Ministria e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë dhe Ministria e Financave e Maqedonisë së Veriut do të forcojnë bashkëpunimit mes tyre sa i përket lehtësimit të tregtisë mes dy vendeve dhe procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe homologu i saj i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Besimi, nënshkruan marrëveshjet përkatëse, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që u zhvillua në Shkup.
Marrëveshja e parë është ajo për njohjen e ndërsjellët të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar, e iniciuar në kuadër të procesit të Ballkanit të Hapur, e cila ishte firmosur në muajin mars nga krerët e dy autoriteteve doganore, por tashmë u finalizua edhe protokolli përkatës.
“Në gjatë viteve të fundit ne kemi punuar shumë me qëllim që të rriten marrëdhëniet tona ekonomike dhe të lehtësojmë tregtinë ndërmjet dy vendeve tona nëpërmjet nismave që kemi ndërmarrë për Ballkanin e Hapur. Nga ana e qeverisë shqiptare tashmë është hapur një linjë jeshile në pikën kufitare të Qafë Thanës, e cila do të jetë e dedikuar vetëm për vendet e Ballkanit të Hapur dhe me firmosje e këtij protokolli të përbashkët tashmë i hapet rruga 11 gjithë operatorëve ekonomike të autorizuar të Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që të marrin të gjithë përfitimet që ky protokoll europian parashikon”, tha Ibrahimaj.
Një tjetër protokoll i rëndësishëm i formosur nga dy ministrat e financave është ai për mënyrën e funksionimit të pikës doganore të Qafë-Thanës.
“Fillimisht kaluam në parlamentet e të dy shteteve protokollin për njohjen dhe bashkimin e pikës kufitare të Qafë-Thanës dhe tashmë finalizojmë mënyrën e funksionimit të kësaj pike nga ana e autoriteteve doganore dhe policore”, bëri me dije Ministrja.
Për Ministren Ibrahimaj, është e rëndësishme që dy vendet të vazhdojnë diskutimet për arritjen e një dakordësie për çeljen e kufijve mes tyre në 24 orë, me qëllim lehtësimin e tregtisë dhe eliminimin e barrierave jo tarifore dhe tarifore, në ndihmë të zhvillimit ekonomik.
Marrëveshja e fundit e firmosur mes dy vendeve është Memorandumi i mirëkuptimit dhe bashkëpunimit në fushën e financave publike mes ministrive përkatëse të Financave, lidhur me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se është e rëndësishme që të dy institucionet të diskutojnë dhe punojnë bashkërisht, për shumë çështje, me qëllim që procesi i anëtarësimit europian të jetë sa më i afërt.
“Nëpërmjet këtij memorandumi bashkëpunimi ne synojmë që t’i ofrojmë njëri-tjetrit asistencë të ndërsjellët në fushat e harmonizimit të legjislacionit të vendeve tona me vendet e BE, menaxhimit të investimeve publike, përmirësimit të procesit të planifikimit buxhetor, shmangies së detyrimeve të prapambetura, politikat tatimore, luftës kundër informalitetit dhe pikave të tjera sa i përket të gjithë elementëve të menaxhimit të partneritetit publik privat, të inspektimeve financiare, qoftë të veçanta, qoftë në bashkëpunim me BE, pra të gjithë elementët që do ta na çojnë drejt një qeverisje më të mirë të financave publike dhe pranë standardeve të Bashkimit Europian”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve dhe shprehu bindjen se në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive do të finalizohen edhe nisma të tjera, të cilat janë ndërmarrë në funksion të lehtësimit të tregtisë, procesit të Ballkanit të Hapur dhe lehtësimit të procesit të integrimit europian.