Forumi i Medias për Europën Juglindore (SEEMF) u mblodh në edicionin e XVII, i cili po zhvillohet në Tiranë, me praninë e gazetarëve, redaktorëve, CEO të mediave, ekspertëve, politikanëve dhe përfaqësuesve të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, nga më shumë se 30 vende të botës, në vijim të një tradite disa vjeçare të dialogut shumëpalësh mbi rolin e pazëvendësueshëm, kontributin dhe të ardhmen e gazetarisë dhe medias.
Kryeministri Edi Rama iu adresua me një fjalë Forumit, edicioni i të cilit mban titullin “Gazetaria do të mbijetojë! Rreziqet dhe mundësitë për të ardhmen”.
* * *
Për t’iu thënë të vërtetën, isha duke menduar të vija apo të mos vija dhe deri në moment të fundit isha në këtë gjendje.
Më së fundmi erdha sepse mu tha që po më prisnit.
Nuk do kishte qenë gjë e mirë që të mos i uroja mirëseardhjen kaq shumë njerëzve që vijnë në Tiranë prej shumë vendeve për të folur për mbijetesën e gazetarisë.
Dëgjova Oliverin që tha se politikanët janë shumë të rëndësishëm për gazetarët. Sigurisht, ashtu sic kaloritë për qeniet njerëzore, nuk jeton dot pa kalori. Po kështu ,edhe politikanët janë një mish shumë i çmuar.
Megjithatë, do të përpiqen të tregohen sa më i mirë që mundem, që jam i sigurt që nuk është mjaftueshëm dhe të ndaj me ju disa mendime rreth mbijetesës së gazetarisë dhe luftës për lirinë e fjalës.
Nuk mendoj që pyetja është “Nëse gazetaria do të mbijetojë”. Unë besoj se nëse do të vijë fundi i botës, gazetaria do të jetë e fundit që vdes, nuk ka asnjë dyshim. Çështja është “A do të mbijetojë e vërteta?”
Unë besoj që ajo çka është në rrezik ditët e sotme nuk është gazetaria, por e vërteta për shumë arsye, sigurisht, por po kështu edhe pse sërisht për shumë arsye, gazetaria është bërë një përzierje shumë e madhe tanimë e së vërtetës dhe e gënjeshtrës dhe në këndvështrimin tim ky është fakt.
Pak javë më parë pata një bisedë mjaft interesante me Timothy Garton Ash, një besimtar i madh i gazetarisë dhe i lirisë së fjalës, një njeri që u beson të gjitha kauzave të mëdha të gazetarisë. Megjithatë, mes gjërave të tjera më mbeti në mendje një shprehje që nuk e kisha dëgjuar asnjëherë “Mendimet janë të lira, por faktet të shtrenjta”. Me këtë përballemi sot.
Dëgjova për 21 sulme, kërcënime kundër gazetarëve në Shqipëri.
Problemi im është që unë e di ccfarë do të thotë sulmi kundër një gazetari, e di si fakt, e di se e kam pësuar në lëkurë. Për shkak të rrethanave historike, e njihja apo e njoh luftën për lirinë e fjalës kur kjo luftë ishte duke u zhvilluar. Po kështu, e dija ccfarë ishte respekti për lirinë e botimit, çfarë nënkupton kjo kohë më parë.
Tani ndërkohë njoh abuzimin me të dyja.
Sigurisht, ccdo sulm, ccdo kërcënim kundër gazetarëve nuk ka asnjë diskutim që është diçka e neveritshme, por sa sulme bëjnë gazetarët ccdo ditë ndaj njerëzve?
E di që “politikanët nuk janë njerëz”, por megjithatë ka edhe disa pjesë njeriu në ccdo politikan. Pra, jo shumë, por një dozë.
Politikanët, sidoqoftë kanë familje, politikanët kanë fëmijë dhe sinqerisht unë jam plotësisht dakord dhe qëndroj në solidaritet të plotë me ccdo gazetar që kërcënohet, që sulmohet dhe e kuptoj plotësisht pse-në, si-në dhe të gjitha arsyet për të cilat ccdo organizatë gazetarësh ngrihet në këmbë për ta në ccdo rast.
Megjithatë, pyes veten ccdo here, sa shpesh qëllon që këto organizata gazetarësh të çohen kundër vetes, kundër kategorisë së tyre, kundër individëve në grupin e tyre, të cilët në emër të të qenit gazetar, i lejojnë vetes të bëjnë atë që kohë më parë dhe nuk po flas për një shekull më parë, po flas gjatë kohës që unë kam jetuar, ishte absolutisht jashtë çdo përfytyrimi.Me aq sa di unë jo, ndoshta ndodh por me aq sa di unë jo.
Disa vjet më parë kishim disa përballje të jashtëzakonshme për shkak të përpjekjes të palës sonë, të partisë sonë në politikë që të ndërmerrnim përpjekje për të rregulluar në një mënyrë mjaft minimaliste median në internet dhe kjo përpjekje vazhdon të më ndjekë pas si hije, në kuptimin që edhe pse u tërhoqëm, hoqëm dorë prej saj, jo sepse kam ndryshuar mendje, por sepse solli një mosmarrëveshje krejt jashtë çdolloj përmase normale që në fakt shkonte përkundër idesë të asaj ccfarë ne donim të rregullonim dhe kjo vijon ende të shfaqet si stigmë, si krim ideologjik dhe vetëm fakti që na shkoi ndërmend ishte problem i madh.
Asokohe kundërargumenti ishte se përgjigja qe vetërregullimi. Kanë kaluar vite dhe nuk shoh asnjë shenjë vetërregullimi. Shoh vetëm disa njerëz, të cilët për shkak se janë ata që janë, pra e bëjnë punën e tyre si gazetarë seriozisht dhe shoh dhe shumë të tjerë, të cilët meqenëse mendojnë se të qenit gazetar është një dorë e lirë për të bërë ccfarë të duash, bëjnë ccfarë të duan. Pra, bëjnë ccfarë të duan, vetërregullimi nuk është kurrkund dhe numri i sulmeve, numri i gënjeshtrave, numri i përhapjes të gjysmë të vërtetave është i jashtëzakonshëm.
E kuptoj idenë, politikanët duhet të ofrohen për turrën e ditës, por si mundet apo do të mundë të vendoset në një lloj kornize kjo pjesa tjetër e medaljes dhe kur ju thashë se e njihja se ccfarë ishte respektimi për të drejtën e botimit, kisha parasysh kontaktin tim të parë me gazetarinë e botës së lirë, kur mu kërkua që të botoja një artikull në gazetën “The Guardian”. Ishim në fillim vitet ’90, kurrë nuk më kishte shkuar ndërmend që një ditë do të vinte që të botoja një artikull në “The Guardian” dhe për mua ishte njësoj si të më kishin thënë që do takohesha me Papën. Ia dërgova artikullin e shkruar “The Guardian” dhe kur u ktheva në mbrëmje në shtëpi, jetoja në atë kohë në Paris dëgjova në sekretarinë time telefonike një mesazh zanor nga “The Guardian” ku më thuhej: “nuk e botojmë dot artikullin tënd nesër sepse na duhet që të kontrollojmë disa gjëra, t’i verifikojmë me ju”. Nuk më zuri gjumi gjithë natën sepse mendova se kisha bërë një gjë shumë të gabuar. Të nesërmen u lidha me ta dhe dëgjova që donin lejen time për titullin që ishte i përkryer, nuk kishte asnjë problem dhe donin të verifikonin me mua dy korrigjime që mendoj nuk kishin ndonjë vlerë. Kur i pyeta, “vetëm për kaq nuk e botuat artikullin”? Më thanë: “Po”. Iu thashë: “Pse? Personi tjetër nga ana tjetër e telefonit u habit. Më thotë: “çfarë do të thotë “pse”, ti je autori”. Tani imagjinojeni ndryshimin në kohet e sotme.
Unë nuk mendoj se bota e kontrollit të fakteve dhe bota e etikës së lartë ishte një botë e vjetër që duhej përmbysur nga evolucioni i folësve të lirë të cilët do të jepnin vetes çdo të drejtë për të hedhur gjithçka u vinte në publik, pa e vrarë mendjen as nëse kjo ishte e vërtetë, nëse ishte gjysmë e vërtetë, që është një gënjeshtër edhe më e madhe se gënjeshtra, por nëqoftëse këto do të ishin gënjeshtra, asgjë.
Përpara se të vija këtu mu desh të jepja një intervistë për një stacion televiziv italian dhe edhe tani nuk e di pas sa ditësh që ne bëmë publike këtë marrëveshje me qeverinë italiane për emigrantët më duhet t’i përgjigjem pyetjes për rrezikun që mund t’i vijë Shqipërisë duke sjellë këtu 3000 meshkuj afrikanë, që s’ka qenë kurrë kështu. Kur kryeministrja italiane shpjegoi marrëveshjen për shtypin, tha që gratë shtatzëna dhe të miturit nuk do të përfshihen në këtë program. Sigurisht për shkak të gjendjes së tyre. Do të merren e do të çohen menjëherë nga ku janë ose gjenden në det dhe do të çohen menjëherë aty ku mund tu jepet ndihmë e menjëhershme, është kaq e qartë. Lajmi që doli prej kësaj ishte: asnjë grua, vetëm 3000 burra afrikanë. Dhe kështu u përhap dhe nuk e di sa e sa herë gjatë këtyre ditëve më është dashur ta sqaroj dhe vazhdon të mbetet e ngulitur në të gjitha ato fantazi që zakonisht prodhohen nga këto gënjeshtra për tu lënë vend pastaj zënkave politike. Pra do të vijnë afrikanët këtu, të uritur seksualisht dhe pastaj Zoti e di se çdo të ndodhë kur të shfryjnë dëshirat e tyre një ditë te gratë e bardha, tek vajzat e bardha shqiptare. Deri në këtë pikë!
Tani e di sërish, ju jeni njerëz, politikanët nuk janë njerëz, megjithatë pyetja për ju njerëz është kjo: si mund ta luftomë këtë? Si ta luftojmë këtë gjë dhe ky është vetëm një shembull që ka përfshirë dy vende, sepse nuk ka dallim. Kjo nuk është në Shqipëri, është në Itali. Unë e di që italianët janë shqiptarë të veshur me Versace, por është në Itali sidoqoftë, është kudo, kështu është, është çmenduri!
Liria e shtrirjes së informacionit e ka tejkaluar masivisht lirinë e fjalës. Ajo çfarë më shqetëson më shumë është që nuk ka më dialog, nuk ekziston më. Ka llogore! Ka llogore parapëlqimesh për fakte alternative apo të vërtetash alternative siç do thoshte dikush dikur. Pra gjithkush pozicionohet në llogoren e vet dhe nga kjo llogore nuk ka askurrfarë dëshire për të dëgjuar apo për të shkëmbyer. Është vetëm kjo prirja për të qëlluar në drejtim të llogores tjetër. Dhe në botën e vogël paqësore demokratike të Shqipërisë ndoshta kjo nuk është problem i madh, por me një shkallë mjaft të gjerë kjo ekziston në mbarë botën dhe nuk është diçka që ekziston midis partive në një vend apo midis politikanëve dhe gazetareve në një vend të caktuar, por midis komuniteteve mjaft të mëdha. Midis komuniteteve mjaft të mëdha që luftojnë dhe armët më të mira janë gënjeshtrat dhe gjysmë të vërtetat. Ky është një shqetësim që kam dhe që doja ta shprehja sepse pikë së pari do të ishte tmerrësisht e dhimbshme të lexoja fjalën që më ka përgatitur ekipi im, ja ku e kam. Jo vetëm do ishte e dhimbshme për mua, por askush mes jush nuk do ta besonte që po i them këto gjëra kështu që ç’vlerë ka të vij këtu t’ju harxhoj kohën tuaj dhe të timen nëse nuk ju them të vërteten? Kjo është e vërteta ime! Me supozimin që unë nuk jam njeri, jam thjeshtë politikan. Pra jam mishi që po ngre zërin e që e di që do të bëhet më pas pre. Më kujtohet dhe nuk e di kush më ftoi në një gjë të tillë të ngjashme dhe ishte e jashtëzakonshme, ishte për etikën, një gjë shumë e madhe, me një mision shumë të madh. Mes gjërave të tjera thashë: imagjinojeni nëse nazistet do të kishin lirinë e shtrirjes së informacionit që ekziston sot, çfarë do t’i kishte ndodhur botës? Dhe nuk ishte as mendimi im fillestar, nuk ishte mendimi im origjinal. Është një mendim i shprehur nga një hebre i shquar Sasha Baron Cohen të cilin për fat të keq nuk e citova dhe e vetmja gjë që morën nga ky takim ishte që unë krahasova gazetarët me nazistet dhe kush e tha? Gazetarët që ishin brenda. E thashë unë? Jo. Natyrisht që unë nuk jam engjëll, por thjeshtë dua t’ju them se duke qenë një njeri që ka luftuar për lirinë e fjalës, e duke qenë se më është dashur të ndiej gjakun, gjakun e vërtetë dhe jo atë metaforik në gojë, për shkak të kësaj e kam gjithmonë problem ta ndaj veten time si kryeministër apo çfarëdo qoftë nga kjo pjesë e qenies sime që ndihet tejet e fyer nga kjo mungesë tërësore respekti për kaq shumë njerëz që edhe ditët e sotme luftojnë që të kenë mundësinë të thonë diçka që nuk e thonë dot në këtë botë, mungesën e respektit për kaq shumë njerëz që kanë vdekur sepse kanë thënë diçka e kështu me radhë, pra është diçka mjaft personale për mua.
E di që kjo nuk është gjë e mirë, por për këtë pjesë nuk jam mjaftueshëm politikan dhe e di që kjo nuk do të zgjidhë asgjë, por e di që ju nuk jeni mërzitur dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Sepse të ftosh miq në shtëpi e t’i mërzitësh, është në fakt katastrofa më e madhe sipas këndvështrimit tim, kështu që jam i sigurt që nuk u mërzitët.
Për pjesën tjetër jam shumë në rregull nëqoftëse nuk bini dakord me mua. S’ka asnjë problem, jeta vazhdon.
Tashmë “merrni thikat, përgatitni biftekët, më hani nesër”, unë do të vazhdoj të jem gjallë, por edhe një herë nuk është e lehtë dhe sidomos është e tmerrshme kur sheh fëmijët e tu që nuk e kuptojnë se çfarë ndodh. Kam një djalë të vogël. Kemi bërë gjithçka kemi mundur që ta mbajmë sa më larg të jetë e mundur nga lajmet, por tani nuk është aq i vogël sa të jetë krejt i paditur për atë që ndodh dhe të përballesh tanimë me pyetjet që dalin nga kjo botë e fjalës së lirë, është përvoja më e dhimbshme dhe më e vështira për t’u përballuar si baba. Faleminderit!