Shkolla “Andrea Stefani” hap dyert për nxënësit dhe mësuesit në prag të fillimit të vitit të ri shkollor - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Shkolla “Andrea Stefani” hap dyert për nxënësit dhe mësuesit në prag të fillimit të vitit të ri shkollor

Shkolla e re “Andrea Stefani” është gati për të pritur fëmijët dhe mësuesit në këtë prag fillimi të viti të ri shkollor. Shkolla është një ndër investimet më të mëdha në arsim për nxënësit e ciklit 9-vjecar dhe do t’i shërbejë komunitetit të Astirit dhe Laprakës.

Për të parë nga afër përfundimin e këtij objekti arsimor ishte Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga krye bashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

“Shkolla mund të marrë deri në 1200 nxënës, por ne duam t’i rrimë 900 që të mos kalojmë 25 veta për klasë, por fakti që në javën e parë kemi pasur 250 regjistrime, do të thotë që brenda semestrit do të kapim kuotën e shkollës dhe do të lirohen ndjeshëm shkollat e tjera”, – u shpreh kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

Shkolla është e gjitha e ndërtuar në përputhje me çdo standard të Bashkimit Europian, duke u bërë edhe një vlerë e shtuar për gjithë zonën.

 

***

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Përshëndetje në radhë të parë familjes së Andreas, pastaj të gjithë mësueseve, mësuesve, drejtueseve këtu të pranishëm në këtë ditë të bukur për këtë komunitet, kur një tjetër shkollë hap dyert dhe më vjen shumë mirë të them që sot kemi një panoramë tërësisht të transformuar të gjithë infrastrukturës shkollore në kryeqytet.

Ajo që tha Erioni është jo vetëm e vërtetë, por është e rëndësishme për tu pasur gjithmonë parasysh. Ne e morëm Tiranën në një moment realisht dramatik për sistemin parauniversitar për shkak të një disbalance realisht shumë të madhe midis rritjes së numrit të popullsisë, rritjes së kërkesave për klasa dhe ritmit absolutisht të papërshtatshëm të ndërtimit të këtyre klasave dhe me atë ritëm ne do të na duheshin 65 vjet që të arrinim të përmbushnim të gjitha kërkesat. E në atë kohë dukej absolutisht e pamundur që të imagjinoheshin shkolla me një turn dhe me klasa me më pak se 30 nxënës, që është një standard i domosdoshëm për të pasur të gjitha kushtet e një mësimi normal dhe për t’i dhënë mundësi nxënësve që të jetë të gjithëpërfshirë në procesin mësimor.

Sot kjo është e realizuar, është e realizuar jo vetëm në Tiranë, por është e realizuar në të gjithë zonën që u prek nga tërmeti, ku faktikisht ajo krizë shumë e rëndë u kthye në një mundësi shumë të madhe që ne, kam krenarinë ta them e shfrytëzuam maksimalisht, por duhet thënë që ne nuk kemi ndërtuar thjesht shkolla të reja ose nuk kemi shtuar thjesht numrin e klasave, por faktikisht kemi ndërtuar shkolla të cilat janë të standardeve dhe të një niveli projektimi, estetike, realizimi që mund te ishin në çdo kryeqytet të BE pa asnjë lloj diskutimi.

Ju kemi vënë kështu dhe po ju japim kështu fëmijëve që shkojnë në këto shkolla, mësuesve që punojnë në këto shkolla, prindërve që ndërveprojnë në shkolla, mundësinë që të ndjehen absolutisht të barabartë me të gjithë fëmijët, mësuesit, prindërit e BE.

Nga ana tjetër nuk mund të rri dot pa e thënë sot se është një avaz që do duhet ta përsëris unë, ta përsërisim ne, çdo ditë e më shumë dhe përditë e përditë që është koha që të gjithë të japim një kontribut për ta kapërcyer këtë moment kaq të vështirë që lidhet në radhë të parë me energjinë dhe më domosdoshmërinë për të kursyer energjinë.

Klasat e kësaj shkolle dhe të këtyre shkollave të reja faktikisht kanë një teknologji ndriçimi që është me kursim energjie dhe që ndizet apo fiket automatikisht, kjo e lehtëson. Kjo e lehtëson këtë barrë të madhe, por kjo nuk mjafton, duhet në të gjitha shkollat të sensibilizohen në radhë të parë fëmijët dhe fëmijët kthehen pastaj në këshilltarë të prindërve nëpër familje për domosdoshmërinë që të mos harxhojnë energji të panevojshme, por që të jemi sa më të kursyer për të arritur të përballojmë diçka që nuk e ka bërë deri tani, jo deri tani, por faktikisht jemi të vetmit që kemi mbetur pa rritur çmimin e energjisë elektrike, pa rritur çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, pa rritur çmimin e energjisë elektrike për biznesin e vogël, që do të thotë që ndërkohë që çmimi rritet e rritet në mënyrë marramendëse në treg, në bursë, në burimet ku ne na duhet të drejtohemi për ta importuar dhe mbetet ai që ishte për familjarët dhe bizneset, është qeveria, është buxheti i shtetit që plotëson gjithë atë hendek që zgjerohet e zgjerohet midis çmimit real dhe çmimit që paguan secili në faturë.

Ka pasur një përpjekje apo le të themi një dyndje mbase dhe krejt të papërgjegjshme nga të njëjtët burime të keqinformimit, të disinformimit, të manipulimit, të shqetësimit të opinionit sikur me demek do rritet energjia elektrike, por në fakt energjia elektrike nuk do të rritet as për familjarët, as për bizneset, por do të ndryshojë qasja për ata që konsumojnë energji përtej atij kufiri që është faktikisht kufiri që plotëson të gjitha nevojat e një familjeje, nevojat normale për të pasur funksionimin normal të të gjithë sistemit që furnizohet me energji në shtëpi.

Janë 96% e familjeve shqiptare që faktikisht harxhojnë deri në 800kWh. Është një 4% që janë ata që kanë shtëpi të mëdha, që janë ata që kanë pishina në shtëpi, që janë ata që kanë oborre të mëdhaja, që janë ata që kanë një konsum shumë intensiv që shkojnë përtej 800kWh dhe ajo që është e hatashme është që këta 4% që janë dhe më të pasurit, më të kamurit e këtij vendi, konsumojnë pothuajse 20% të të gjithë konsumit të familjeve shqiptare, që do të thotë që për ta, për çdo kWh që është mbi 800, do të ketë çmim të tregut, çmim real, sepse nuk ka kuptim që shumica dërrmuese e popullit që paguan edhe detyrime, të paguajë për një çmim të mbrojtur për të ndriçuar oborret, fasadat, për të mbajtur me ujë të ngrohtë pishinat e kështu me radhë të atyre që kanë mundësi, që paguajnë më shumë. Kjo është e gjitha!

Ndërkohë që çmimi i energjisë nuk do të preket as për familjet, as për bizneset e vogla, nuk do të preket, deri kur këtë nuk di ta them, shpresoj deri në fund, por kjo do të varet shumë edhe nga sa do të jemi ne në gjendje që të kursejmë e që të mos e trajtojmë energjinë, kur i thonë asaj fjalës, sikur jemi në mallin e babait, sepse është një mall që ka një vlerë të jashtëzakonshme sot e një kosto të jashtëzakonshme për buxhetin e shtetit.

Për ta mbyllur, dua të shtoj se ndërkohë që kemi bërë gati gjithë sistemin e ri të jo vetëm infrastrukturës por dhe të organizimit të lëvizjes sportive në shkolla, për ti vënë në funksion gjithë këto palestra të reja që kemi ndërtuar, pamë palestrën këtu të shkollës, është një palestër fantastike që ne nuk e kishim kur luanim basketboll në kategorinë e parë, që Agim Fagu, Gazmend Çaçi, Ilir Trebicka dhe gjithë yjet e basketbollit shqiptar, apo që Ela Tase, Mimoza Ibrahimi, Alketa Doçi, yjet e volejbollit, nuk e kishin në rastet kur duhet të iknin nga Pallati i Sportit e të shkonin në një mjedis tjetër. Nuk kishte asnjë palestër tjetër që të kishte standardet që ka jo kjo palestër por që ka shumica dërrmuese e palestrave që kanë sot shkollat. Unë jam i bindur që do të jetë një moment jashtëzakonisht pozitiv për mijëra fëmijë. Kemi më shumë se 650 skuadra vajzash e djeshme basketbolli e volejbolli të regjistruara në gjithë Shqipërinë dhe janë afro 15 000 fëmijë që do të jenë pjesë e kësaj lëvizje, por do të jetë një moment shumë pozitiv dhe për prindërit e tyre dhe për gjithë komunitetin, kur ne të vëmë në jetë, duke filluar sëshpejti, pasi të vijnë dhe të gjitha pajisjet sportive, uniformat, çantat, tutat, këpucët sportive, topat, që do tu jepen të gjithë këtyre skuadrave, kalendarin e parë kombëtar sportiv.

Paralelisht me ministren e Arsimit Evisin dhe me Borën, ministren për Fëmijët e Rininë kemi punuar dhe edhe dje kemi qenë sëbashku për të finalizuar dhe programin tjetër kombëtar në shkolla, atë të arteve dhe zejeve që do ta nisim në fillim të vitit të ardhshëm, me 200 shkollat e para qendra komunitare, ku do të angazhojmë një kohë, do të angazhojmë hapësira të tëra, forca të tëra,  për ti dhënë mundësi fëmijëve të talentuar në artet pamore, në muzikë, fëmijëve që duan të luajnë teatër, fëmijëve që duan të merren me artizanat, fëmijëve që duan të bëhen pjesë e iniciativave për të krijuar ato fermat e vogla të shkollave, në mënyrë që jeta në shkollë të fillojë të marrë dhe përmasën reale të jetës sociale përtej klasës e përtej orëve të mësimit.

Nuk po zgjatem më tutje. Dua ti bëj një homazh mikut tonë Andrea Stefanit i cili sot është emri që mban kjo shkollë, i cili do të jetë gjithmonë e më i kujtuar, gjithmonë e më i respektuar nga kushdo që e ka njohur dhe lexuar, i cili sa më shumë që liria e medias konsiderohet dhe shfrytëzohet si liri për të thënë e për të shkruar e për të përçuar gënjeshtra, aq më shumë do të çmohet për faktin se ishte njeri që jetonte me të vërtetën, ishte njeri që luftonte për të vërtetën, ishte njeri që kishte bindjet e tij, ishte njeri që nuk bënte kompromis për bindjet e tij. Kemi pasur marrëdhëniet të mira, kemi pasur momente debatesh, kemi pasur madje dhe përplasje kokash të forta, sepse siç kishte ai bindjen e tij dhe kokëfortësinë e tij edhe unë kam bindjet e mia dhe kokëfortësinë time por kjo nuk na pengoi që të vlerësonim njëri-tjetrin e të respektonim njëri-tjetrin. Unë i jam shumë mirënjohës Andreas për gjithë kontributin dhe i jam falënderues fatit që mu dha mundësia ta njoh dhe mu dha mundësia të jem një bashkëkohës i tij. Shumë faleminderit të gjithëve!

Previous Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi merr pjesë në Takimin e pestë të Grupit të Kontaktit për Ukrainën

Leave Your Comment