Në zbatim të Ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995, ”Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, (i ndryshuar), të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 512, datë 18.9.2021 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Media dhe Informim” dhe të Urdhrit të Kryeministrit, nr. 136, datë 23.11.2021 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë për Media dhe Informim”, ( i ndryshuar), Agjencia për Media dhe Informim, shpall konkurrimin
për vend të lirë pune në pozicionin:
Drejtor në Drejtorinë e Koordinimit të Ministrive dhe Agjencive, në Agjencinë për Media dhe Informim – klasa II-1
Përshkrimi i përgjithshëm i punës:
– Mbikëqyr dhe menaxhon nga afër ecurinë e punës së zëdhënësve të ministrave dhe koordinatorëve për ministrat e shtetit për të informuar dhe komunikuar me publikun dhe median mbi punën e ministrive dhe agjencive të Këshillit të Ministrave;
– Është përgjegjës për hartimin e planit të përjavshëm të komunikimit dhe eventeve publike të Këshillit të Ministrave;
– Koordinon punën për organizimin e fushatave të komunikimit publik të ministrive apo ndërministrore;
– Shërben si pikë kontakti për delegimin dhe zbatimin e kërkesave që vijnë nga ministritë, ministrat e shtetit dhe agjencitë e varësisë për drejtoritë e Agjencisë dhe anasjelltas, në lidhje me informimin e qytetarëve, informimin e medias, eventet dhe produksionin, informimin e qeverisë, hulumtimin dhe përmbajtjen, si dhe çdo kërkesë tjetër që lidhet me komunikimin dhe informimin publik;
– Organizon mbledhje të përjavshme ose, sipas nevojës, të zëdhënësve të ministrave dhe drejtorëve të Agjencisë me qëllim bashkërendimin e punës për komunikimin dhe informimin midis Agjencisë, Kryeministrit, ministrive dhe agjencive të varësisë, si dhe organizimin dhe vlerësimin e zbatimit për detyrat e sipërpërmendura;
– Raporton pranë drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm në lidhje me mbarëvajtjen e punës në drejtori dhe koordinon punën sipas udhëzimeve dhe kërkesave të tyre;
– Jep udhëzime dhe rekomandime në lidhje me ngjarjet kryesore dhe çështjet që ngrihen, mbi ndryshime apo përmirësime të nevojshme për secilin vartës të drejtorisë, me qëllim realizimin e misionit për koordinimin e punës së komunikimit dhe informimit të ministrive dhe agjencive të varësisë;
– Kujdeset për shpërndarjen e përgjegjësive dhe detyrave brenda drejtorisë, si dhe për shkëmbimin e informacionit me strukturat e tjera brenda Agjencisë.
Aplikantët duhet të plotësojnë kërkesat si më poshtë:
– Të zotërojnë diplomë të nivelit “Master Shkencor”;
– Të kenë të paktën 3 vite eksperiencë të mëparshme pune në sektorë të ngjashëm;
– Të kenë njohuri të mira dhe të certifikuara të gjuhës angleze.
Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit:
Aplikantët duhet të paraqesin në Agjencinë për Media dhe Informim në adresën: Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Pallati i Kongreseve, Tiranë ose në adresën e e-mailit vakance@mia.gov.al, këto dokumente:
– Letër interesi ku specifikohet emërtimi i pozicionit për të cilin aplikojnë;
– CV;
– Fotokopje të diplomës dhe listës së notave;
– Fotokopje të librezës së punës;
– Fotokopje të certifikimit të gjuhës angleze;
– Certifikatë të kualifikimeve të tjera nëse kanë;
– Numër kontakti dhe adresë e-maili.
Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimeve dhe dokumentacionit të plotë është data 28.09.2024. Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda kësaj date sjell skualifikim të aplikantit. Aplikantët njoftohen individualisht dhe nëpërmjet adresës së e-mailit ose telefonit për verifikimin e plotësimit të kritereve të kërkuara, procesin e ankimimit, datën e provimit me gojë si dhe për informacione të tjera të nevojshme.