Sesioni Hapës i Kongresit Botëror të Ligjit nis nesër në Tiranë, në fokus reforma në drejtësi dhe integrimi evropian
Tirana do të presë më 6 dhe 7 maj Sesionin Hapës të Kongresit Botëror të Ligjit 2027, një aktivitet i nivelit të lartë i organizuar nga Shoqata Botërore e Juristëve në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, që shënon nisjen e forumit global të së drejtës, i cili do të mbahet në Shqipëri vitin e ardhshëm.
Aktiviteti nis më 6 maj me ceremonitë “Honoris Causa”, ku disa universitete shqiptare do të nderojnë figura të njohura ndërkombëtare të së drejtës dhe akademisë, ndërsa më 7 maj zhvillohet sesioni kryesor në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve ligjore ndërkombëtare, gjyqtarëve dhe ekspertëve të fushës.
Sesioni i hapjes do të drejtohet nga Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ndërsa Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Shoqatës Botërore të Juristëve, Javier Cremades, do të mbajnë fjalë në këtë aktivitet, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të diskutimeve mbi të ardhmen e sundimit të ligjit.
Programi përfshin një prezantim audiovizual mbi zhvillimet kryesore të reformës në drejtësi dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian, si dhe diskutime mbi rezultatet e arritura, sfidat dhe prioritetet për forcimin e shtetit të së drejtës, në përputhje me standardet evropiane.
Një panel ndërkombëtar i nivelit të lartë do të trajtojë përvojën e dekadës së fundit të reformës në drejtësi dhe perspektivat për fazën e ardhshme, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe institucione të tjera ndërkombëtare.
Në kuadër të sesionit pritet gjithashtu shpallja e iniciativave të reja, përfshirë krijimin e një forumi për sundimin e ligjit në Tiranë dhe miratimin e “Deklaratës së Tiranës për të Ardhmen e Sundimit të Ligjit”, si dhe prezantimi i pritshmërive për Kongresin Botëror të Ligjit 2027.
Zhvillimi i këtij aktiviteti në Tiranë vlerëson progresin e arritur në reformën dhjetëvjeçare në drejtësi dhe forcon pozicionin e Shqipërisë në agjendën ndërkombëtare të sundimit të ligjit, në kuadër të procesit të integrimit evropian.