Hap dyert shkolla e mesme e rindërtuar “Besnik Sykja” në Tiranë, e shndërruar në një shkollë të standardeve evropiane, me mjedise moderne, të pajisura me laboratorë të IT dhe të shkencave, bibliotekën e re, palestrën, etj.
Në ceremoninë e përurimit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu foli për programin e qeverisë shqiptare për rehabilitimin dhe rindërtimin e shkollave të reja.
“Investimi i qeverisë shqiptare në rindërtimin e shkollave në të gjithë vendin po vijon me intesitet të lartë. Ne në këtë vit, por edhe në vitin tjetër, planifikojmë që të përfundojmë rreth 40 shkolla, të cilat janë në proces. Më tej do të hapim edhe 20 kantiere të reja në shkolla, pra 60 shkolla në proces rindërtimi, rehabilitimi, do të kenë mundësinë që të përshtaten me infrastrukturën më të mirë arsimore”, -theksoi Ministrja Manastirliu gjatë fjalës së saj.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit u ndal edhe tek mbështetja e mësuesve, me rritjen e pagave me buxhetin e vitit 2024.
“Prioritet i prioriteteve mbetet mbështetja e mësuesve, qoftë me garantimin e kushteve të punës dhe qoftë me rritjen e pagave. Me buxhetin e vitit 2024, ne do të garantojmë vijimin e rritjes së pagave për mësuesit”,- tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se falë investimeve të kryera, sot shkollat në kryeqytet janë të standardeve më të mira.
“Ku ne që merremi me infrastrukturën e kalojmë këtë stafetë te ju, që merreni me pjesën më të rëndësishme, që janë burimet njerëzore. Llaç e tulla siç e patë nga tërmeti, bëjmë sa të duash. Dhe në fakt i bëjmë edhe më të bukura dhe më të mëdha. Pothuajse të gjitha shkollat e reja kanë dalë më të mëdha, kjo as diskutohet fare, por edhe shumë herë më të bukura”,- tha Erion Veliaj gjatë inagurimit të gjimnazit “Besnik Sykja”.
Shkolla Besnik Sykja, e rindërtuar me standadet më të mira, i shërben rreth 800 nxënësve dhe mësuesve. Gjatë ceremonisë së përurimit ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj dhe Ministrja e Kulturës Elva Margariti.