Shkolla e re “Klodian Tanush”, një nga 12 shkollat e reja të hapura këtë fillimviti shkollor në Tiranë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Shkolla e re “Klodian Tanush”, një nga 12 shkollat e reja të hapura këtë fillimviti shkollor në Tiranë

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në shkollën e re në Qesarakë, e cila do të mbajë emrin e “Dëshmorit të Atdheut” Klodian Tanushi dhe ku 600 nxënës do të mësojnë çdo ditë me kushte dinjitoze:

 

Më vjen mirë që jam këtu sot, sëbashku me familjen e të ndjerit dëshmorit Klodian Tanushi, me të atin, me zonjën, me fëmijët të cilëve asgjë nuk ua kthen dot njeriun e tyre të zemrës dhe asgjë nuk ua mbush dot boshllëkun e madh të mungesës së pranisë së tij, por së paku me këtë gjest ne u themi se sakrifica sublime e djalit, e bashkëshortit, e babait i përket tanimë kujtesës sonë kombëtare dhe i përket edhe vazhdimësisë së mesazhit të një jete të humbur në shërbim te atdheut, për të gjithë këta vogëlushë të cilët duhet t’i njohim me Klodianin, me faktin që ishte fëmija i një familje shumë të thjeshtë, i prindërve të zakonshëm dhe që e beri diferencën pikërisht duke qenë në lartësinë e detyrës ndaj atdheut.

Mbase është momenti për të reflektuar lidhur me nevojën që në të gjitha shkollat, fëmijët, nxënësit, nxënëset të njihen me jetën e njerëzve që kanë lënë pas jetën e tyre dhe emrin e te cilëve mbajnë shkollat. Janë shembuj që vlejnë shumë për ta ushqyer shoqërinë, për të ushqyer gjenerata të reja me frymëzimin që mbart jeta e tyre. Janë dëshmorë të atdheut, janë heronj, janë protagonistë të jetës kulturore, të përpjekjeve atdhetare, jo të gjithë të rënë në krye të detyrës, por të gjithë me një jetë të përkushtuar ndaj atdheut si një detyrë mbi detyrat.

Nga ana tjetër, dua të them se ndihem mirë që procesi i ndërtimit dhe rindërtimit të shkollave jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë po sjell një ndryshim të madh, një ndryshim thelbësor. Natyrisht që arsimimi, edukimi i fëmijëve nuk është thjesht dhe vetëm çështje hapësirash, çështje godinash, çështje pajisjesh sepse është dhe në radhë të parë çështje burimesh njerëzore në dispozicion të tyre, por ama një gjë është e sigurt, pa godinat, pa hapësirat, pa pajisjet, pa kushtet është e pamundur të pretendosh të kesh një arsim të një cilësie tjetër.

Jam shumë krenar që hapësira, godinat po ndryshojnë dita ditës, po ndryshojnë kudo. Natyrisht ka ende shkolla të cilat nuk janë prekur nga kjo valë e madhe ndryshimi, me siguri dhe në Tiranë nuk janë përfunduar të tëra, po patjetër në zona të tjera nuk janë përfunduar të tëra, por ajo që është e rëndësishme është që sot nuk ka asnjë krahasim me dje dhe çfarë kemi bërë deri sot na jep mundësinë që të jemi të bindur, të jemi të sigurt dhe të jemi me kokën lart përpara njerëzve për t’ju thënë që nuk jemi të kënaqur, se ka ende shumë për të bërë, por kjo që kemi bërë vlen si garanci se ne e dimë çfarë bëjmë dhe dimë si duhet bërë kjo punë.

Është një kohë e vështirë për të gjithë kjo që kalojmë, fatkeqësia është se u bë e treta në radhë si një situatë e imponuar nga rrethana jashtë nesh dhe jo vetëm është e treta në radhë, por është më e vështira për tu përballuar se nëse tërmeti për fat të keq mori jetën e disa dhjetëra njerëzve, shkatërroi shtëpitë e disa mijëra familjeve, pjesa tjetër, pjesa më e madhe nuk u prek. Natyrisht që ne u detyruam të ndryshojmë planet, u detyruam të spostojmë fonde që ishin të dedikuara për të tjera gjëra, në mënyrë që t’iu gjendemi atyre që mbetën pa shtëpi dhe që të cilët çdo ditë shohin frutin e kësaj përpjekjeje shumë të madh. Pastaj erdhi pandemia që i kërcënoi të gjithë, por përsëri nuk e preku për fat të mirë pjesën më të madhe. Ndërkohë që kjo e treta, lufta, për të cilën ata që nuk i shërbejnë këtij vendi, ata që nuk i shërbejnë njerëzve të këtij vendi, por i shërbejnë të tjera interesave thonë se nuk ka lidhje me Shqipërinë, në fakt ka shumë lidhje me Shqipërinë sepse Shqipëria ka shumë lidhje me bashkësinë euroatlantike dhe kjo luftë është organizuar dhe ka nisur jo thjeshtë për të bombarduar dhe për të shkatërruar Ukrainën, por për të gjunjëzuar bashkësinë euroatlantike duke përdorur si armë energjinë dhe inflacionin e luftës.

Inflacioni i luftës i prek të gjithë, prek çdokënd që do shkojë në dyqan për të blerë një mall sepse sa herë fusim dorën në xhep për të blerë diçka, “dora” e inflacionit të luftës na kap dorën dhe na thotë se do pjesën e saj. Është një situatë e jashtëzakonshme të cilës ne po i përgjigjemi me një përgjigje të jashtëzakonshme, në radhë të parë për të mbrojtur familjet nga goditja shumë e rënde dhe për shumë kënd e papërballueshme e çmimit të energjisë , për të mbrojtur biznesin e vogël, për të mbrojtur atë dyqanin atje nga goditja e çmimit të energjisë sepse nëse i rritet energjia atij dyqanit atje, atëherë cilido prej jush që hyn atje për të blerë diçka do ta paguajë më shtrenjtë atë që blen dhe duke i mbajtur mbrapa kësaj mburoje financiare familjet dhe biznesin e vogël ne nuk e zhdukim dot, por e zbusim efektin e këtij inflacioni i cili në vendet e rajonit po godet shumë më pamëshirshëm.

Para se te vija këtu isha me disa përfaqësues të një partie politike të Maqedonisë së Veriut të cilët më thanë se faturat u janë rritur katërfish, energjia, plus të tjera në Maqedoninë fqinje. Thënë këto, meqë e preku Erioni, është e pa imagjinueshme dhe duhet ta përforcoj mesazhin e Erionit sepse jemi këtu për  të kremtuar një dëshmor, për të kremtuar një mesazh kuptimplotë të dikujt që jetën dha për atdheun, ndërkohë që sot në këto kushte të vështira, jo profesorët e pedagogët e universitetit, por një çetë brenda trupës që është shumë me madhe se sa aq për fat të mirë, një pakicë nën drejtimin e një SHIK-si i cili ka uzurpuar sindikatën e ashtuquajtur të pedagogëve, del me ultimatumin se nëse nuk iu rriten rrogat edhe më shumë se ç’iu rritën, do hyjnë në grevë uri. Grevë urie për rroga mund të bëjnë vetëm njerëzit pa atdhe, njerëzit pa flamur, njerëzit pa fe, njerëzit pa din e iman. Grevë urie për rroga nuk bëjnë prindërit e këtyre të cilët me siguri shumica dërmuese i kanë të ardhurat më pak sesa SHIK-si që urdhrat i merr nga foltorja e baltës, por nuk bëjnë grevë urie. Greva e urisë është një institucion shumë i lartë përmes të cilit luftohet për të drejta shumë themelore, jo për rroga. Aq më tepër që në këto kushte rritjen më të madhe të rrogave e kanë pasur pikërisht pedagogët e universitetit.

Nuk iu është rritur rroga 15% mësueseve që janë këtu bashkë me këta fëmijë edhe pse kanë një punë shumë më të vështirë se shumë ndër ata të cilët mbajnë emrin e pedagogut dhe kanë edhe paturpësinë të dalin edhe nëpër media e të thonë ‘’nuk ia vlen të jesh pedagog në Shqipëri”. Si mundet një misionar i arsimimit të gjeneratës së re te deklarohet publikisht se nuk ia vlen? Natyrisht që përfitojnë nga një autonomi e kuptuar si papërgjegjshmëri sepse normalisht dikush që thotë se nuk ia vlen të jesh pedagog, nuk mund të jetë më pedagog, por është autonomia, nuk është e drejta dhe mundësia jonë që t’i tregojmë vendin këtyre lloje personazheve që ç’edukojnë rininë tonë.

Ashtu sikundër edhe një herë e përsëris, shumica e pedagogëve nuk janë këta dhe s’kanë se si të jenë këta, se nëse do ishin këta, atëherë do ishim vërtetë në alarm, në një alarm shumë më të madh sesa inflacioni i luftës, në një alarm shumë më të madh se sa kriza globale e çmimit të energjisë, por fatmirësisht nuk janë këta shumica dhe më vjen keq që u detyrova të flas për këtë, por më vjen shumë mirë që këtë mundësi na e jep shembulli i një djali i cili pagën e kishte më të ulët sesa SHIK-si që do të futet në grevë urie për t’i shërbyer atyre të cilët i shërbejnë rublave ruse dhe jo atdheut, por dha jetën!

Ne nuk mundet dot kurrë dhe dua ta mbyll me këtë, që të jemi në gjendje që t’ua kthejmë ashtu siç e meritojnë, jo familjeve të dëshmorëve, por as pensionistëve, siç është edhe babai i Klodianit, që një jetë të tërë e ka kaluar me kokën ulur dhe me punë e me djersë, me ndershmëri e me sakrifica dhe janë më mirëkuptues sesa ata më të përkëdhelurit dhe përfituesit më të mëdhenj dhe abuzuesit më të mëdhenj që i dini mirë kush janë dhe s’dua t’i përmend këtu, por më vjen shumë mirë nga ana tjetër që ne sot  jemi në gjendje t’u themi të tre fëmijëve të Klodianit që ata janë fëmijë të kësaj Republike dhe se deri në fund të rrugëtimit të tyre përpara se të dalin në jetë, pasi të mbarojnë shpresoj edhe universitetin, ata do të jenë të mbështetur financiarisht nga shteti dhe në aspektin financiar. Paga e babait do të vijë në shtëpi, jo një pagë e vetme, por do të vijë në shtëpi më shumë sesa një pagë për të tre ata në mënyrë që të paktën financiarisht nëna të mos ketë stresin dhe të ardhurat për shkollimin e tyre, të jenë të ardhurat jo që mund të sillte babai, por që babai do të donte të kishte sjellë, pra më tepër sesa paga e babait.

Meqë deputeti i zonës tonë, deputeti për të cilin unë votoj si banor i kësaj zone edhe pse unë jam më thellë dhe i përkas katundit dhe këtu jemi te Fresku i qytetit, më përmendi për ndërtimin e këtyre shkollave, qoftë kësaj dhe qoftë të gjimnazit që kemi pranë, më vjen shumë mirë që së bashku ne e bëmë këtë, por dua ta them që kjo ishte këmbëngulja e deputetit, e Xhemalit, i cili ka edhe fatin të ketë një këshilltar shumë të vyer që është ‘’Qefalia i modh’’, që nuk është këtu u ulur në radhën e parë pikërisht se është “i modh”.

Faleminderit shumë!

Previous Projektbuxheti 2023 dhe Paketa Fiskale miratohen në parim në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat