Sezoni veror, Kumbaro: 5,6 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro bëri bilancet e sezonit turistik veror 2022 në një takim me të pranishëm kryeministrin Edi Rama, ministren e Financave dhe Ekonomisë Delina Brahimaj, kryetarët e bashkive, prefektët e qarqeve dhe gjithë aktorët e tjerë që kanë bashkëpunuar në mbarëvajtjen e sezonit.
Ministrja Kumbaro u shpreh se 5.6 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë në këto 8 muaj duke e bërë sezonin më të suksesshëm turistik për sa u takon shifrave.
“5 milion e 667 e 121 vizitorë të huaj kemi shënuar këtë vit deri më 30 gusht. Mund të themi që kemi pasur 29% më shumë vizitorë se viti i kaluar. Kjo tregon një rritje të reputacionit të Shqipërisë. Lëvizjet e tyre tregojnë se ka pasur diversifikim në ofertën turistike”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Kryeministri Rama nga ana tjetër e vlerësoi sezonin turistik si surprizues, jo vetëm për sa i përket shifrave të të ardhurave, por edhe pastërtisë e shërbimit publik.
“Pa diskutim që ne kemi pasur një sezon surprizues në aspektin e shifrave. Vetëm në 6-mujorin e parë kemi kaluar 1 miliard lekë të ardhura në ekonomi nga turizmi. Pothuajse dyfishin e vitit të mëparshëm. Kemi pasur një diversifikim shumë domethënës nga veriu në jug dhe një prurje inkurajuese për zonën veriore, falë edhe investimeve për të përmirësuar infrastrukturën drejt atyre pikave më tërheqëse”, u shpreh Rama.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit duke përmendur rezultatet pozitive të sezonit turistik në mbyllje, informoi se puna për sezonin veror të vitit 2023 ka nisur që tani, me synimin për ta mbyllur procesin brenda këtij viti.
“Me miratimin e VKM-së për përcaktimin e stacioneve të ankorimit të mjeteve lundruese siç janë motorët e ujit, skafet, pedalonët dhe e gjithë gama që përdoret për aktivitet ekonomik turistik, grupi i punës ka identifikuar këto pika në çdo bashki bregdetare. Ashtu siç lidhen kontratat për stacionet e plazheve, ashtu do të bëhet edhe aplikimi dhe lidhja e kontratës me subjektet ekonomike që do të menaxhojnë këto stacione të parkimit për turizmin detar; Operatorët e turizmit detar duhet të pajisen me certifikatë të posaçme nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, sepse pa këtë certifikim asnjë operator ekonomik i turizmit detar s’do të mundet ta ushtrojë aktivitetin. Aplikimet për menaxhimin e stacioneve të plazheve, që për këtë vit i kryem në muajin janar e shkurt, për sezonin e ardhshëm do të bëhen edhe më shpejt. Sistemi i aplikimeve do të hapet në muajin nëntor, me qëllimin që brenda këtij viti të mbyllen të gjitha procedurat për sezonin e ardhshëm”, tha Kumbaro.
mbyll
media
Kontakt
Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.
e-mail: info@mia.gov.al