Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë Franceze nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kinematografisë.
Gjatë Samitit të Berlinit që u mbajt në Tiranë, ministrja e Kulturës znj. Elva Margariti priti ministren e
Kulturës të Republikës së Francës znj. Rima Abul-Malak.
Në qendër të bisedimeve ishte forcimi i marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve tona, duke u ndalur më së shumti në fushën e arkeologjisë, në rrjedhën e raporteve historike dhe bashkëpunimeve frytdhënëse, që me Leon Rayn, për të vijuar me Pierre Cabane dhe ekipe të tjera që kanë zhvilluar ekspedita gërmimi dhe studimi në Shqipëri. Si një nga fushat ku bashkëpunimet dypalëshe po njohin një rritje të vazhdueshme është edhe baleti, duke marrë si shembull Festivalin Ndërkombëtar të Dancit Bashkëkohor, i cili, në edicionin e tij të dytë, dëshmoi që ka potencial për t’u zgjeruar edhe me të tjerë bashkëpunëtorë ndërkombëtarë, duke shtuar jo vetëm shfaqjet, por duke u kthyer në një shkollë të vërtetë, ku të japin masterclase mjeshtërit e baletit.
Kinematografia ishte një nga temat e diskutimit. Kjo e fundit ishte edhe objekt i marrëveshjes së nënshkruar mes Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Franceze.
Nga kjo marrëveshje do të përfitohet asistencë dhe ekspertizë në procesin e rishikimit të ligjit për kinematografinë; mundësi trajnimi për kineastët e rinj dhe punonjësit e sektorit, për të shkuar drejt një marrëveshjeje bashkëprodhimi vitin që vjen.
Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua mes ministres së Kulturës të Republikës së Shqipërisë znj. Elva Margariti dhe z. Dominique Boutonnat, President i Qendrës Kombëtare për Kinemanë dhe Imazhet e Animuara (CNC).
Gjatë vizitës së saj në Tiranë, ministrja Abdul-Malak vizitoi Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku asistoi edhe gjatë provave të trupës sonë të baletit, nën drejtimin e koreografit Benard Azizaj; vizitoi Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” dhe zhvilloi një takim me kineastë, ku së bashku me ministren Margariti dhe Presidentin e CNC Boutonnat iu përgjigjën pyetjeve të të pranishmëve rreth bashkëpunimeve të ardhshme mes Francës dhe Shqipërisë në fushën e kinematografisë duke përfshirë edhe marrëveshjen dhe ndryshimet në ligj.