Përgjegjës Sektori në Sektorin e Produksionit në Drejtorinë e Produksionit dhe Eventeve – kategoria III-a
Në zbatim të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 512, datë 18.9.2021 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Media dhe Informim” dhe të Urdhrit të Kryeministrit, nr. 136, datë 23.11.2021 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë për Media dhe Informim”, i ndryshuar, Agjencia për Media dhe Informim, shpall konkurrimin për vend të lirë pune në pozicionin:
Përgjegjës Sektori në Sektorin e Produksionit në Drejtorinë e Produksionit dhe Eventeve – kategoria III-a
Përshkrimi i përgjithshëm i punës:
– Organizon punën e specialistëve të sektorit si dhe kontrollon dhe jep rekomandime për procesin e produksionit dhe përpunimit të materialeve fotografike, audio apo filmike në funksion të komunikimit publik të Kryeministrit, Këshillit të Ministrave dhe administratës në varësi të tyre;
-Kryen përpunimin përmes programeve kompjuterike të montazhit audio-viziv të regjistrimeve filmike të aktiviteteve publike të Kryeministrit dhe Kryeministrisë, të cilat vihen në funksion të Drejtorisë së Informimit të Qytetarëve dhe Drejtorisë së Informimit të Mediave në përmbushje të misionit të tyre;
– Kryen përpunimin përmes programeve kompjuterike të montazhit audio-viziv të regjistrimeve filmike të aktiviteteve të ministrave, ministrive dhe agjencive të varësisë, të cilat vihen në funksion të Drejtorisë së Koordinimit të Ministrive dhe Agjencive, Drejtorisë së Informimit të Qytetarëve dhe Drejtorisë së Informimit të Mediave në përmbushjen të misionit të tyre;
– Është përgjegjës për prodhimin e të gjithë materialeve audio-vizive që prodhohen në funksion të komunikimit publik të Kryeministrit dhe Kryeministrisë, si dhe koordinon dhe kontrollon për të garantuar cilësinë në prodhimin e këtyre materialeve në rast se ato prodhohen nga palë të tjera;
– Koordinon dhe asiston Drejtorinë e Koordinimit të Ministrive dhe Agjencive si dhe strukturat përgjegjëse në ministri, për prodhimin e materialeve audio-vizive në funksion të punës së ministrive dhe agjencive të varësisë, si dhe koordinon dhe kontrollon për të garantuar cilësinë në prodhimin e këtyre materialeve në rast se ato prodhohen nga palë të tjera;
– Kryen redaktimin e materialeve fotografike në funksion të komunikimit publik të Kryeministrit, Këshillit të Ministrave dhe administratës publike në varësi të tyre;
– Garanton përfundimin brenda afateve të detyrave që lidhen me produksionin audio-vizual;
– Sipas kërkesave dhe udhëzimeve të drejtorit të drejtorisë, koordinon aktivitetin e përditshëm dhe organizimin e detyrave midis punonjësve në sektor.
Aplikantët duhet të plotësojnë kërkesat si më poshtë:
– Të zotërojnë diplomë të nivelit “Master Shkencor”;
– Të kenë të paktën 3 vite eksperiencë të mëparshme pune në sektorë të ngjashëm;
– Të kenë njohuri të avancuara të programeve të përpunimit audio-vizuale si Adobe Premiere, Adobe Audition, Adobe Photoshop etj.
Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit:
Aplikantët duhet të paraqesin në Agjencinë për Media dhe Informim në adresën: Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Pallati i Kongreseve, Tiranë ose në adresën e e-mailit vakance@mia.gov.al, këto dokumente:
- Letër interesi ku specifikohet emërtimi i pozicionit për të cilin aplikojnë;
- CV;
- Fotokopje të diplomës dhe listës së notave;
- Fotokopje të librezës së punës;
- Certifikatë të kualifikimeve nëse kanë;
- Numër kontakti dhe adresë e-maili.
Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimeve dhe dokumentacionit të plotë është data 01.03.2022. Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda kësaj sjell skualifikim të aplikantit
Aplikantët njoftohen individualisht dhe nëpërmjet adresës së e-mailit ose telefonit për verifikimin e plotësimit të kritereve të kërkuara, procesin e ankimimit, datën e provimit m/e gojë si dhe për informacione të tjera të nevojshme.