Sezoni turistik veror, Ministri Balla njofton masat për kontrollin dhe lehtësimin e qarkullimit në rrugë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Sezoni turistik veror, Ministri Balla njofton masat për kontrollin dhe lehtësimin e qarkullimit në rrugë

Ministria e Brendshme, përmes Policisë, IKMT dhe Shërbimit Zjarrfikës, në funksion të mirë-menaxhimit të sezonit turistik, po zbaton Planin Kombëtar “SAFE STAY IN ALBANIA”. Ministri Brendshëm Taulant Balla deklaroi se vizioni “Shqipëria 2030” ka në themelin e vetë, pakthyeshmërinë e progresit të arritur, ku spikat ai në turizëm, për ta bërë Shqipërinë kampione të Ballkanit me një siguri në nivelin më të lartë.

Në eventin “Rrugë të Sigurta, turizëm i sigurt”, ku morën pjesë zv.kryeministrja Belinda Balluku, ministrja e Mjedisit Kumbaro si dhe drejtues të institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese, Balla tha se prej muajit shkurt ka nisur operacion i përbashkët i IKMT dhe Policisë së Shtetit, për të larguar vendgrumbullimet e mjeteve motorike nga anët e rrugëve kombëtare.

Më tej Ministri pohoi se Policia e Shtetit do të angazhojë me shërbim në zonat turistike e plazhe mbi 1,600 punonjës policie, ku një pjesë e madhe janë nga Policia Rrugore.

Me gjithë numrin në ulje të aksidenteve rrugore, Balla apeloi për respektim të rregullave të qarkullimit për të shmangur fatalitetet në rrugë. Ai tha se në funksion të monitorimit të akseve rrugore, do të përdoren pajisje të teknologjisë së lartë si kamera, radarë e dronë. Ai përmendi një ndër projektet kryesore ku po punohet për rritjen e sigurisë rrugore, i njohur si “Smart City”, i cili do të nisë të zbatohet në qytetet e mëdha, apo përdorimin e inteligjencës artificiale.

Ndër masa e tjera, për lehtësimin e lëvizjes në dy krahët e kufirit, Ministri përmendi marrëveshjen me Kosovën.

Ndërsa si risi për këtë sezon e në vijim do të jetë “Trupa e Ndërhyrjes Teknike”, e cila parashikon bashkëveprimin dhe koordinimin mes shërbimeve të Urgjencës Mjekësore, Zjarrfikëses dhe Policisë së Shtetit, në raste ngjarjesh me pasoja.

Më poshtë fjala e plotë e ministrit Balla:

Kemi hyrë tashmë në fazën intensive të sezonit turistik veror, kemi një shtim të numrin të hyrje-daljeve, përveç mbërritjeve në aeroportin “Nënë Tereza” apo në pikat kufitare, janë akset tona rrugore të cilat dëshmojnë për një prezencë të madhe të vizitorëve të huaj të cilët hyjnë kryesisht me makinat e tyre në pikat e kalimit kufitar.

Sikurse e tha edhe Ministrja Kumbaro, ne presim të kemi një rritje krahasimisht me vitin historik 2023, me 30-40% të vizitorëve të huaj të huaj që do të hyjnë dhe ose kanë zgjedhur Shqipërinë për të pasur pushimet e tyre. Ministria e Brendshme përmes Policisë së Shtetit, përmes IKMT, përmes MZSH i ndërlidhur me këtë shërbim në të gjitha bashkitë e vendit, ka filluar zbatimin e Planit Kombëtar që ne e kemi quajtur Safe Stay in Albania për të garantuar një sezon të sigurt për çdo pushues, qofshin ata vendas apo të huaj, për të rikonfirmuar edhe këtë vit çertifikimin tonë si një destinacion turistik me siguri mbresëlënëse duke ritheksuar dhe sjell dhe një herë në vëmendje vizionin tonë Shqipëria 2030, i cili ka në themelin e vet pakthyeshmërinë e progresit të arritur në të gjitha fushat, por me një fokus të veçantë Shqipëria kampione e Ballkanit në turizëm me siguri të nivelit më të lartë.

Pozicioni gjeografik i Shqipërisë i ka bërë rrugët tona jo vetëm rrugë kombëtare, por pothuajse të gjitha korridoret tona rrugore janë korridore europiane, nga veriu në jug, nga perëndimi në lindje të vendit dhe kjo është një sfidë tjetër e shtuar sa i përket rritjes së flukseve të shfrytëzimit të rrugëve shqiptare. Prej muajit shkurt kemi ndërmarrë një operacion të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe IKMT për të larguar vend grumbullimet e mjeteve motorike nga anët e rrugëve të cilët jo vetëm që  ishin një shkelje e ligjit, një ligji në fuqi prej shtatorit 2012, jo vetëm që ofronin një pamje jo të këndshme për vizitorët por dhe për vendasit, por dhe në shumë raste kanë qenë edhe burim aksidentesh rrugore me lloj-lloj mjeti të degraduar, i cili vazhdonte të degradonte në krahë apo në anë të rrugës dhe t’ju them të drejtën shembulli më tipik ishte një rast në rrugën Elbasan Qafë Thanë ku një “dum dum” kinez kishte dekada, madje që para ndryshimit të sistemit, që rrinte në krahë të rrugës dhe askush nuk shkonte që të pyeste i kujt është dhe pse nuk largohej prej aty. Dhe po ky “dum dumi” kinez ka qenë shpesh herë burim incidentesh rrugore mu në krah të rrugës dhe mendoj që mund të ketë përsëri, z. Drejtor, apo drejtues të IKMT-së, ende raste të tilla, të cilat duhen të pastrohen menjëherë dhe këtu gjej rastin të falënderoj Autoritetin Rrugor Shqiptar për disponibilitetin në kuadër të këtij bashkëpunimi.

Gjatë këtij aksioni janë zhvilluar në shkallë kombëtare një numër i konsiderueshëm ndërhyrjesh dhe janë identifikuar 600 pika grumbullimi mjetesh dhe pjesësh dhe zotëruesit e të cilëve janë detyruar sipas ligjit t’i zhvendosin vullnetarisht brenda një afatit të arsyeshëm dhe më pas kemi ndërhyrë po sipas ligjit, në masat që lidhen qoftë me masat administrative, qoftë me sekuestrime apo mbyllje të këtyre aktiviteteve. Në planin e madh të masave të marra nga Policia e Shtetit janë parashikuar të angazhohen në këtë operacion do ta quaja kombëtar “Safe stay in Albania”, plot 1635 punonjës të policisë, pjesa më e madhe e tyre pjesë e forcës kombëtare të sigurisë publike, e cila u krijua si një forcë pikërisht për të përballuar nevojën që ka sezoni turistik, por brenda kësaj një zë i rëndësishëm është numri i punonjësve të policisë të qarkullimit rrugor, të cilët do të jenë në bashkëveprim me entet e tjera publike për të siguruar sa më shumë siguri rrugore në rrugë gjatë këtij  sezoni. Besoj që biem të gjithë dakord dhe ka një konsensus kombëtar që cilësia e rrugëve në Shqipëri gjatë viteve të fundit ka një ndryshim shumë të madh cilësor dhe të dhënat që vijnë nga drejtoria e përgjithshme e shërbimit të transportit rrugor sa i përket statistikave, dëshmojnë këtë përmirësim  të cilësisë së rrugëve sepse lidhet drejtë për së drejti me uljen e incidenteve rrugore.

Në vitit 2023 numri i aksidenteve rrugore është ulur me 44% krahasuar me vitin 2013, ndërsa numri i qytetarëve të aksidentuar po ashtu  është ulur me 43%. Dhe të mos harrojmë asnjëherë që  në këto 10 vite kemi pothuajse dyfishim të numrit të mjeteve motorike në përdorim të shtetasve shqiptarë, pa harruar këtu se është rritur me disa fish numri i mjeteve motorike me targa të huaja që kanë hyrë në Shqipëri, pra nëse do t’i merrnim të gjitha rrugët së bashku na rezulton që në 3600 km rrugë kombëtare të administruara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar të kenë kaluar gjatë vitit 2023 3.6 milion mjete. Nëse do t’i vendosim të gjitha këto jete njëra pas tjetrës nuk do të kishte vend, por kjo është njëra pjesë, pjesa tjetër është që gjatë vitit 2024 presim të kemi 4.5 milion mjete në rrugët kombëtare shqiptare. Kështu që në funksion të monitorimit të akseve rrugore në kemi marr masat për të përdorur pajisjet e teknologjisë më të lartë për të evidentuar shkelësit, të cilët kanë të bëjnë me radarë, kamera, dronë.

Do të përdorim dronët edhe për monitorimin e trafikut në pikat e nxehta, për të pasur një informacion të detajuar gjatë 24 orëve të ditës, për të gjitha dhe për të njoftuar publikun  në rastet e nevojës për të shmangur pika të caktuara të nxehta me një trafik të shtuar.

Rastet më të shumta të fataliteteve që vijnë nga aksidentet rrugore, dhe këtë e kam për publikun, e para, nga mos-përdorimi i rripit të sigurimit; e dyta,  nga përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të mjetit, e treta,  nga parakalimet e gabuara, dhe mbi të gjitha nga shpejtësia tej normave!

Personalisht si ministër i Brendshëm në këto muaj kam marrë shpesh ankesa nga publiku  për gjobat e Policisë Rrugore. por mund të konfirmoj sot se në të gjitha rastet e  verifikuara rezulton se ka ekzistuar shkelja e normave të qarkullimit rrugor. Ata që thonë që marrim gjoba kot, dhe këtu po ju lexoj një mesazh të një qytetari që thotë: z. Ministër, kam një ankesë, shiko se nuk isha shumë shpejt, maksimumi me 100 kmh isha. Kur e kemi verifikuar ankesën, siç verifikojmë me porosi të Kryeministrit, çdo ankesë të çdo qytetari, na rezultoi se ky qytetari që thoshte se ishte me 100 ishte me 140kmh në një rrugë që e kishte kufizimin e shpejtësisë 90. Pra 50km  më shumë se ç’ishte tabela e vendosur nga ARRSH.

Dhe dua t’ia them gjithkujt që nuk ka asnjë gjobë rrugore sot, që nuk është e dokumentuar me foto dhe video. Dhe e solla këtë në vëmendje sepse  mendoj që ka nevojë për një ndërgjegjësim të madh të drejtuesve të mjeteve, që nuk ke më asnjë shans që të mendosh se nuk të shohin, se nuk të ndjekin me radar, se nuk të fotografojnë, madje po të duash ta çojmë edhe me video ta kesh për kujtim.

Nuk jemi gati, do kisha dashur shumë që të ishim gati me projektin “smart city”, të zbatuar, por jam shumë krenar që falë mbështetjes së Kryeministrit, dhe falë mbështetjes dhe bujarisë të qeverisë të EBA, në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë, përfshirë këtu dhe zonat turistike, ne do të kemi gati, shpresoj vitin e ardhshëm, edhe pjesën që lidhet me sigurinë publike, mbrojtjen e jetës dhe pronës private, edhe monitorimin e trafikut, në  të gjitha qytetet kryesore të vendit dhe në të gjitha zonat turistike përmes një sistemi gjithëpërfshirës zgjedhjesh teknologjike, inteligjencë artificiale, të cilat na mundësojnë kalimin në një nivel tjetër të sigurisë publike.

Dhe kur flasim për inteligjencën artificiale po jap vetëm një shembull , inteligjenca artificiale sot ka zëvendësuar në vende te të cilat po marrim eksperiencë edhe ata që bëjnë detyrën e bay-watch it, pra përmes monitorimit me kamera të bregdetit, të vrojtuesve në shqip, sepse duke pasur një zysh gjuhe në panel, synojmë që në pjesë të këtyre projekteve të smart-city-t, Zonja Ministre e Turizmit, të vijmë edhe me zgjidhje inteligjente edhe sa i përket kësaj pjese.

Për t’u kthyer te ajo që na ka mbledhur sot, që është siguria rrugore, dua të informoj publikun se e kemi adresuar edhe një prej shqetësimeve që lind shpesh, që ka të bëjë me radhët e gjata në pikat e kalimit kufitar. Ka filluar zbatimi i protokollit dypalësh për lehtësimin e procedurave të hyrje-daljeve në pikën e përbashkët të kalimit kufitar, Morin, Kukës, e po ashtu, besoj deri javën tjetër, bashkë me Ministrin Sveçla, do të njoftojmë edhe lehtësimin e kalimit edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar me Kosovën, për të mundësuar, le të themi, kalim të lirshëm të kufirit për të gjithë turistët, qofshin qytetarë të Kosovës apo të Shqipërisë që duan të shkojnë në Kosovë.

Po ashtu, sikurse e kemi njoftuar, tanimë i kemi gati dhe kanë filluar nga puna 6 stacionet shtesë të Policisë së Shtetit në zonat me fluks të shtuar turistik, Thesh, Valbonë, Tale, Gjirin e Lalzit, Palasë dhe në Ksamil. Po ashtu edhe në kalatën e Komanit, një shërbim policie 24 orë për monitorimin dhe rritjen e parametrave të sigurisë në lidhje me veprimtarinë e mjeteve lundruese në liqenin e Komanit.

Risia jonë këtë vit, përveç Forcës Kombëtare të Sigurisë, është edhe pjesa që ndërlidh tre shërbime publike, përmes Trupës së Ndërhyrjes Teknike, bëhet fjalë për Policinë e Shtetit, Shërbimin Zjarrfikës dhe Shpëtimit, si dhe Urgjencën Kombëtare. Të tria janë të ndërlidhura shumë me njëra-tjetrën dhe sa më shpejt ky shërbim mbërrin për të adresuar një incident rrugor, sigurisht aq më të mëdha janë shanset për të dhënë ndihmën e parë, në kohën e duhur dhe të zhbllokuar po ashtu edhe trafikun e bllokuar në raste incidentesh rrugore.

Të gjitha këto shërbime e dinë fare mirë që ky është një sezon turistik shumë i rëndësishëm jo vetëm për të konsoliduar atë certifikim ndërkombëtar që morëm vitin e kaluar, por për ta çuar edhe në një nivel tjetër, pa harruar mesazhin që duam të japim gjithmonë që turistët janë objekte të rëndësisë së veçantë, në kuptimin e garancisë që jep Shqipëria për çdo turist të huaj.

Bëri xhiron, jo vetëm të Shqipërisë por të botës, lajmi kur dy turistë të cilëve iu vodh çanta në makinën e tyre, por lajmi i mirë ishte që Policia e Shtetit jo vetëm që gjeti hajdutin brenda 24 orëve por brenda të njëjtës kohë, qytetarëve të huaj iu kthye gjithçka, çanta, portofoli dhe shuma e parave që ata kishin. Kjo është diçka që t’ju them të drejtën, ndodh vetëm në Shqipëri. Por duhet ta ruajmë dhe konsolidojmë këtë si një element thelbësor. Natyrshëm që Shqipëria konkurron edhe me dimensione të tjera. Përgjegjësia jonë lidhet me sigurinë, por një prej dimensioneve tona të rëndësishme po bëhet dita ditës, përmirësimi i dukshëm i rrugëve, sikurse janë edhe elementët që lidhen me bujarinë, mikpritjen shqiptare dhe padyshim pa harruar asnjëherë peisazhin dhe bukuritë natyrore të Shqipërisë.

Previous Ministri Balla me Shërbimin Zjarrfikës në Kamëz: Kemi hyrë në fazë të re transformimi infrastrukturor dhe trajtimi të duhur financiar