Shijak, përfundon me sukses procesi i rindërtimit në të gjithë bashkinë dhe hidhet shorti për ndarjen e apartamenteve të reja - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Shijak, përfundon me sukses procesi i rindërtimit në të gjithë bashkinë dhe hidhet shorti për ndarjen e apartamenteve të reja

Procesi i rindërtimit është finalizuar me sukses në bashkinë e Shijakut, duke u bërë kështu bashkia shembull në të gjithë vendin që e mbyll përfundimisht plagën e tërmetit, duke siguruar strehim në kushte dinjitoze për të gjitha familjet që humbën shtëpinë e tyre natën e 26 nëntorit të 2019. Me këtë finalizim merr fund dhe bonusi i qerasë që jepej nga kjo bashki për familjet e prekura.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shijak, në bashkinë e qytetit, në ditën e katërt të shorteut publik për të përcaktuar shkallën dhe katin e apartamentit, në 31 pallatet e reja, ku do të akomodohen brenda nëntorit 637 familje të qytetit. Deri tani në këtë bashki janë strehuar në shtëpi të reja 802 familje. Ndërkohë që ka përfunduar rikonstruksioni i 27 pallateve të nivelit të dëmit ds1/2/3.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Një gjë është e sigurt, të paktën kështu është bërë rregull në këtë vend, që sa më shumë të punosh, aq më shumë do shahesh dhe natyrisht kur punon dhe gabon patjetër, por çka është mbase pak, por e sigurte është që ne nuk bëjmë gabime të qëllimshme, nuk gabojmë për t’i hyrë në hak askujt dhe cilido qoftë ndër ne, që mund të bëjmë gabime të tilla, nuk ka punë me ne dhe ka vetëm faqen e zezë dhe pastaj punë me ligjin.

Sidoqoftë, sot është vërtet një ditë e bukur sepse ne ishim bashkë me zëvendëskryeministren që ndjek edhe Procesin e Rindërtimit në lagjen e re, tanimë të gjitha godinat e lagjes janë aty gati për t’iu shpërndarë banorëve. Puna akoma nuk është e përfunduar sepse pas përfundimit të pallateve të reja do të përfundojë dhe infrastruktura, rrugët, trotuaret, ndriçimi, gjelbërimi, ndërkohë që e gjithë lagja është me kanalizime, me ujësjellës të ri e gjithë infrastruktura tokësore ashtu siç duhet. Janë dhe dy godina të shkëputura që janë në proces dhe do përfundojnë dhe ato së shpejti.

Besoj që të gjithë familjet, janë 670 familje nëse s’gaboj që do të hyjnë në këto apartamente të reja, do të hyjnë menjëherë, por në pranverë kur edhe të çelin pemët e mbjella, do të jenë një lagje që as nuk mund të imagjinohej, sepse faktikisht ne arritëm që një fatkeqësi të madhe ta kthejmë në një mundësi të re për njerëzit e prekur prej saj.

Sigurisht që ndiejmë gjithmonë keqardhje të thellë dhe dhimbje për ata që humbën jetën, për familjet e tyre që s’ka shtëpi e pasuri që ua kthen njerëzit e dashur që humbën, por ama për mijëra familje të tjera ndihemi vërtetë krenarë që ja dolëm dhe ia dalim përditë që t’i strehojmë, t’i japim kushte jete më  të mira dhe shumicës dërrmuese të tyre t’u bëjmë të mundur një shtëpi shumë më të mirë, shumë më të bukur, shumë më të fortë se ajo që humbën, pa diskutim në një lagje që s’ka krahasim me ato që ishin, për nga të gjitha pikëpamjet.

Në katet e para të godinave të reja janë njësitë e shërbimit, ato janë komplet ndryshe nga çfarë ishin, sipas rregullit të vendosur dhe kriterit të qartë. Kush ka pasur një njësi shërbimi më parë nga njësitë e shërbimit të përfituara me privatizimin e fillim viteve ‘90 do të rimarrë atë që ka pasur. Ndërkohë që kush ka bërë një njësi shërbimi duke carë pallatin do marrë vetëm shtëpinë dhe s’mund të marrë njësinë  e shërbimit, por ama pse e sjell këtë në vëmendje? Sepse në këto hapësira do të kemi dhe njësitë e shërbimit publik, pra do të kemi edhe postën, do të kemi dhe OSHEE-në, do të kemi edhe shërbimet e ujësjellësit ndoshta. Është një vendimmarrje që do ta bëjë Fondi Shqiptar i Zhvillimit me bashkinë, por do të kemi dhe hapësira për pasditen e fëmijëve, të të rinjve, qendër për fëmijët, qendër për të moshuarit, qendër për më të rinjtë, për teknologjinë, për formimin profesional e kështu me radhë.

Kështu që, lagja do të jetë vërtetë një lagje e re, një lagje me jete, një lagje me sens komuniteti dhe me sens solidariteti social.

Zëvendëskryeministrja mbase do të flasë pak për rindërtimin në përgjithësi meqë jemi këtu dhe nga ana tjetër s’dua të marrim shumë kohë nga shorti se ju mezi e keni pritur këtë short. E vërteta është që të gjitha apartamentet e ndërtuara në të gjithë Shqipërinë, pra në të gjithë zonën e prekur nga tërmeti jepen me short, në mënyrë transparente kështu që askush s’mund të thotë: “mua më çuan në kat të katërt, mua më lanë në kat të parë, mua më dhanë majtas, mua më dhanë djathtas”, se tani të majtë, të djathtë, nuk ka shumë rëndësi kur vjen puna për shtëpinë dhe për punën, por në të gjitha rastet shorti e vendos ku të bie shtëpia. Ka përjashtim vetëm për personat me aftësi të kufizuara, për paraplegjikët dhe tetraplegjikët, të cilët nuk mund të shkojnë në kat të katërt apo për të verbrit, të gjithë të tjerët janë të barabartë në short, çfarë bie në short marrin apartamentin siç ka ndodhur kudo.

Në fund fare, përpara se të vinim këtu, ishim poshtë pimë një kafe dhe na rastisi të takonim një emigrant  nga Shijaku, i cili kishte ardhur për të marrë shtëpinë dhe nuk ka kompliment më të madh sesa kur emigrantët çmojnë punën sepse është një vlerësim i dikujt që e shikon realitetin më mirë, besoj unë, sepse ka dhe distancën e kohës dhe ka një sens më të fortë të ndryshimit. Kur ne e shohim njëri-tjetrin, rrallë e shikojmë sesi ka ndryshuar tjetri. Kur shohim veten çdo ditë në pasqyrë, nuk e kuptojmë sesa shumë kemi ndryshuar. Kështu që fjalët e tij ishin vërtetë një kompliment i madh, vlerësim për çfarë ka ndodhur në këtë qytet, në këtë zonë dhe patjetër që ky transformim është në radhë të parë meritë e kryetarit tuaj të bashkisë i cili është treguar vërtete një zgjedhje jashtëzakonisht e duhur, se qëllon dhe të jetë një zgjedhje jo e duhur dhe pastaj koston pastaj e marrin të gjithë, dhe votuesit dhe propozuesit dhe mbështetësit, por ka qenë një zgjedhje jashtëzakonisht e duhur dhe për këtë arsye unë sot dua t’ia them kryetarit të bashkisë që ne e duam prapë kryetar bashkie dhe ndër gjithë kryetarët e bashkisë së zonës së tërmetit, e kam thënë dhe më parë, është më i dalluari për sa afër i ka ndenjur njerëzve, për sa efikas ka qenë në gjithë mbledhjen e të dhënave, për sa mençurisht dhe përulësisht i ka zgjidhur konfliktet e mundshme midis njerëzve për arsye nga më të ndryshmet. Dihet, çështje pronash, çështje kufijsh, çështje gardhesh, çështje katesh dhe mbi të gjitha, për sa i përkushtuar ka qenë për të garantuar që projektet nuk vonojnë, por shkojnë sipas afatit.

Natyrisht që ka kaluar kohë, por është një kohë që e kemi shfrytëzuar maksimalisht, pavarësish se na hyri në mes pandemia, pavarësisht se na ka hyrë ne mes tani edhe kjo kriza e çmimit të energjisë, e cila për fat të keq na detyron të marrim një pjesë të madhe të fondeve dhe t’i vëmë në dispozicion të mbrojtjes së familjeve, por për fat të mirë, na e mundëson që t’ju mbrojmë juve, pra që ju të vazhdoni të paguani të njëjtin çmim energjie që paguanit që përpara se të fillonte kriza dhe përpara se të fillonte lufta dhe të mos ta ndjeni fare që çmimi është shumëfishuar sepse në ato faturat tuaja, 20% i paguani ju dhe 80% e paguan çdo muaj qeveria dhe do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë.

Ashtu sikundër, edhe për bizneset e vogla do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë sepse nëse ne jua rrisim energjinë bizneseve të vogla, të gjithë atyre dyqaneve ku ju shkoni për të bërë pazarin, ata vetvetiu do jua ngarkojnë juve në ato që blini, të cilat janë shtrenjtuar është e vërtetë, por arsyeja pse janë shtrenjtuar më pak sesa në të gjithë rajonin, në raport me ku ishin dhe arsyeja pse inflacioni i luftës tek ne është nën 10% ndërkohë që në vende të tjera të rajonit po i afrohet 20% është pikërisht sepse ne po mbrojmë çmimin e familjarëve dhe biznesit të vogël dhe do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë.

Ama, kjo sigurisht do të thotë që disa fonde nuk i përdorim dot siç do donim për investimet dhe të tjera gjëra që mund të bënim, por sidoqoftë investimi më i madh dhe më i rëndësishëm i kësaj kohe është solidariteti me njerëzit, solidariteti me familjet, solidariteti me biznesin e vogël në një kohë kur, siç e shikoni, nga të katërta anët kërcet rrena si në haradoz kur i thonë fjalës. Nuk guxon të hapësh televizorin, nuk guxon të hapësh një portal sepse të shuajnë në rrena dhe ta bëjnë gjakun helm.

Jo më larg se dje apo pardje, kur ishte, “Protestë, biznesi i vogël të çohet në protestë se do rriten 10-fish gjobat”. Jo, komplet rrenë! Biznesi i vogël është aleati ynë më i rëndësishëm. Ata që merren me biznes të vogël ata që kanë një dyqan, që punësojnë veten, punësojnë familjet dhe punësojnë dikë tjetër janë motori më i rëndësishëm i gjithë rrjetit të ekonomisë sonë, në aspektin e krijimit të një baze për punë të ndershme.

Pastaj biznesi i madh është një gjë tjetër dhe gjobat do të rriten, po e kemi parashikuar me paketën e re fiskale deri në 10-fish për të mëdhenjtë që abuzojnë ndërkohë që për të vegjlit nuk ka rritje gjobash. Për të vegjlit, për biznesin e vogël do vazhdojë të rrijë taksa 0, do vazhdojë të rrijë TVSH-ja 0, do vazhdojë mbështetja jonë maksimale dhe nuk ka asnjë rritje gjobash.

Ndërkohë që rrena e shpërndarë gjithandej ishte: “Biznesit të vogël do i rritet gjoba 10-fish”. Jo, është rrenë siç është rrenë treçereku i gjërave që ju thonë dhe që dëgjoni dhe siç do jetë rrenë edhe sot kur, me siguri, në ndonjë media në darkë do nxjerrin ndonjë diku që do thotë: “Më ka lënë kryetari i bashkisë pa shtëpi”, dhe nuk do thotë fare, për shembull, që personi merr bonusin e qerasë, por nuk do të lëvizi nga vendi ku është dhe nuk do të shkojë të marrë një shtëpi gjetkë sepse do të rrijë aty ku është, për shembull. Nuk kemi çfarë t’i bëjmë, kështu janë ndarë rrugët, secili bën zgjedhjen e vet. Ne kemi zgjedhur rrugën e punës, rrugën e përpjekjes së përditshme, mes 1001 vështirësive.

Nuk diskutohet që sot edhe Shijaku, si e gjithë Shqipëria as nuk krahasohet me ku ishte. Kemi shumë akoma për të bërë për të shkuar aty ku duhet të jemi, kjo nuk diskutohet.

Edhe njëherë, t’i gëzoni shtëpitë dhe më e rëndësishmja nga të gjitha është që siç ju kemi premtuar, këto apartamente të reja ju do t’i merrni me tapi dhe nuk do paguani asnjë kokërr leku. Është, jua them me përgjegjësi, Programi i parë i Rindërtimit, në vendet e goditura nga tërmeti, të paktën në Europë se nuk e di në botë mund të ketë gjëra që nuk i dimë, por në Europë ku i kemi studiuar të gjitha Programet e Rindërtimit, është i pari që bëhet me paratë e shtetit dhe që ju garanton të gjithë të prekurve apartamente falas, pa asnjë lek.

Këtë po diskutonim me atë djalin që kishte ardhur nga Italia dhe po shprehte të gjithë admirimin për këtë program.

Ju thanë dhe ju shujtën në rrena e jua bënë gjakun ujë e helm kur ju thoshin, “nuk ka shans se do jua shesin shtëpitë, nuk ka shans se do tua japin të tjerëve, nuk ka shans se nuk do jua japin fare, nuk ka shans se do jua japin me qera të kripura”.

As një kokërr leku nuk do paguani as për ta blerë, as për ta marrë me qera. Është e juaja, ta gëzoni, mund ta shisni, mund ta jepni me qera, mund ta mbani, mund tua jepni fëmijëve, mund tua jepni nuseve e të dilni për vete jashtë, bëni çfarë të doni! Janë shtëpitë tuaja!

Një gjë dua të shtoj këtu, se po shikoja këtu këto shifrat. Në 637 apartamente që janë të reja, 247 janë për familje që kanë humbur shtëpinë, ndërkohë që janë në emigracion dhe ne nuk kemi bërë asnjë dallim. Atyre që janë këtu, 390 familjeve që janë këtu u kemi dhënë bonusin e qerasë, ndërkohë që atyre që janë në emigracion u kemi ndërtuar shtëpinë sepse unë jam i bindur që më herët sesa vonë shumëkush prej tyre do të kthehet këtu. Ky është një trend historik. E kanë kaluar vendet e tjera para nesh, ne na ka qëlluar ta kalojmë të fundit sepse të fundit kemi dalë nga ferri i komunizmit dhe i izolimit, edhe i mbylljes brenda që s’dilte dot njeri për 50 vjet dhe tjetra, më vjen shumë mirë dhe për një gjë, që këto pallate janë të gjitha me sistemin e mbulesës termike, që do të thotë në atë sistemin kapot që i thonë, që vetvetiu kursejmë nga 30% deri në 50%  të energjisë, që do të thotë që në dimër nuk janë aq të ftohta sa shtëpitë, sa apartamentet që kishit dhe në verë nuk janë aq të nxehta sa shtëpitë që kishit. Pra, nevoja për ngrohje dhe për ftohje është shumë më e reduktuar sesa e një nga ato apartamente të një pallati që u prishën.

Do ju lutesha shumë që mos fillojmë me ato kondicionerët atje, me shpuar murin e me nxjerrë kondicionerët, sepse në ndërkohë kryetari i bashkisë së bashku me ne, por ky ka planin që do të vendosë edhe panele diellore për ju, që do ta bëjnë pastaj atë çmimin e konsumit të energjisë edhe më të ulët dhe që do të japë mundësi edhe funksionimit pastaj të sistemit ngrohje-ftohjes ndryshe, kështu që edhe më mirë do bëhet, po një gjë është e sigurt, që bëhet më mirë me punë, me durim, me sakrificë edhe natyrisht bëhet më mirë duke mos hedhur helm përditë, edhe duke mos shkatërruar nervat e njerëzve përditë me lloj –lloj rrenash, me lloj-lloj poshtërsish dhe ligësish dhe duke mos e sharë e duke mos bërë pis Shqipërinë në gjuhë të huaj, por këto nuk i kemi në dorë. Ato që kemi ne në dorë, ato do bëjmë. Ato që s’i kemi në dorë ne, i kanë të tjerët, Zoti le t’i gjykojë dhe populli do t’i gjykojë siç i ka gjykuar.

Shumë faleminderit!

Previous “Arti dhe Zejet” nis në janar 2023 / Kushi takon drejtuesit e 200 shkollave për përgatitjet e fundit