Samiti IV i Diasporës, Ministri Hoxha: Shqipëria po ecën më shpejt se kurrë drejt së ardhmes evropiane / Gjuha shqipe në themel të identitetit kombëtar
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në fjalën hyrëse në Samitin IV të Diasporës, deklaroi se Shqipëria po ecën më shpejt se kurrë drejt së ardhmes evropiane, ndërsa theksoi se gjuha shqipe mbetet në themel të identitetit kombëtar. Ai nënvizoi rolin thelbësor të diasporës shqiptare si pjesë e pandashme e këtij identiteti dhe i cilësoi legjitime kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedonia e Veriut për të drejtat në gjuhën amtare.
Hoxha vlerësoi kontributin e mësuesve, vullnetarëve dhe organizatorëve në diasporë, të cilët mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare, duke theksuar nevojën për më shumë mbështetje konkrete nga institucionet. Sipas tij, qeveria shqiptare është e angazhuar për të forcuar politikat në këtë drejtim dhe për të promovuar gjuhën shqipe në hapësirën evropiane.
Duke u ndalur te roli i diasporës, ministri nënvizoi se ajo përbën një dimension të pandashëm të identitetit kombëtar dhe një faktor kyç për zhvillimin e vendit. Ai shtoi se marrëdhënia me diasporën nuk është më njëkahëshe, por një lidhje e ndërsjellë që kërkon dialog të vazhdueshëm dhe bashkëpunim konkret.
Në këtë kuadër, samiti u cilësua si një platformë pune dhe bashkëpunimi, ku diskutohen sfida dhe mundësi konkrete për forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë, si dhe për kthimin e këtij bashkëpunimi në zhvillim ekonomik, kulturor dhe shoqëror.
Ministri theksoi gjithashtu se zhvillimi i vendit dhe afirmimi i diasporës janë procese të ndërlidhura që forcojnë njëra-tjetrën, ndërsa roli i diasporës mbetet i rëndësishëm në promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Samiti IV i Diasporës mbledh në Tiranë përfaqësues të diasporës nga 38 vende të botës, duke e kthyer kryeqytetin në një hapësirë të përbashkët bashkëpunimi për shqiptarët kudo që jetojnë. Ai zhvillohet nga 13 deri më 15 prill nën moton “Përmes rrënjëve lartësohemi” dhe përfshin 18 panele diskutimi, të fokusuara në fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik, nxitjen e investimeve, promovimin e turizmit dhe shkëmbimin e eksperiencës. Një vëmendje e veçantë i kushtohet ruajtjes së identitetit kulturor dhe gjuhësor, si dhe përfshirjes së të rinjve të diasporës në zhvillimet e vendit. Panelet trajtojnë gjithashtu sfidat dhe mundësitë që lidhen me digjitalizimin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e politikave publike për diasporën, me synimin për të ndërtuar një vizion të përbashkët dhe për të forcuar lidhjet mes shqiptarëve kudo që jetojnë.