherë.”

 

* * *

Shumë të nderuar miq dhe të ftuar,

Zonja dhe zotërinj,

111-ta thonë se është një numër unik në llojin e vet. Besëtytnitë dhe gojëdhënat flasin se tre njëshat të vënë së bashku simbolizojnë fuqinë transformuese të mendimit. Për të tjerë 111 është numri i engjëjve apo shifra e perfeksionit të universit dhe pavarësisht kontekstit kur tre njëshat bëhen bashkë në kalendar apo në ëndrra, të parët këshillonin meditim dhe përqendrim tek emocionet pozitive sepse ata mendonin se tre njëshat që i shfaqen njeriut apo njerëzve përpara, janë sinjali i një momenti historik që ka ardhur për jetën individuale apo për jetën kolektive.

Me këtë ogur të mirë unë kam kënaqësinë e madhe që t’ju them të gjithëve dhe në mënyrë të posaçme presidentes së Republikës së Kosovës, përfaqësuesve të lartë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, në komunën e Preshevës mirë se vini sërish në Tiranë në Samitin e Tretë të Diasporës, në agim të 111 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë!

Dhe përtej simbolikës ky takim dy ditor vjen edhe me vetëdijen e plotë se në punimet e samitit të cilat zhvillohen intensivisht jashtë këtyre seancave të mëdha plenare, na është besuar mundësia që të komunikojmë së bashku për të shkruar një tjetër faqe të re për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Samiti është një udhëkryq ku bashkohen të gjithë pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike, përtej të gjitha përkatësive krahinore dhe vendndodhjes së secilit si shqiptarë që kanë diçka për të thënë, kanë diçka për të dhënë për mënyrën sesi duhet t’i qasemi sfidave të botës ku jetojmë, e cila pa diskutim ndikon vendet ku ne jemi dhe njëkohësisht si të bashkojmë më mirë forcat për t’ia dalë në realizimin e ambicieve legjitime dhe të objektivave të përbashkëta.

Patjetër që nuk mund ta lë pa përmendur se ky samit ndodh pak ditë pasi njëshat e Shqipërisë, njëshat e Kosovës, njëshat e Maqedonisë së Veriut së bashku në një skuadër jo vetëm e çuan Shqipërinë në Europë në kuptimin e plotë të fjalës, por dhe na ri treguan edhe një herë se çfarë mund të bëjmë kur bashkojmë talentet, bashkojmë vullnetet, bashkojmë forcat dhe mbi të gjitha kemi një strategji dhe një qëllim për të fituar sepse së bashku asnjë objektiv, sado ambicioz që të jetë, nuk është i paarritshëm. Asnjë ëndërr nuk është e pamundur nëse ne jemi të vendosur që të bëjmë të pamundurën tonë për ta realizuar atë ëndërr dhe nëse ka një mësim të madh që të gjithë mund të marrim në të gjitha nivelet, individualisht apo kolektivisht nga të gjithë ata emra që na bëjnë ne krenar si shqiptarë sepse përmenden me shumë admirim, me shume respekt në një botë shumë më të madhe sesa bota jonë e vogël, është mësimi se të gjithë ata kanë pasur një ëndërr shumë më të madhe sesa çfarë mundësitë e tyre mund tua këshillonin dhe e kanë bërë realitet.

Mira Murati, Dua Lipa, Mira Mezini, Anri Sala, Altin Kadareja, Ermonela Jaho, Rita Ora, Igli Tare, Lorik Cana e me radhë, janë emra të cilët kanë rrugë të ndryshme dhe kanë arritur në maja të ndryshme të botës, por të përbashkët kanë fuqinë për t’i shkuar deri në fund me çdo çmim realizimit të ëndrrës së tyre. Këta janë ata që ne njohim, por sa janë të panjohurit të cilët në jetën e tyre kanë bërë të mundur atë që mundësitë e tyre nuk ua këshillonin që ta kërkonin sepse ishte e pamundur. Dhe nëse ka një mësim nga gjithë suksesi i shqiptarëve në Diasporë, nga sukseset individuale të shqiptareve është mësimi se asnjë ëndërr sado e madhe kur njerëzit e shohin me sy hapur nuk është e paarritshme përderisa  e shohin, por sa njerëzit janë të gatshëm që ta synojnë ta arrijnë dhe të paguajnë të gjitha kostot e asaj përpjekje, të ngrihen nga të gjitha rrëzimet në atë ngjitje, t’i rezistojnë të gjitha lodhjeve dhe zhgënjimeve në atë rrugë. Kjo e bën dallimin.

E në ndërkohë që mendoja se çfarë do të thosha këtu duke folur për të panjohurit mu kujtua historia e një djali. Historia reale e një djali i cili ishte minoren kur iku nga një zonë shumë e thellë e Shqipërisë së Veriut, në Greqi, emigrant. Kaloi kufirin ilegalisht dhe punonte si mbledhës frutash dhe kursente çdo lek që merrte aq sa flinte në pemë. Në pemën e arave ku punonte. Dhe pse i kursente lekët? Se kishte dhe ai një ëndërr të vetën. E cila ishte ëndrra e tij? Kur kishte shkuar atje për herë të parë kishte parë një vaskë dhe ishte larë me ujë të ngrohtë në vaskë dhe ëndrra e tij ishte të blinte një vaskë dhe ta çonte atje në fshatin e vet dhe të lante babain.

Dhe ma ka treguar historinë se si arriti të mblidhte lekët, të blinte vaskën, të paguante transportin, të bënte gjithë rrugën më mallrat aty afër vaskës, që të ishte i sigurtë që do të arrinte në destinacion, të merrte pastaj një kamionçinë të vogël të arrinte deri atje në fund dhe kur e futi vaskën në shtëpi, gjithë familja e priste ça ka sjellë ky nga emigracioni, panë këtë formën e çuditshme dhe menduan se djali qenka çmendur. E instaloi, e mbushi me ujë të ngrohtë që e zjeu jashtë në oborr, hodhi dhe ato sapunët e posaçëm dhe e futi babain në vaskë. Dhe më tha; ‘’nuk doja që ai të vdiste pa provuar të lahej një herë si njeri”.

Dhe sa janë këto histori dhe sa ka ndryshuar sot jeta e gjithë atyre shqiptarëve që në vitet ’90 u larguan dhe u përballën me vështirësi të jashtëzakonshme, përveçse dhe me vulën në ballë si njerëz të pa mirëpritur, si njerëz të padëshiruar, por mësimi i tyre, i të gjithëve është që çfarë të mund te bëjmë, sa shumë mund të bëjmë kur realisht jemi gati të ndjekim ëndrrën tonë dhe sa e rëndësishme është që të kuptojmë në vijimësi që nëse ky vend, nëse vendet tona ku ne sot kemi fuqinë shtetërore apo shtetbërëse siç është rasti në Maqedoninë e Veriut, nuk kanë arritur për shumë e shumë kohë aty ku do të duhej të kishin qenë apo të ishin sot, kjo në radhë te parë ka të bëjë me aftësitë tona, që çfarë jemi në gjendje ta bëjmë individualisht, të jemi në gjendje ta bëjmë dhe kolektivish; që çfarë jemi në gjendje ta japim për të arritur ëndrrën tonë individuale, të jemi në gjendje ta japim edhe për të arritur dhe një ëndërr tonën të përbashkët dhe lidhja me Diasporën, fuqizimi i kësaj lidhje, ndërveprimi me Diasporën është rruga për të fuqizuar përpjekjen e përbashkët dhe për të fuqizuar besimin se së bashku ne mund të arrijmë ta çojmë Shqipërinë dhe t’i ngremë shqiptarët aty ku nuk kanë qenë kurrë ndonjëherë.

Eqerem Vlora shkruante: “çdo popull duhet të paguajë tagrin e caktuar, çmimin e caktuar nga natyra e vet për të kaluar sëmundjet foshnjore që ia turbullojnë fillimin e një jete të re. Edhe ne po e paguajmë tagrin” – thoshte ai, – “herë me mundime të brendshme, herë me vështirësinat që na shkakton moskuptimi i jashtëm, ama nuk kemi kujt t’i ankohemi për marritë që kemi bërë. Lutem që Zoti na dhëntë durim dhe koha harrim”.

E marria e të mos pasurit për 100 vjet pavarësi përfshirë edhe 25 vitet e para të Shqipërisë demokratike, një strategji për të aktivizuar Diasporën është mbase nga më te mëdhatë e politikë bërësve këtu në Shqipëri. A e dini se kush e ka bërë përpjekjen e parë për të bërë një strategji për diasporën në vitin 2000? Nuk e ka bërë shteti shqiptar. E ka bërë Mark Gjonaj. Një individ! Në vitin 2000! Duhet të vinte  viti ogurmir i Skënderbeut kur ne organizuam dhe samitin e parë të Diasporës për të pasur një strategji e cila pastaj u zhvillua dhe u plotësua si një dokument gjithëpërfshirës në aktivizimin e kësaj fuqie të madhe që ende ka shumë e shumë për t’i dhënë këtij vendi nëse ky vend, është në gjendje që ta thithë si duhet këtë fuqi, natyrisht. Fatmirësisht ajo që nisi me krijimin e Komitetit Shtetëror për Diasporën, në Komisionin Parlamentar për Diasporën dhe Emigracionin, Dhomën e Biznesit të Diasporës,  shkollat e përbashkëta dhe kurrikulat e dakordësuara në disa mbledhje të përbashkëta me qeverinë e Kosovës, janë pjesë e strategjisë kombëtare për diasporën që e ka afatin e vet në 2025 dhe që deri në 2025 duhet riparë e gjitha për t’u aktualizuar në funksion të të gjithë këtyre komunikimeve dhe gjitha atyre gjërave që do duhet të shkojnë më shpejt dhe më mirë dhe është një dokument që parasheh me masa, me dhjetëra masa, që për t’i realizuar duhen qindra-mijëra veprime dhe ndërveprime institucionale në të gjitha hallkat e shtetit shqiptar, por edhe në ndërveprim me Republikën e Kosovës, në ndërveprim me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi sepse është shumë e rëndësishme që në këtë pikë të funksionojmë si një mekanizëm që ka pjesë të ndryshme, por që ka një qëllim dhe në fund kryen një funksion.

Shtatë apo tetë vjet janë shumë pak për të ndërtuar këtë urë kaq të madhe dhe kaq të rëndësishme, por janë të mjaftueshëm për të gjykuar sot se sa shumë potencial ka ky investim dhe se çfarë fuqie e paimagjinueshme mund të çlirohet më tutje nëse ne vazhdojmë ecim së bashku në këtë drejtim dhe unë bashkohem me Presidentin. Asnjë vend tjetër në botë, besoj unë, nuk i detyrohet kaq shumë diasporës, sa ç’i detyrohet Shqipëria dhe askush sa ne, Shqipëri, Kosova, Maqedonia e Veriut e me radhë nuk mund dot ta lërë pa e shfrytëzuar këtë fuqi të pamatshme. Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat’’ shkruante ironikisht Faik Konica nga mërgimi. Dhe për fat të mirë këtë unë besoj në dritën ogurmirë të 111 vjetorit të pavarësisë, jo vetëm kushtet, por edhe dëshirat janë mjaftueshmërisht të pjekura për ta besuar profesionet e një admiruesi të madh të shqiptarëve, Maksimilian Lamberci “Historia e vërtetë e njerëzimit”, – shkruan ai shumë kohë më parë, – “do të jetë e plotë vetëm atëherë kur shqiptarët do të lejohet ta shkruajnë fjalën e tyre” dhe unë besoj se 10 vite më parë nuk do ishim dot në gjendje ta thonim atë që mund ta themi sot me plot gojën, që pa diskutim Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, shqiptarët kanë shumë arsye për të qenë të pakënaqur, kanë shumë arsye për të kërkuar shumë më tepër sepse vërtetë ka shumë më tepër për të bërë, por ama, si sot, shqiptarët nuk kanë qenë kurrë asnjëherë më parë. Si sot, shqiptarët nuk e kanë pasur kurrë më parë peshën e tyre, jo vetëm për të marrë vendimet që dëshirojnë aty ku janë, qofshin në republika si Shqipëria dhe si Kosova, qofshin dhe në shtete ku janë qoftë popullsi shtetformuese e qoftë minoritete dhe si kurrë më parë, faktet nuk kanë folur dhe flasin sot në mënyrë inkurajuese për të ushqyer besimin se vërtetë kemi shumë ende për të bërë për t’u ngjitur në majën ku do të shkruhet fjala jonë në historinë e botës, por jemi sot në një nivel krejt tjetër nga aq poshtë sa ishim, kur Shqipëria ishte shumë larg së qeni vendi që do të dëshirohej nga thuajse 10 milionë turistë në vit, që të mos  i hyj të gjitha të tjerave apo vendi që do të dëshirohej si stacioni për Bashkimin Europian për të ardhur dhe për të bërë samitet e veta, kur Kosova ishte shumë larg asaj që është sot për njëmijë e një arsye, kur në Maqedoninë e Veriut Ali Ahmeti luftonte për të drejtën e një flamuri që nuk mund të ishte dot në përmasa të barabarta me flamurin e Maqedonisë, por duhet të ishte një flamur më i vogël dhe luftoi për centimetrat e një flamuri dhe ndërkohë flamuri shqiptar i vendosur nëpër ballkone për ditë feste mund të ishte një arsye që të shkojë ne burg.

Ndërkohë që sot, jo vetëm që flamuri shqiptar aty është i pakufizuar nga centimetrat për ata që duan ta qepin, por sot, ne kemi në Maqedoninë e Veriut shqiptarët që janë, jo vetëm pjesë e pandashme e shtetit, por janë pjesë e pandashme e qeverisjes, me Kryetarin e Parlamentit, me Ministrin e Jashtëm, – Ministri i Punëve të jashtme të Maqedonisë së Veriut është shqiptar, – me Zëvendës/kryeministrin e të tjerë.

Pa folur pastaj për Malin e Zi që nëse do të na thoshin 10 vjet më parë “Shiko se në jetën tuaj për së gjalli do të shikoni shqiptar që do drejtojë Malin e Zi” do të mendonin që do ishte rezultat i ndonjë lufte që do kishte shkatërruar gjithë të tjerët dhe çuditërisht do kishte shpëtuar vetëm shqiptarë.

Duke qenë se jam këtu, në mbyllje dua të kujtoj Gjergj Fishtën. Është e pamundur të mos  e kujtosh pavarësisht se është pjesa e hidhur e ëmbëlsisë së shqiptarisë tek “Vallja e Parrizit” kur ai e siguron Gjergj Kastriotin të mos shqetësohet për çfarë ndodh në Shqipëri sepse “Për inat të djallit dhe atyre shqiptarëve që e mbajnë Skënderbeun në fjalë, por jo në zemër, Zoti ka me e mbajt Shqipërinë në këmbë me nder dhe me lumni”.

Sot, mund ta themi me plot gojën për të gjitha arsyet qe na japin këto që kemi arritur, por dhe gjithë shqiptarët që shkëlqejnë nëpër botë apo që bëjnë sukses edhe pse të panjohur që Zoti do ta mbajë Shqipërinë në këmbë me nder dhe me lumni, jo vetëm për inat të atyre shqiptarëve që e kanë Skëndërbeun në fjalë, por jo në zemër, por në radhë të parë si shpërblim për ata shqiptarë, gjithnjë e më shumë në fakt, mes shqiptarëve që ia bëjnë hyzmetin porosisë së Skëndërbeut, duke qenë shqiptarë të mirë në shtëpinë e tyre dhe në punën e tyre.

Me një sugjerim shumë të arsyeshëm të Presidentit të Republikës, unë dua ta kornizoj këtë fjalë dhe në funksion të frymës së këtij Samiti, por edhe në funksion të asaj që thashë, rëndësia e madhe që ka që ne të jemi bashkë dhe ne të shikojmë njëri-tjetrin, të ndihmojmë njëri-tjetrin, të mësojmë nga njëri-tjetri është, në fakt, diçka e çuditshme por prapë është forca e një njeriu, e Arbën Xhaferrit i cili nuk jeton më, por i cili pati vizionin që të kërkojë që dita e alfabetit, 22 Nëntori të jetë një ditë e njohur si festë kombëtare për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe unë mendoj që tani është dita që Dita e Alfabetit, dita e gjuhës që na bashkon të gjithëve dhe që është thesari dhe bekimi ynë më i madh të jetë një dite feste kombëtare edhe në Shqipëri dhe patjetër unë besoj që edhe Presidentja e Kosovës do ia japë këtë sugjerim kryeministrit të vet. Unë e dëgjoj Presidentin për veten time.

Për  të mbyllur  fjalën time unë do largohem po do t’ia lë vendin këtu dikujt që do të mbylli dhe samitin sepse mendoj që është njeriu i duhur, pasi sipas meje, ai e mishëron më mirë se askush ndër të gjithë ne që merremi me politikë në të gjitha trojet apo qoshet e botës, ku shqiptarët merren me politikë shqiptarin modern kozmopolit. Shqiptarin si qytetar i botës. Si qytetar evropian, si njeri i angazhuar që njësoj si këta të gjithë këta artistët, shkencëtarët, sportistët që ne përmendim që janë rrezet e diellit të mençurisë, talentit, dhuntive të shqiptarit përtej kufijve të ngushtë të vendeve po dhe mendësive tona, ai e ka kapërcyer kohën dhe duke kapërcyer kohën është i vetmi, jo vetëm ndër shqiptarë, por është i vetmi ndër të gjithë politikanët e Ballkanit, që në jetën e tij politike ka marrë përsipër diçka që në letër do të ishte e pamundur. Të ndërtojnë një subjekt politik qytetarësh, pavarësisht etnive të tyre dhe ka arritur me sukses të jetë i dashur për shqiptarët, të jetë i dashur për Serbët, të jetë i dashur për malazezët dhe njëkohësish me këtë sukses të kenë inat shqiptarët, serbët dhe malazezët po kjo shkon bashkë. Dritan Abazovic për paragrafët e fundit të fjalës sime zëri është i gjithi i yti.

 

 

 

Previous Deklaratë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore arbëreshe