Në vigjilje të 110 vjetorit të Pavarësisë, u zhvillua sot mbledhja e parë e përbashkët mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, me pjesëmarrjen e deputetëve nga të dy parlamentet dhe nën bashkëdrejtimin e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla dhe Kryetarit të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca.
Kryeministri Edi Rama, i cili ishte i pranishëm në seancë, së bashku me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, – iu drejtua seancës së përbashkët me një fjalë:
* * *
Të nderuar kryetar të Kuvendeve tona, zonja Nikolla dhe zoti Konjufca,
Të nderuar deputetë dhe deputete të dy shteteve tona,
I nderuar kryeministër i Kosovës, i dashur Albin, ja ku jemi të gjithë bashkë si asnjëherë më parë, 110 vite më këtej të atij momenti të historisë sonë të përbashkët kur nga çdo cep i trevave shqiptare ishin shkulur drejt Vlorës të zgjedhurit e çdo nahijeje të katër vilajeteve të Shqipërisë të asaj kohe.
Si nesër dhe 110 viteve më parë në Vlonë, në 15/28 të vjeshtës së tretë 1328/1912 pas fjalëve që tha zoti kryetar Ismail Qemal Beu me të cilat tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet Shqipëria, të gjithë delegatët me një za venduen që Shqipëria më sot të mbahet më vehte, e lirë, e mosvarme.
Bien telat, venë e vijnë po na tundin Shqipërinë,
Toskërinë, Gegërinë, me çdo vend me çdo krahinë,
që në Shkodër në Janinë, që në Vlorë e në Prishtinë.
Obobo ç’fitoi lirinë, obobo ç’u ngrit rrëmeti, se ç’u tund si valë deti.
Po si det që vjen me valë, po vjen rëndë dhe me ngadalë e po ndjek Ismail Qemal,
Ismail burri i shpie në Vlorë me flamur të kuq në dorë,
me flamurin e lirisë mu në thelb të Shqipërisë.
Shqipëri moj Shqipëri hidhe larg atë shami që të treti në të zi, në vajtim e robëri.
Kështu e la të kënduar në fondin e letrave shqipe Lasgush Poradeci atë moment mahnitës të bashkimit të gjithë shqiptarëve. Por me lejen tuaj unë do doja të sillja sot në vëmendje edhe një fakt që të paktën mua s’më ka rënë rasti ta them, por as kam pasur rastin ta dëgjoj të thuhet.
Mbase kjo ditë festive nuk duket e duhura për ta sjellë në vëmendje, por sot, pikërisht sot nuk mund të lihet pa kujtuar se historia jetësore e atyre 40 krijimtarëve të Pavarësisë përshkohet nga funde tragjike, në kontrast ekstrem me shkëlqimin e artë të firmës së tyre në deklaratën e pavarësisë.
Edhe trajtimi i tyre i mëvonshëm, qoftë para dhe qoftë pas rënies së komunizmit është sa i përcaktuar politikisht, aq edhe i kufizuar sporadikisht. Ja le të marrim për shembull Dom Nikoll Kaçorrin, perlatin katolik firmëtar i pavarësisë, zëvendës kryeministri i parë i Shqipërisë në qeverinë e Ismail Qemalit. Ai vdiq në ekzil, pasi Haxhi Qamili i dogji qelën dhe ia bëri shkrumb e hi të gjithë bibliotekën.
Apo Haxhi Vehbi Dibrën, tjetër firmëtar i pavarësisë, kryetar i parë i Komunitetit Musliman të Shqipërisë i cili në kuvendin e Vlorës u shpreh për njësimin kombëtar sepse tha ai, “kristiani dhe muslimani janë vëllezër shqiptar dhe të pa ndarë”.
Jorgji Karbunarën, mësuesin atdhetar përfaqësues i Beratit në kuvendin e Vlorës, i cili në moshë të thyer u torturua mizorisht nga mercenarët e Esat Pashë Toptanit, ndërsa sikur të mos mjaftonin ato tortura rebelët e Haxhi Qamilit hynë në Berat, e kapën, e nxorën zvarrë nëpër qytet dhe e rrahën me shkop për vdekje, por në kuptimin e vërtetë të fjalës, ai nuk u ngrit më.
Qazim Kokoshin, firmëtarin e Vlorës i cili pasi u arrestua nga gestapoja dhe u internua në Itali nuk pati një fat ndryshe kur erdhi në Shqipëri, ku vdiq nga torturat në hetuesinë komuniste.
Shefqet Dajiun, delegatin e Elbasanit, sekretari i kuvendit të Vlorës shkroi deklaratën e pavarësisë në osmanisht. Në ’45 i sekuestruan pasurinë dhe në ’46 i morën dhe jetën.
Zini Abaz Kaninën të cilin e sakatuan totalisht dhe e lanë të vdiste si qen në burg në 1951.
Xhelal Koprenckën, delegatin e Skraparit të cilin e vranë pabesisht në 1919, jo të huajt, shqiptarët.
Apo Qemal Karaosmanin dhe Jani Mingën dy të tjerë firmtarë që vdiqën totalisht në vetmi dhe të rrënuar në çdo aspekt pas luftës.
Nuk po shtyhem më tutje me këtë fill tragjik të fundjetës të firmëtarëve të pavarësisë që nga Luigj Gurakuqi i cili edhe pse qe në fakt ndër shumë të paktët që më vonë u nderuan, pasi u vra si tradhtar po nga dora e shqiptareve, ‘syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur, ky vigan liberator”, thotë Fan Noli në një poezi të jashtëzakonshme për Luigj Gurakuqin dhe deri tek Mit’hat Frasheri me të cilin ende sot, tani që flasim shumëkush nuk arrin dot të bëjë paqe këtu në Shqipëri të paktën, për t’i dhënë Çezarit atë që është e Çezarit dhe për t’i lënë Zotit atë që është e Zotit.
Po e kthej këtë fletë të mendimit me mendimin se i takon nga një anë institucioneve tona , parlamenteve dhe qeverive që të gjejnë një qasje të mirë menduar për t’i hapur rrugë vendosjes aty ku duhet shumë vonë, por më mirë vonë se kurrë, në libra dhe në hapësira të përbashkëta atyre 40 burrave pa të cilët mexhlisi i historisë sonë nuk dihet sesi do të ishte më pas dhe bashkëjetesa jonë nuk dihet se si do të vazhdonte më tutje.
Duke kthyer fletën tek e sotmja, më lejoni të ndaj me ju bindjen se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë në raport me të huajt, por përsëri edhe sot unë nuk besoj se shqiptarët janë më mirë në raport me vetveten. E le ti kthehemi me syrin e mendjes jo vetëm pamjes së sotme të Kosovës krahasuar me jo shumë vite më parë. Unë nuk besoj se do të ishte e ndershme që të shtyheshin shumë dhe të thoshin: “po, ne e kishim imagjinuar që në 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Kosova do të ishte e lirë, do të ishte sovrane dhe pavarësia e saj do të ishte përfundimtare”. Ashtu sikundër unë besoj se dhe njohja e saj përfundimtare do të vijë më herët sesa vonë dhe se Kosova nuk do të presë kaq sa ka pritur qysh se ka shpallur pavarësinë por tu njohur përfundimisht ndërkombëtarisht dhe për të qenë e pranishme në çdo instancë të të gjithë organizimit të përgjithshëm të botës ku ne jetojmë.
Nga ana tjetër akoma më e prekshme dhe më mbresëlënëse është pamja në Maqedoninë e Veriut, shumë më vonë pas lirisë dhe pavarësisë se Kosovës, në Maqedoninë e Veriut atëherë Maqedonia, ishte vendi ku gjuha shqipe vazhdohej të shihej si gjuha e një pale të padëshirueshme. Ishte vendi ku flamuri shqiptar vazhdonte të shihej si një provokim.
Ishte vendi ku unë nuk besoj se janë të shumtë ata që sot mund të kenë kurajon të thonë se e dinin që në 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë do të kishte shqipen gjuhë zyrtare, do të kishte pjesëmarrjen më të lartë të shqiptarëve në qeveri dhe në institucione e madje do të kishte edhe kryetarin e Kuvendit shqiptar.
Po ashtu, nuk besoj se kanë qenë të shumtë ata që e kanë paraparë se mund të vinte dita që Mali i Zi të kishte një kryeministër shqiptar, siç e ka sot dhe patjetër që të drejtat e shqiptarëve në tërësi janë shumë herë më të avancuara dhe shumë herë më të pranuara si të tilla, sesa ç’kanë qenë ndonjëherë.
E për të ardhur tek konkretja, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës sot nuk janë më të shkëlqyera thjesht sepse jemi dy vende të ndara me dy shtete por të bashkuara me një zemër, por janë edhe produktive, më shumë se ç’kanë qenë kurrë ndonjëherë tjetër.
Këtë e tregojnë faktet e prodhuara jo thjesht nga mbledhjet e përbashkëta e të përvitshme mes dy qeverive, por nga vullneti dhe nga rritja e aftësisë, jo thjesht për ta kuptuar në parim, por edhe për ta zbatuar në praktikë, bashkëpunimin në interes reciprok.
Mjafton të shikosh të dhënat e shkëmbimeve tregtare apo lirinë e lëvizjes që deri dje dukej mision i pamundur, apo abetaren e përbashkët, një tjetër ngjarje shumë e rëndësishme dhe e vonuar, por e realizuar. Apo punën e përbashkët për Fjalorin Enciklopedik Shqiptar dhe për Historinë e Shqiptarëve, një punë e angazhuar nga dy qeveritë tona dhe e marrë përsipër nga akademitë tona të shkencave, apo bashkëpunimin e përditshëm në fushën e energjisë, apo punën e nisur për të bërë realitet atë që është vepra më e madhe, besoj unë e të ardhmes, portin dhe hekurudhën.
Për hekurudhën kemi tanimë ofertuesit, një grup i gjerë kompanish nga më të mëdhatë e Europës që kanë ofertuar për të marrë përsipër studimin e fizibilitetit të porositur nga të dyja qeveritë më vendim të përbashkët. Ndërkohë që pavarësisht të gjitha llafeve, në fillim të vitit të ardhshëm ne fillojmë edhe hapim garën ndërkombëtare për portin e ri të Durrësit, i cili do të ndërtohet në Porto Romano dhe nëse gjithçka do të shkojë sipas planit, në fillim të 6 mujorit të dytë të vitit të ardhshëm, ne do të jemi në kantier me portin e ri të Porto Romanos që do të jetë një port i përbashkët, i shtrirë nga Durrësi në Prishtinë dhe në Strugë me dy porte të thata që do të lidhen me hekurudhë dhe ndërkohë që për hekurudhën Durrës-Prishtinë tani hyjmë në fazën e studimit të fizibilitetit. Për hekurudhën tjetër jemi në diskutime intensive me Komisionin Europian në bashkëpunim me qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Këto janë fakte dhe në 12 dhjetor, unë shpresoj që Kryeministri i Kosovës dhe ministrat e fushave, të na bashkohen në prezantimin e madh publik të projektit përfundimtar. Pasi kemi parashtruar publikisht konceptin për Portin e Ri, në 12 dhjetor do të prezantojmë publikisht projektin përfundimtar të kompanisë Royal Haskoning, i cili do t’i nënshtrohet garës ndërkombëtare në fillim të vitit të ardhshëm dhe siç thashë do të fillojë nga puna në fillim të 6-mujorit të dytë të vitit 2023. E pra, për të mos u zgjatur, dua të rikthehem aty ku u nisa me ata të cilët i hapën rrugë shumë e shumë kohë më parë, mundësive që ne patëm më pas, një pjesë të mundësive ne e shfrytëzuam, ne shqiptarët flas, një pjesë të mundësive ne e huqëm në një pjesë të konsiderueshme të kësaj bashkëjetesës sonë, në këtë që quhet truall i Shqipërisë, ne bëmë çmos dhe vazhdojmë të bëjmë çmos për ta penguar njëri-tjetrin, herë me sukses e herë pa sukses, por sot që është një ditë e mirë, është një ditë e bukur, është një ditë frymëzuese edhe për këtë pamje e cila i ka mbledhur të gjithë bashkë, pavarësisht nëse do donin apo s’do donin ta pranonin njëri-tjetrin, qoftë edhe në një mëhallë në jetën e përditshme.
Dy emra do të sjell këtu në vëmendje, pa të cilët nuk mund të kuptohet dot as ardhja deri në këtë ditë dhe as vazhdimësia përtej kësaj dite; Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të dyja këto natyrisht lidhen me Ibrahim Rugovën, një i munguar i madh sot, pasi u nda nga jeta para kohe, por me mision të kryer dhe Hashim Thaçi, një tjetër i munguar i madh sot, në këtë sallë, i cili është i ndarë prej nesh përkohësisht, me një mision që vazhdon.
Shumë faleminderit!