Së pari, dua të falënderoj për mikpritjen këtu të zotët e shtëpisë në një strukturë të re e cila është rezultat i drejtpërdrejtë i politikës së ndjekur nga ana jonë, për të stimuluar sipërmarrjet në turizëm që adresojnë nevojën e krijimit së strukturave me 5 yje, me 4 dhe 5 yje më saktë, që shpeshherë keqkuptohet ose keqinterpretohet qëllimisht, për t’ju krijuar njerëzve idenë që kjo që bëjmë ne me këto struktura është favorizim i më të pasurve.
Në fakt krejt e kundërta është e vërtetë. Kjo që bëjmë ne me këto struktura dhe rritja e pranisë së tyre në vazhdim në vendin tonë është favorizim i drejtpërdrejtë i ekonomisë kombëtare, favorizim i drejtpërdrejtë i gjithë rrjetit të shërbimeve, favorizim i drejtpërdrejtë i prodhuesve vendas të të gjithë asaj pjese të ushqimit që vjen drejtpërdrejtë nga ferma shqiptare, favorizim i drejtpërdrejtë i konsumit. Këto janë struktura që sjellin një tjetër lloj turisti nga ai që vjen thjesht për të kaluar një ditë apo dy ditë, ose nga ai që vjen me “bukë me vete”, pra ai lloj turisti që rrit nganjëherë masën, por nuk rrit në mënyrë të ndjeshme të ardhurat në ekonomi. Ky është një fakt i thjeshtë dhe krejtësisht i vërtetueshëm në të gjithë hartën e zhvillimit të turizmit kudo, por kryesisht në Shqipëri dhe mbi të gjitha për të gjithë ata që flasin për nevojën për një punësim të mirë-paguar, këto janë struktura të cilat paguajnë punonjësit me paga që në mesataren e vendit tonë janë paga mbi mesatare, edhe për punët më të thjeshta dhe prandaj e çmoj shumë të gjithë përpjekjen e bërë në këtë drejtim nga të gjithë ata sipërmarrës të cilët duke iu nënshtruar standardeve që kërkohen për të tilla struktura mikpritjeje, faktikisht bëjnë dhe investime të konsiderueshme në fazën e parë. Pastaj dihet shumë mirë që hoteleria është një sipërmarrje fitimprurëse, por që kërkon kapital intensiv në fillim dhe durim vit pas viti për të nxjerrë fitime mbi investimin.
Pa diskutim që ne kemi pasur një sezon surprizues në aspektin e shifrave edhe për ne vetë që ishim të përgatitur për të pasur një sezon më të mirë sesa ai i shkuari, apo sesa gjithë sezonet e tjerë, por realisht sezoni ka qenë surprizues për sa i përket flukseve të të ardhurave për ekonominë. Vetëm në 6 mujorin e parë ne kemi kaluar 1 miliard të ardhura në ekonomi nga turizmi, pra pothuajse dyfishin e vitit të mëparshëm. Flukset e vizitorëve të huaj, deri në gusht kemi qenë në 5.6, 5 milionë e 600 e disa mijë turistë që është e barabartë me faktikisht 1.3 milionë më shumë sesa vitin e kaluar. Flukset e vizitorëve të shpërndara në të gjithë territorin, kemi patur, e tha ministrja pak, një diversifikim shumë domethënës të fashave të vizituara, nga veriu në jug dhe një prurje shumë inkurajuese për zonën veriore falë edhe investimeve të mirë menduara që kemi bërë, për të përmirësuar infrastrukturën drejt atyre pikave që janë pikat më tërheqëse të veriut dhe që do të vazhdojmë t’i bëjmë dhe sidomos një turizëm që ka sjellë shumë vizitorë në disa qytete, duke filluar nga Tirana.
Tirana ka pasur një bum të jashtëzakonshëm turistësh të cilët kanë preferuar Tiranën dhe qëndrimin në Tiranë dhe kjo shihet, jo vetëm nga hotelet të cilat kanë qenë plot e përplot, por edhe nga numri shumë i madh i apartamenteve të marra me qira përmes agjencive dhe në rrugë digjitale.
Tani të gjitha këto natyrisht janë domethënëse, siç është domethënëse një shifër, e përmendi ministrja e Financave, që është shifra e pjesëmarrjes së turizmit në volumin e përgjithshëm ekonomik të vendit tonë, në prodhimin e përgjithshëm kombëtar të Shqipërisë. Kur ne kemi nisur punën për ta transformuar Shqipërinë në një vend turistik, turizmi ishte rreth 4% kontribut në ekonominë e vendit. Nëse kthejmë kokën pas, – shumëkush e ka harruar se është natyra njerëzore, e keqja harrohet shpejt, e mira nuk mbaron kurrë, s’mjafton kurrë dhe është krejt normale, – kemi pasur një turizëm krejtësisht primitiv dhe jashtë çdo lloj standardi të konkurrencës në këtë mjedis gjeografik ku Shqipëria ka fatin, por ka njëkohësisht edhe peshën e madhe të vështirësisë mes lojtaresh botërorë të turizmit, që nga Italia, te Greqia dhe lojtarësh shumë të fortë rajonal, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia që janë praktikisht me një traditë shumë më të gjatë sesa e jona, që deri përpara 30 vitesh kemi qenë një vend pa turizëm, faktikisht, me detin krejtësisht të ndaluar.
Sot pjesëmarrja e këtij sektori në volumin e përgjithshëm në ekonominë e vendit, në prodhimin e përgjithshëm kombëtar është 17%. Pra, nga 4% në 17%, për të gjithë ata që për një 1001 arsye refuzojnë ta njohin progresin dhe e kanë kujtesën të shkurtër faktikisht. E kanë kujtesën shumë të shkurtër. Kemi qenë një vend dhe kjo gjë ka vazhduar dhe për disa vite për hir të se vërtetës, pavarësisht përmirësimeve të qeverisjes sonë që bënim lajm për pisllëkun, që dilnim nëpër mediat e huaja në periudhë vere si një vend pis, i ndotur. Jo shumë larg nga këtu kemi pasur një nga gangrenat më të mëdha të Shqipërisë, por dhe një nga gangrenat më të turpshme të kontinentit europian, fushën e plehrave të Durrësit, e cila bënte lajm çdo verë në mediat e botës dhe e cila është bërë subjekt kronikash në televizionet më të rëndësishme në Gjermani, në Angli e kështu me radhë.
Sot, ne mund ta themi me plot gojën që Shqipëria bën lajm për të kundërtën. Në të gjithë mediat e rëndësishme botërore që shkruajnë për turizmin, Shqipëria e nxjerr kokën diku më shumë, diku më pak, por e nxjerr kokën. Pra, është midis vendeve që rekomandohet për t’u vizituar dhe për të kaluar pushimet. Ky është një ndryshim epokal, nuk është një ndryshim i vogël.
Kemi pasur këtë vit, falë punës këmbëngulëse si sot e një vit më parë, siç kemi filluar sot punën për vitin e ardhshëm, nën drejtimin e Ministres së Turizmit dhe Mjedisit që ka bërë diferencën në këtë drejtim, por edhe falë disa shembujve shumë inkurajues të disa bashkive, ose më saktë të 1 bashkie të vetme për hir të vërtetës, bashkisë së Lezhës përsa i përket pastërtisë dhe sot, me përjashtimin spektakolar të bashkisë së Vlorës, mund të themi me plot gojën që kemi pasur një sezon, jo vetëm më të pastër se asnjëherë, – se më të pastër se asnjëherë nuk është ndonjë gjë e madhe po të keni parasysh se sa pis kemi qenë, – por një sezon realisht të pastër, duke filluar nga Tirana. Të gjitha përshtypjet e anketuara të vizitorëve të huaj në Tiranë fillojnë me pastërtinë.
Natyrisht që Tirana ka probleme me pastrimin në pika të caktuara, por fillojnë me pastërtinë, në një kryeqytet që ishte simboli i pisllëkut, pas 4 vitesh që ra në atë gjumin e thellë që tani mbase të gjithë e kanë harruar bashkë me atë që gërhiste, por ishte fakt.
Sot, ne kemi të gjitha mundësitë që ta shikojmë atë që do të jetë Shqipëria 2030 si një potencë turistike në gjithë këtë rajon dhe nuk e ekzagjeroj fare kur them potencë turistike dhe jo me 17% pjesëmarrje të turizmit në ekonominë tonë, por pa diskutim mes 25 dhe 30% sepse investimet që po bëhen janë të një proporcioni që absolutisht e mundëson këtë ambicie dhe jo vetëm me një pjesëmarrje në volumin ekonomik, por me një pjesëmarrje në rritjen e cilësisë së vendeve të punës, në rritjen e larmisë së vendeve të punës për shumë më tepër vende pune të specializuara dhe patjetër në rritjen e pagave.
Aeroporti i Vlorës po ecën me ritme shumë të mira dhe është i garantuar nga marrëveshja me aeroportin e Mynihut, i cili do jetë operatori i aeroportit të Vlorës dhe aeroporti i Mynihut nuk është një operator që hyn në një marrëveshje për pak gjë, por hyn në një marrëveshje për shumëçka.
Aeroporti i Sarandës do jetë në kantier gjatë këtij mandati.
Aeroporti i Kukësit ka hapur një perspektivë të re, zhvillohet më ngadalë, krejt e natyrshme, brenda parashikimeve, por ka hapur një perspektivë të re dhe ne po shtyjmë për investime të rëndësishme në zonën e Kukësit përsa i përket turizmit.
Është kollaj të qeshësh, është shumë më kollaj të përqeshësh, është akoma më kollaj të manipulosh dhe të helmosh, por unë e përsëris, sado që përsëri mund të përqeshem dhe përsëri mund të përdoret për të manipuluar dhe për të helmuar, që të gjithë ata të cilët paguajnë nga 30 mijë paund për të marrë ato rrugët e frikshme të emigracionit klandestin, duke ia lënë gjithë kursimet në dorë trafikantëve, në kërkim të një parajse që nuk kanë për ta gjetur në Angli, me ato 30 mijë paund mund të bëjnë ekonominë e tyre atje në Kukës. Këtë nuk e them bazuar në çfarë kam parë në ndonjë ëndërr me sy mbyllur, por këtë e them bazuar në çfarë kam parë në realitetin e shumë agroturizmave që janë ndërtuar.
Le të shkojnë e t’i pyesin ata, të cilët edhe me mbështetjen e qeverisë, dhe ne jemi gati t’i mbështesim, të gjithë ata të rinj në Kukës që duan të bëjnë një agroturizëm ne jemi gati t’i mbështesim. Edhe mbështetja e qeverisë, që kanë transformuar shtëpinë e gjyshërve të tyre, tokën e gjyshërve të tyre në një agroturizëm, fitojnë nga ai agroturizëm shumë më shumë se çdo të fitonin nga çdo punë, në të bardhë apo në të zezë, në Angli.
Ky është fakt.
Nga ana tjetër, është po ashtu fakt që agroturizmi kudo po jep rezultat për ata që e marrin përsipër dhe që e kanë marrë përsipër dhe po shtohet pikërisht sepse po shohin njëri-tjetrin dhe po kuptojnë që është një e ardhur e sigurt dhe do jetë një e ardhur gjithmonë e më në rritje në Shqipërinë që do bëhet potencë, po iu them, do bëhet kampione e Ballkanit në turizëm brenda këtij 10 vjeçari. Është e destinuar të bëhet kampione e Ballkanit dhe ky sezon është inkurajues në këtë drejtim. Jemi akoma larg asaj pike, por jemi mjaftueshmërisht afër, po të kemi parasysh progresin e bërë dhe bazat që janë hedhur.
Ka plot sipërmarrje që sot janë edhe sipërmarrje që kanë ndërtuar këto hotele, përsëri ka vepra rrugës, përsëri me yjet e nevojshme për të sjellë në një nivel tjetër ofertën turistike shqiptare. Përmenda aeroportin e Vlorës, përmenda aeroportin e Sarandës, përmenda aeroportin e Kukësit, por jemi edhe pak javë, në mos pak muaj, – është vetëm çështje e përfundimit të procedurave edhe në parlament, – na ndajmë nga fillimi i punës për Portin turistik më të madh të Mesdheut, këtu në Durrës. Porti më i madh turistik i Mesdheut, në Durrës dhe natyrisht dihet se çfarë sjellin portet turistike, sjellin përsëri atë kategori turistësh, që pasi lënë varkat e tyre në port dalin e konsumojnë shumë, konsumojnë shumë nëpër hotele, konsumojnë shumë nëpër restorante, konsumojnë shumë nëpër dyqane dhe gjithë ky konsum shkon në shtëpitë e atyre që i ofrojnë ato shërbime e janë shtëpi shqiptarësh dhe i gjithë ky konsum shkon në rritje pagash të atyre që punojnë në këto shërbime.
Po kështu, ka filluar ndërkohë porti turistik i Vlorës, një tjetër xhevahir në gjithë bregdetin shqiptar, me një tjetër potencial të madh të ardhurash në ekonominë kombëtare jo vetëm të Vlorës.
Po kështu, ka filluar porti turistik në Sarandë.
Jemi mbrapa pak, por brenda parashikimit me portin turistik të Shëngjinit.
Në ndërkohë, për të mos u zgjatur me gjithë aspektet pozitive, dua të them që kemi disa gjëra të rëndësishme për të bërë më mirë, duke filluar nga siguria në plazhe, si rezultat i rritjes së numrit të mjeteve lundruese, që nga mjetet e argëtimit tek mjetet e shpejta dhe tragjedia që, fatkeqësisht, ndodhi ishte një kambanë e fortë alarmi për këtë punë dhe unë kam shumë besim që edhe me planin e ri që është bërë për të mos lejuar më përdorimin e jet skive, skafeve të vogla kudo por për t’i sistemuar ato në zona të caktuara si dhe me punën që po bëhet në Policinë e Shtetit për ngritjen e një njësie speciale të monitorimit të plazheve, do të kemi më shumë disiplinim,
por të mos harrojmë që ne vijmë nga një kulturë dhe nga një histori që detin e ka parë si territorin nga ku vinte armiku, historikisht, jo vetëm në kohën e komunizmit që u bë pastaj territori për të mos u shkelur se deklaroheshe armik dhe natyrisht që duke pasur këtë prapambetje të madhe në raport me kulturën e detit, jemi gjendur natyrshëm jo thjesht si qeveri apo si struktura shtetërore, por si shoqëri të papërgatitur, njësoj siç u gjendem kur në vend se të kishim vetëm një grusht makinash shtetërore dhe autobusësh që lëviznin me ritmin e qerres, u bënë të gjithë me makina dhe numri i aksidenteve u rrit në mënyrë eksponenciale, se vijnë të këqijat që sjell zhvillimi, janë pjesë e rrugës së zhvillimit për fat të keq, por nuk ka rrugë tjetër përveç rrugës së zhvillimit. Thënë kjo, është shumë e rëndësishme që të zbatohen ato që shkruhen sepse plani dhe rregullat ishin aty, por që të zbatohen kërkojnë struktura të mirë trajnuara dhe të mire angazhuara, gjë që nuk ishte rasti me gjithë strukturën e kufirit të Policisë së Shtetit. Ashtu sikundër nevoja për ta reformuar komplet, të gjithë administrimin e detit, është tani në tryezë dhe gjithë ato institucione që ne i kemi të shtrira edhe në det dhe që faktikisht bëjnë një lëmsh të madh përplasjesh kompetencash dhe mbivendosjesh, duhet dhe do të rishikohen tërësisht duke fuqizuar si kudo rojën bregdetare dhe duke tërhequr nga deti një sërë institucionesh që nuk kanë nevojë të shtrihen deri atje, për të pasur një administrim shumë të thjeshtë të strukturës.
Tjetra që duhet punuar më shumë, sepse nuk është çështje ndërtimi hotelesh edhe ndërtimi resortesh dhe hapjes dyersh për të pritur turistë dhe nuk është vetëm çështje dielli, deti dhe dhome për të fjetur, por ka shumë të bëjë dhe çfarë do ofrojmë ndërmjet, përveç shërbimeve që kanë qenë më lart se asnjëherë tjetër, duke filluar nga shërbimi 24 orë i Urgjencës Shtetërore në gjithë vijën bregdetare. Ku kishte Urgjencë Shëndetësore deri para se ne të merrnim detyrën dhe sot Urgjenca Shëndetësore është shumë më e konsoliduar se ç’ishte edhe deri disa vite më parë kur ne e kishim detyrën, se kështu funksionon, por edhe shërbimet e sigurisë ushqimore dhe kështu me radhë.
Ama kemi shumë boshllëk përsa i përket dimensionit të kulturës, historisë dhe argëtimit sidomos për fëmijët në sezonin turistik. Kemi një sezon turistik për të mëdhenjtë, ku fëmijët janë zgjatim i bishtit të çadrës edhe pastaj merren e mbyllen në dhomë se nuk ka aktivitet dhe natyrisht edhe kjo kërkon një adresim, qoftë me rregullat e reja që ne po vendosim për zhvilluesit. Nuk do të japim më leje për fshatrat turistikë që nuk do të kenë edhe komponentin e argëtimit të fëmijëve, ashtu sikundër do të bëjmë çmos që edhe në lejet e hoteleve të jetë edhe komponenti i hapësirës për fëmijët.
Nga ana tjetër do të ngremë një strukturë të posaçme, kemi filluar punë për këtë, për gjithë kalendarin kulturor dhe artistik të sezonit, në mënyrë që në bashkëpunim më gjithë bashkitë, sezoni turistik të jetë një sezon i mbushur me aktivitet kulturore, i mbushur me aktivitete artistike, i mbushur me guida dhe destiancione ku ndodh diçka edhe ne aspektin e historisë sonë.
E fundit që kam është që ne, sfida jonë është që fjalën sezon turistik ta heqim nga fjalori. Shqipëria duhet të jetë turistikë në 365 ditët e vitit. Kjo është sfida dhe nëse në pjesën e periudhës së ngrohtë, po themi, kemi një zgjatje relative të sezonit, sot që flasim, të gjitha hotelet në Durrës janë plot dhe në dijeninë time rezervimet janë deri në mes të tetorit ndërkohë që një pjesë e hoteleve që kanë krijuar edhe një traditë që kanë edhe një reputacion ndërkombëtar, me agjencitë e tyre e fillojnë që në maj dhe mbase edhe nga mesi i prillit pjesërisht, është një pjesë e tyre që mbetet bosh. Nëse Korça ka arritur të rrisë fuqinë e vetë atraktive në periudhën e dimrit, pak këtu e pak atje, jemi shumë mbrapa dhe nëse duam që zinxhiri ekonomik të fuqizohet dhe më shumë dhe që turizmi të hyjë edhe më shumë në rolin e promotorit të zhvillimit ekonomik dhe social, ne duhet të heqim nga fjalori fjalën sezon turistik, kjo duhet të jetë ambicia e Shqipërisë 2030 që në mënyrë të vijueshme avionet dhe rrugët të kenë flukse turistësh, natyrisht me pak më shumë e pak më pak, por në mënyrë të vijueshme. Kjo do të kërkojë dhe një konceptim të ri të vijës bregdetare për periudhën e dimrit sepse e dinë shumë mirë të gjithë sipërmarrësit se e para, kanë nevojë për punonjës, nuk njoh akoma një sipërmarrës as në hoteleri, se në tjerat jo e jo, që të më thotë që nuk kam nevojë për asnjë punonjës. Të gjithë kanë nevojë për punonjës, të gjithë kanë punë për të ofruar, por e dinë shumë mirë që pagën e kanë të lartë, të mundur që ta kenë lartë në sezon, por se kanë të mundur që ta kenë të lartë gjatë gjithë vitit, që të gjithë në atë nivel kur nuk kanë punë. Këtu sfida është të krijojnë më shumë punë, të krijomë më shumë aktivitet, të shikojmë përtej asaj që vjen thjesht nga dielli dhe nga deti kur ka më pak diell dhe kur nuk mund të frekuentohet deti dhe kjo është një sfidë.
Në mbyllje dua të nënvizoj që akoma kemi probleme me ndërtimet, kemi më pak ndërtime pa leje se ç’kishim, nuk diskutohet, por kemi akoma dhe kemi shumë ndërtime me leje që respektojnë lejen në volume por jo gjithmonë dhe në të shumtën e rasteve nuk e respektojnë në aspektin e arkitekturës, cilësisë e kështu me radhë. Pa i përmbushur këto të dyja, pa mbyllur përfundimisht historinë e ndërtimeve pa leje dhe ngacmimin e territorit jashtë lejeve dhe jashtë planeve dhe pa rritur cilësinë e ndërtimeve që janë të destinuara për turizëm, të gjitha ato për turizëm, lëmë mangët një komponent shumë të rëndësishëm. Për këtë arsye ne do ta shtrëngojmë akoma më shumë politikën për ndërtimet pa leje apo shkeljeve të ndërtimit. Ajo që kemi nisur është shumë serioze dhe nuk do të ndalet dhe askush nuk ka për ta gëzuar dot 1 metër katror tepër që ka ndërtuar jashtë lejes dhe do ta zgjedhin vetë se çfarë do të bëjnë, do t’i dhurojnë, do t’i blejnë me çmimin e tregut plus të indeksuar, se gjobën nuk diskutohet në të gjitha rastet do ta paguajnë apo do t’ju konfiskohen fare.
Ndërkohë që, duhet ta sqaroj për aspektet penale të çështjes, ato janë punët e tyre me drejtësinë, nuk janë punët e qeverisë. Qeveria nuk amniston askënd, por ama ne kemi nxjerrë një mësim shumë të rëndësishëm dhe jemi ndjerë më shumë sesa një herë të turpëruar, jo për fajin tonë, por për fajin e llumit që vazhdon akoma gëlon në sistemin e drejtësisë, i cili po reformohet, por siç e kam thënë qysh në krye të herës do kërkojë vitet e veta dhe llumi në drejtësi bashkë me llumin në Policinë e Shtetit dhe bashkë me llumin nëpër inspektorate nuk diskutohet, e ka shumë të lehtë të çojë me ndihmën e prokurorëve të zellshëm, që kur vjen puna te ndërtuesit e mëdhenj e mbyllin me para çështjen. Njerëz që kanë ndërtuar pa leje një gardh, një mur po themi, një gjysmë shtese në fshat dhe raste flagrante janë bërë dhe publike. Një kotec, një mur mbajtës, një avlli, dritaret e famshme të Bojken Lakos që me të nxjerrë dhe bojën botërisht, po jo vetëm ty si individ, po gjithë shtetin dhe e kanë të pamundur që të veprojë ndaj kateve pa leje në mes të Tiranës të cilat janë shumë më pak se çfarë kanë qenë. Raporti është më shumë sesa 1 me 10. Kur ne kemi nisur këtë betejë, nuk ka pasur pallat në Tiranë dhe për këtë po ju them me garanci, nuk ka pasur pallat në Tiranë që nuk ka pasur ndonjë metër pa leje dhe arsyeja pse me mijëra e mijëra familje mbetën me vite e vite të tëra e ka akoma e sot disa pa hipotekë, se i ndërtonin ndërtuesit, i shisnin dhe iknin. Sot nuk kemi më nga ato, por kemi përsëri akoma dhe mësimi që ne kemi nxjerrë është që këta me prokurorët e korruptuar që akoma s’kanë kaluar në sitën e vetingut dhe e kanë ndarë mendjen që “do kapin ça të kapin”, deri kur t’ju vijë dita që të kapen, e zgjidhin siç e zgjidhin dhe ata që nga një anë tatimet i çojnë në prokurori për evazion, nga ana tjetër dalin pa lagur dhe dokumentet me të cilat duhet të kapi shkelësit, Prokuroria ja jep partive që dalin dhe bëjnë çorap miletin, jo po TVSH-ja këtu, jo po kjo aty, jo po i korruptuari, qeveria gjithmonë. Kjo është zgjidhja që ne kemi gjetur dhe jam i bindur që është një zgjidhje përfundimtare. Asnjë metër nuk do ta gëzojnë dot ata që e kanë ndërtuar për qëllim fitimi, qoftë për ta shitur, qoftë për hotele.
Ka filluar dhe kontrolli përgjatë bregdetit dhe do t’i blejnë me çmimin e tregut me indeksim të gjitha metrat ose do të dorëzojnë të gjithë godinën. Kështu do të ndodhë në mënyrë që ky pësim të bëhet mësim sepse flasim shumë për atdheun, flasim shumë për patriotizmin, flasim shumë për ndershmërinë e të tjerat, por këto janë rrugët sesi secili e tregon patriotizmin e vetë. Në qoftë se ti ndërton një hotel dhe je patriot, ti nuk merr tokën e shtetit apo tokën e tjetrit për ta futur te prona jote e kështu me radhë.
E mbylla me një tingëllim jo fort pozitiv për disa, por besoj që ky është interesi i të gjithëve e sidomos i shumicës, që e them me plot gojën, punon sipas rregullave dhe kontribuon sipas mundësisë në ekonomi, në punësim dhe në zhvillimin e vendit dhe që ka nevojë për drejtësi në arbitrim, në lojën e pashmangshme të konkurrencës.
Falënderoj shumë dhe vrojtuesit. Nuk u fol për vrojtuesit, por i falënderoj shumë sepse po luajnë një rol gjithmonë e më të rëndësishëm në sezonin turistik, po shtohen në numër, po hanë dhe dynjanë se sa më mirë punojnë aq më shumë i shajnë, por kjo është e natyrshme. Puna e mirë në Shqipëri shpesh matet sa shumë shahesh, jo sa shumë lavdërohesh, jo gjithmonë shahesh për arsye të drejta, në kuptimin jo gjithmonë shahesh se s’duan të të lavdërojnë, por përgjithësisht ndodh që punët e mira në Shqipëri bekohen me të shara. Shqetësohuni kur mos ju kujtojë më njeri, mos ju përmendi më njeri se ju marrin si të mirëqenë siç marrin dhe pemët, këtu janë, këtu i kemi, s’ka problem.