Në zbatim të Ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995, ”Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, ( i ndryshuar), të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 512, datë 18.9.2021 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Media dhe Informim” dhe të Urdhrit të Kryeministrit, nr. 136, datë 23.11.2021 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë për Media dhe Informim” (i ndryshuar), Agjencia për Media dhe Informim, shpall konkurrimin për vend të lirë pune në pozicionin:
Specialist (Jurist) në Sektorin e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, në Agjencinë për Media dhe Informim – klasa IV-1
Përshkrimi i përgjithshëm i punës:
- Është personi përgjegjës për të gjitha procedurat e prokurimit me vlerë të vogël dhe është administrator i sistemit për autoritetin kontraktor;
- Përgatit dokumentet e prokurimit dhe të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për hapjen e ofertave, vlerësimin dhe dhënien e kontratës, si dhe bashkëpunon me grupet e interesuara të punës në përgatitjen e specifikimeve teknike për mallrat dhe shërbimet që do të prokurohen;
- Me miratimin e drejtorit ose zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm, kërkon informacione, njoftime dhe dokumente nga organet shtetërore dhe personat juridikë, si dhe përgatit përgjigjet për shkresat e korrespondencës zyrtare në lidhje me veprimtarinë e Agjencisë;
- Asiston në hartimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit ose kontratave të ndryshme mes Agjencisë dhe institucioneve të tjera brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;
- Është përgjegjës për trajtimin dhe interpretimin ligjor të çështjeve që ngrihen, sipas rastit, brenda kuadrit ligjor në fuqi, si dhe bën propozime për ndryshime në aktet ligjore apo nënligjore, mbi të cilat mbështetet veprimtaria institucionale, me qëllim përmirësimin e tyre në varësi të problemeve të ndryshme;
- Përgatit aktet ligjore dhe nënligjore, rregulloret, shkresat dhe çdo material tjetër që nxjerr
Agjencia sipas udhëzimeve të drejtorit të Përgjithshëm; - Harton akte administrative për miratim të drejtorit të Përgjithshëm
Aplikantët duhet të plotësojnë kërkesat si më poshtë:
– Të zotërojnë diplomë të nivelit “Master Shkencor” apo “Master Profesional”;
– Preferohet të kenë eksperiencë të mëparshme pune në sektorë të ngjashëm
Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit:
Aplikantët duhet të paraqesin në Agjencinë për Media dhe Informim në adresën: Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Pallati i Kongreseve, Tiranë ose në adresën e e-mailit vakance@mia.gov.al, këto dokumente:
- Letër interesi ku specifikohet emërtimi i pozicionit për të cilin aplikojnë;
- CV;
- Fotokopje të diplomës dhe listës së notave;
- Fotokopje të librezës së punës nëse kanë;
- Certifikatë të kualifikimeve nëse kanë;
- Numër kontakti dhe adresë e-maili.
Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimeve dhe dokumentacionit të plotë është data 30.12.2024. Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda kësaj date sjell skualifikim të aplikantit.
Aplikantët njoftohen individualisht dhe nëpërmjet adresës së e-mailit ose telefonit për verifikimin e plotësimit të kritereve të kërkuara, procesin e ankimimit, datën e provimit me gojë si dhe për informacione të tjera të nevojshme.