Shqipëria dhe Kosova do të bashkëpunojnë për të mundësuar bashkimin doganor mes dy vendeve.
Në mbledhjen e tetë të përbashkët mes dy qeverive, e cila u mbajt në Prishtinë, u firmos Memurandumi i Bashkëpunimit për ngritjen e një grupi të përbashkët pune për bashkimin doganor.
Memorandumi u firmos nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Republikës së Kosovës, Hekuran Murati.
Ministrja Ibrahimaj vlerësoi firmosjen e Memorandumit dhe u shpreh besimplotë se grupi i përbashkët teknik do të propozojë një dokument përpara mbledhjes së ardhshme të dy qeverive, zbatimi i të cilit do të mundësojë bashkimin doganor të shumë pritur mes dy vendeve.
Ministrja theksoi se qeveria shqiptare ka marrë angazhimin për të zeruar tarifat që lidhen me procedurat doganore me Kosovën dhe për të lehtësuar procedurat administrative mes dy vendeve.
Nga ana e tij, Ministri i Financave, Punës dhe Transfertave të Republikës së Kosovës, Hekuran Murati, tha se ky memorandum është hapi i parë konkret për bashkimin doganor, i cili konsiderohet i një interesi të lartë kombëtar.
“Bashkëpunimi doganor sjell përfitime të tilla, si shfrytëzimi i kohës në mënyrë më efektive, për shkak të lehtësimit të procedurave dhe zvogëlimit të kohës së pritjes për kamionët”, tha ai, duke shtuar se, ky studim pritet të jetë me interes për dyja palët dhe të ofrojë një pasqyrë të qartë për hapat që duhet të ndërmerren”.
Gjithashtu, dy ministrat vlerësuan firmosjen e protokollin e bashkëpunimit mes administratave doganore për njohjen reciproke të plumbçeve. Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se ky protokoll lehtëson procedurat për bizneset dhe redukton kohën që bizneset e dy vendeve duhet të shpenzojnë në doganë.
Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Ministrja Ibrahimaj dhe Ministri Murati firmosën edhe marrëveshjen administrative për zbatimin e marrëveshjes kuadër në fushën e sigurimeve shoqërore, e cila do të hyjë në fuqi në datën 1 korrik 2022 dhe parashikon një sërë përfitimesh për qytetarët e të dy vendeve.
“Në vëmendjen tonë janë edhe qytetarët e të dy vendeve. Puna dhe kontributi i tyre gjatë gjithë këtyre viteve në të dy anët e kufirit nuk mund të mbetet e pavlerësuar, e panjohur dhe e pa shpërblyer. Vullneti ynë politik nuk mbeti thjesht i tillë, por u materializua në një marrëveshje konkrete, e cila hyn në fuqi në datën 1 korrik dhe ne sot firmosim, në zbatim të marrëveshjes kuadër për sigurimet shoqërore ndërmjet dy vendeve, marrëveshjen administrative për efekt të zbatimit konkret dhe me efikasitet të parashikimeve të përgjithshme të marrëveshjes kuadër”, tha Ibrahimaj.
Ministrja Delina Ibrahimaj shprehu bindjen se të gjithë nismat që po ndërmerren mes dy vendeve do të japin rezultat në funksion të forcimit të bashkëpunimit, lehtësimit të bizneseve dhe rritjes shkëmbimeve tregtare, si dhe integrimit rajonal dhe etij eruopian, si një aspiratë e përbashkët.
Fjala e Ministres Delina Ibrahimaj në mbledhjen e dy qeverive:
I nderuar Kryeministër Kurti,
I nderuar Kryeministër Rama,
Të nderuar kolege dhe kolegë të dy kabineteve qeveritarë.
Unë ju falënderoj për ftesën këtu në Prishtinë. Takimi i dy qeverive tashmë është kthyer në traditë dhe na ka mundësuar që të bashkëpunojmë më ngushtë ndërmjet njëri-tjetrit me qëllim që të zgjidhim të gjitha problematikat, të cilat i shërbejnë dhe janë në dobi të integrimit rajonal dhe europian, të rritjes së shkëmbimeve tregtare, të zhvillimit të bizneseve, të cilat në fund fare i shërbejnë të gjithë qytetarëve tanë.
Ne kemi shumë sfida të përbashkëta të cilat jam e bindur që do të dimë t’i tejkalojmë dhe dua të përgëzoj të dyja administratat e Shqipërisë dhe Kosovës për bashkëpunimin e mirë në fushën doganore, për arritjen e firmosjes së marrëveshjes së plumbçeve, e cila ndonëse nuk ka një vlerë të madhe ekonomike, ka një vlerë shumë të madhe përsa i përket lehtësimit të procedurave për bizneset dhe uljes së kohës së shpenzuar në doganë nga të dyja bizneset.
Potenciali që ne kemi është shumë i lartë, ka ende shumë hapësira që mund të shfrytëzohen që do të na ndihmonin për të çuar shkëmbimet tregtare në nivelin e duhur dhe këto nuk janë fjali klishe. Këto janë realitete të nisura nga shifrat aktuale dhe nga potenciali i përbashkët për një komunikim dhe bashkëpunim më të mirë ndërmjet bizneseve të Shqipërisë dhe Kosovës.
Ne do të nënshkruajmë sot marrëveshjen që do t’i hapë rrugë bashkimit doganor mes dy vendeve, i cili është një proces që do shumë punë. Ne do të ngremë dy grupe teknike të cilat do të punojnë intesivisht dhe unë uroj që grupet të arrijnë që përpara mbledhjes së ardhshme të qeverisë të hartojnë një dokument, zbatimi i të cilit do të bëjë të mundur bashkimin doganor të shumëpritur ndërmjet dy vendeve tona.
Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka marrë angazhimin që të zeroje tarifat të cilat lidhen me procedurat doganore, me qëllim që të gjitha ato barriera tarifore dhe administrative në doganë të lehtësohen maksimalisht, siç është premtimi i dy qeverive tona, dhe uroj që të jetë e njëjta gjë dhe për qeverinë tuaj.
Unë shpreh keqardhjen që sot në këtë mbledhje nuk arritëm të nënshkruanim marrëveshjen për njohjen reciproke të operatorëve ekonomikë të autorizuar, pasi u informova nga ministri për disa teknikalitete të cilat nuk e lejojnë këtë. Uroj që këto teknikalitete të mund të zgjidhen përpara mbledhjes së ardhshme të dy qeverive, pasi është një marrëveshje shumë e rëndësishme për bizneset më të mëdha të Shqipërisë dhe të Kosovës, e cilat do t’i lejojë që të kalojnë pikat doganore pa asnjë lloj kontrolli.
Në takimet tona të përbashkëta dhe gjatë bashkëpunimit tonë kemi arritur shumë. Problematikat e skanimit të dyfishtë tashmë nuk ekzistojnë më. Uroj që në mbledhjen e ardhshme të gjitha këto iniciativa që po ndërmarrim të bëhen realitet dhe bizneset tona të bashkëpunojnë siç duhet pa kufi.
Gjithashtu, në vëmendjen tonë janë edhe qytetarët e të dy vendeve. Puna dhe kontributi i tyre gjatë gjithë këtyre viteve në të dy anët e kufirit nuk mund të mbetet e pavlerësuar, e panjohur dhe e pa shpërblyer. Vullneti ynë politik nuk mbeti thjesht i tillë, por u materializua në një marrëveshje konkrete, e cila hyn në fuqi në në datën 1 korrik dhe ne sot do të firmosim, në zbatim të marrëveshjes kuadër për sigurimet shoqërore ndërmjet dy vendeve, marrëveshjen administrative për efekt të zbatimit konkret dhe me efikasitet sipas parashikimeve të përgjithshme të parashikuara në marrëveshjen kuadër.
Përmes kësaj pakete ne do të mundësojmë një sërë përfitimesh në përputhje me skemat përkatëse të sigurimeve shoqërore dhe më konkretisht:
Skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore përfshin:
- Përfitimet në para për barrë-lindje për personat e punësuar, personat e vetëpunësuar si dhe për punëdhënësit;
- Përfitimet në para për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale për personat e punësuar;
- Pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjar për personat e punësuar, të vetëpunësuar, dhe për punëdhënësit.
Ndërsa skema kosovare e sigurimeve shoqërore përfshin:
- Të drejtën për pension kontribut-pagues të moshës;
- Të drejtën për pension invaliditor të punës;
- Të drejtën për pension familjar;
- Të drejtën për pension nga fondi i kursimeve pensionale individuale.
Faleminderit.