Në zbatim të Ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995, ”Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, (i ndryshuar), të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 512, datë 18.9.2021 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Media dhe Informim” dhe të Urdhrit të Kryeministrit, nr. 136, datë 23.11.2021 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë për Media dhe Informim”, ( i ndryshuar), Agjencia për Media dhe Informim, shpall konkurrimin
për vend të lirë pune në pozicionin:
Drejtor në Drejtorinë e Informimit të Institucioneve, Hulumtimit dhe Përmbajtjes, në Agjencinë për Media dhe Informim – klasa II-1
Përshkrimi i përgjithshëm i punës:
– Mbikëqyr dhe menaxhon nga afër ecurinë e punës në dy sektorët e varësisë duke u kujdesur për proceset e informimit të institucioneve në lidhje me aktivitetin dhe publikimet e medias dhe për hulumtimin dhe prodhimin e përmbajtjes për komunikimin publik qeveritar;
-Analizon dhe vlerëson informacionet që vijnë nga burimet mediatike, mbi bazën e besueshmërisë dhe rëndësisë së tyre në rrafshin publik dhe qeveritar, në funksion të përpilimit të përmbledhjeve informative dhe memove informuese mbi çështje me ndjeshmëri mediatike dhe publike;
– Adreson dhe delegon në institucionet përkatëse, në bashkëpunim me Drejtorinë e Koordinimit të Ministrive dhe Agjencive dhe strukturat përgjegjëse në ministri, raportime mediatike apo informacion mbi ngjarjet që lidhen me fushat e tyre të përgjegjësisë dhe që kërkojnë përgjigje apo zgjidhje institucionale;
– Mbikëqyr procesin e hulumtimit të informacionit dhe prodhimit të përmbajtjes, duke u kujdesur për saktësinë e informacionit, të dhënave dhe fakteve në materialet e nevojshme për komunikimin publik të Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave;
– Mbikëqyr procesin e prodhimit të materialeve përmbajtësore në funksion të kanaleve të drejtpërdrejta të komunikimit me qytetarët, sipas kërkesave dhe nevojave të Drejtorisë për Informimin e Qytetarëve;
-Mbikëqyr procesin e mbledhjes dhe analizës së të dhënave nga hulumtime të opinionit publik që lidhen me aspekte të komunikimit dhe/apo punës së Këshillit të Ministrave, të kryera në funksion të Agjencisë, Qeverisë apo nga palë të treta;
– Raporton pranë Drejtorit dhe Zv. Drejtorit të Përgjithshëm në lidhje me mbarëvajtjen e punës në të dy sektorët e drejtorisë dhe koordinon punën sipas udhëzimeve dhe kërkesave të Drejtorit dhe Zv. Drejtorit të Përgjithshëm;
– Jep udhëzime dhe rekomandime në lidhje me ngjarjet kryesore dhe çështjet që ngrihen, mbi ndryshime apo përmirësime të nevojshme për secilin sektor me qëllim realizimin e misionit për informimin e qytetarëve;
– Kujdeset për shpërndarjen e përgjegjësive dhe detyrave brenda drejtorisë, si dhe për shkëmbimin e informacionit me strukturat e tjera brenda Agjencisë.
Aplikantët duhet të plotësojnë kërkesat si më poshtë:
– Të zotërojnë diplomë të nivelit “Master Shkencor”;
– Të kenë të paktën 3 vite eksperiencë të mëparshme pune në sektorë të ngjashëm;
– Të kenë njohuri të mira dhe të certifikuara të gjuhës angleze.
Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit:
Aplikantët duhet të paraqesin në Agjencinë për Media dhe Informim në adresën: Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Pallati i Kongreseve, Tiranë ose në adresën e e-mailit vakance@mia.gov.al, këto dokumente:
– Letër interesi ku specifikohet emërtimi i pozicionit për të cilin aplikojnë;
– CV;
– Fotokopje të diplomës dhe listës së notave;
– Fotokopje të librezës së punës;
– Fotokopje të certifikimit të gjuhës angleze;
– Certifikatë të kualifikimeve të tjera nëse kanë;
– Numër kontakti dhe adresë e-maili.
Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimeve dhe dokumentacionit të plotë është data 28.09.2024. Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda kësaj date sjell skualifikim të aplikantit. Aplikantët njoftohen individualisht dhe nëpërmjet adresës së e-mailit ose telefonit për verifikimin e plotësimit të kritereve të kërkuara, procesin e ankimimit, datën e provimit me gojë si dhe për informacione të tjera të nevojshme.