Gjatë qëndrimit të tij në Shkodër, Kryeministri Rama bashkë me kryebashkiakun e Shkodrës Benet Beci inspektuan disa zona ku është e nevojshme ndërhyrja. Konvikti i shkollave profesionale dhe tregu modern turistik janë projektet e rradhës të cilat jo vetëm do të rijetëzojnë Shkodrën, por do t’i japin dhe një shtysë të re ekonomisë së qytetit.
Projekti për konviktin tashmë është gati dhe puna për rikonstruksionin e tij do të fillojë shumë shpejt, pas më shumë se 20 vitesh që nuk kishte parë dritën e investimeve.
“Projekti është i bërë dhe ne kemi bërë aplikimin, kemi folur dhe me ministrinë dhe po bëhet gati për financim. Qysh në 1983 kur është ndërtuar, pothuajse s’ka patur asnjë investim, vetëm mirëmbajte”, – u shpreh drejtori i Mirëmbajtës së Bashkisë Shkodër.
Nga rreth 400 nxënës që studiojnë në shkolla profesionale, në konvikt aktualisht janë vetëm 18, për shkak të mungesës së kushteve.
Rikonstruksioni i Tregut të Rusit është një tjetër projekt i cili pritet të nisë së shpejti. “Tregu i Rusit është treg qendror, historik dhe i rëndësishëm, është në gjendje fare të papërshtatshme. Kemi mbaruar procedurat dhe do të fillojmë shumë shpejt për tregun. Këtu mund të bëjmë edhe tregun e peshkut. Kemi bërë prapë një aplikim për tregun e peshkut’, – u shpreh kryebashkiaku i Shkodrës, Beci.