Në zbatim të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 512, datë 18.9.2021 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Media dhe Informim” dhe të Urdhrit të Kryeministrit, nr. 136, datë 23.11.2021 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë për Media dhe Informim”, i ndryshuar, Agjencia për Media dhe Informim, shpall konkurrimin për vend të lirë pune në pozicionin:
Specialist në Sektorin e Hulumtimit dhe Përmbajtjes, në Drejtorinë e Informimit të Institucioneve, Hulumtimit dhe Përmbajtjes, në Agjencinë për Media dhe Informim – kategoria IV-a
Përshkrimi i përgjithshëm i punës:
– Hulumton për materiale në burime të komunikimit publik, raporte kombëtare apo ndërkombëtare si dhe të dhëna statistikore publike, duke u mbështetur në fakte dhe informacione të sakta e të verifikuara, në funksion të komunikimit qeveritar;
– Përkthen materiale në gjuhë të huaj dhe anasjelltas, nga burime vendase apo të huaja informacioni, për qëllime të hulumtimit, fjalëshkrimit dhe për çdo nevojë tjetër të Agjencisë;
– Shqyrton dhe përmbledh në mënyrë analitike rezultate dhe të dhëna nga hulumtime të opinionit publik që lidhen me aspekte të komunikimit dhe/apo punës së Këshillit të Ministrave, të kryera në funksion të Agjencisë, Qeverisë apo nga palë të treta;
– Raporton pranë përgjegjësit të sektorit dhe drejtorit të drejtorisë për ecurinë e procesit të hulumtimit;
– Garanton ecurinë dhe mbarëvajtjen e punës në grup përmes aftësive analitike dhe komunikuese me kolegët dhe eprorët.
Aplikantët duhet të plotësojnë kërkesat si më poshtë:
– Të zotërojnë diplomë të nivelit “”Bachelor”;
– Të kenë njohuri të mira dhe të certifikuara të gjuhës angleze.
– Preferohet të kenë eksperiencë të mëparshme pune në sektorë të ngjashëm;
Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit:
Aplikantët duhet të paraqesin në Agjencinë për Media dhe Informim në adresën: Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Pallati i Kongreseve, Tiranë ose në adresën e e-mailit vakance@mia.gov.al, këto dokumente:
- Letër interesi ku specifikohet emërtimi i pozicionit për të cilin aplikojnë;
- CV;
- Fotokopje të diplomës dhe listës së notave;
- Fotokopje të librezës së punës nëse kanë;
- Fotokopje të certifikimit të gjuhës angleze;
- Certifikatë të kualifikimeve të tjera nëse kanë;
- Numër kontakti dhe adresë e-maili.
Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimeve dhe dokumentacionit të plotë është data 22.11.2022. Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda kësaj sjell skualifikim të aplikantit
Aplikantët njoftohen individualisht dhe nëpërmjet adresës së e-mailit ose telefonit për verifikimin e plotësimit të kritereve të kërkuara, procesin e ankimimit, datën e provimit me gojë si dhe për informacione të tjera të nevojshme.