SHPALLJE VENDI VAKANT Koordinator, në Drejtorinë e Koordinimit të Ministrive dhe Agjencive, në Agjencinë për Media dhe Informim – klasa II-1
Në zbatim të Ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995, ”Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, (i ndryshuar), të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 512, datë 18.9.2021 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Media dhe Informim” dhe të Urdhrit të Kryeministrit, nr. 136, datë 23.11.2021 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë për Media dhe Informim”, (i ndryshuar), Agjencia për Media dhe Informim, shpall konkurrimin për vend të lirë pune në pozicionin:
Koordinator, në Drejtorinë e Koordinimit të Ministrive dhe Agjencive, në Agjencinë për Media dhe Informim – klasa II-1
Përshkrimi i përgjithshëm i punës:
- Realizon marrjen ose dhënien e informacionit nga organet e shtypit apo mjetet e komunikimit masiv për veprimtarinë e ministrave të shtetit dhe agjencive të varësisë direkte të Kryeministrit;
- Ndihmon në shkrimin e përgjigjeve për të gjitha mjetet e komunikimit masiv;
- Në bashkëpunim me Drejtorinë e Informimit të Mediave dhe Drejtorinë e Produksionit dhe Eventeve, përgatit konferencat e shtypit, takime ose intervista me gazetarë të ndryshëm e me ministrat e shtetit, stafit të tyre dhe agjencive të varësisë direkte nga Kryeministri;
- Në bashkëpunim me Drejtorinë e Informimit të Qytetarëve, bashkërendon dhe mbikëqyr publikimin e materialeve në faqen e internetit të ministrave të shtetit dhe agjencive të varësisë direkte;
- Në bashkëpunim me Drejtorinë e Informimit të Institucioneve, Hulumtimit dhe Përmbajtjes, kujdeset për pasqyrimin e përditshëm të shtypit për ministrat e shtetit dhe agjencitë e varësisë direkte nga Kryeministri;
- Bashkëpunon me organet e medias dhe të shtypit për të pasqyruar veprimtarinë e ministrave të shtetit duke mbajtur përgjegjësi të drejtpërdrejtë për njoftimin e tyre për çdo eveniment;
- Bashkërendon informacionin javor për veprimtaritë e rëndësishme të Ministrave të Shtetit dhe Agjencive të Varësisë mbi bazën e grumbullimit të informacioneve të njëpasnjëshme nga këto institucione për objektivat, aktivitetet dhe eventet e tyre si dhe për publikimin në faqet përkatëse on-line;
- Mban lidhje dhe bashkëpunon me koordinatorët e tjerë dhe zëdhënësit për shtyp të ministrive, pjesë e Drejtorisë së Koordinimit të Ministrive dhe Agjencive, në Agjencinë për Media dhe Informim, me qëllim realizimin e objektivave dhe misionit të përbashkët në funksion të informimit të mediave dhe qytetarëve.
Aplikanti duhet të plotësojë:
Kërkesat e përgjithshme:
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të përmbushë kërkesat ligjore për nivelin arsimor dhe të zotërojë aftësitë e nevojshme dhe profesionale për vendin e punës;
- Të jetë në kushte të mira shëndetësore për të kryer detyrat përkatëse;
- Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.
Kërkesat e veçanta :
– Të zotërojë diplomë të nivelit “Master Shkencor”;
– Të ketë të paktën 3 vite eksperiencë të mëparshme pune në sektorë të ngjashëm;
– Të ketë njohuri të gjuhës angleze .
Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit:
Aplikanti duhet të paraqesë në Agjencinë për Media dhe Informim në adresën Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Pallati i Kongreseve, Tiranë ose në adresën e e-mailit vakance@mia.gov.al, këto dokumente:
- Kërkesë për punësim;
- Përshkrim të edukimit dhe karrierës profesionale (curriculum vitae);
- Diploma të njësuara me origjinalin (të noterizuara),(Diploma e arsimit të lartë e fituar jashtë vendit duhet të jetë e njohur dhe njehsuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore);
- Lista notash të njësuara me origjinalin (të noterizuara);
- Ҫertifikatë të gjuhës së huaj, kualifikime të ndryshme;
- Librezë pune (e noterizuar);
- Raport mjeko-ligjor për aftësi në punë;
- Çertifikatë të gjëndjes gjyqësore (dëshmia e penalitetit);
- Fotokopje të kartës së identitetit.
Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimit dhe dokumentacionit të plotë është data 20.11.2025. Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda kësaj date sjell skualifikim të aplikantit.
Aplikanti njoftohet individualisht dhe nëpërmjet adresës së e-mailit ose telefonit për verifikimin e plotësimit të kritereve të kërkuara, procesin e ankimimit, datën e provimit me gojë si dhe për informacione të tjera të nevojshme.